Qytetarët e Kosovës , me sigurim shëndetësor në 2015
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani njoftoi se ka përfunduar puna rreth projektligjit për sigurime shëndetësore. Ai tha se dizajnimi i projektligjit u përgjigjet të gjitha kategorive të shoqërisë, ndërsa mendohet se qytetarët do të mund të rimbursohen deri në 100 për qind.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani konsideron se gjatë vitit 2014 do të mund të krijohet fondi për sigurime shëndetësore, në të kundërtën rolin ekzekutiv do ta ketë agjencia për financimin e shëndetësisë. Të gjitha procedurat janë paraparë të kryhen kryesisht gjatë vitit të ardhshëm në mënyrë që qytetarët të mund të shfrytëzojnë sigurimin shëndetësor më së largu në prill të vitit 2015, vlerëson ministri Agani.
“Plani ynë është që ne të fillojmë me grumbullimin e mjeteve në tre mujorin e fundit të vitit të ardhshëm. Mjetet duhet të grumbullohen gjatë 3 muajve,para fillimit të shfrytëzimit nga ana e palëve. Do të bëjmë çmos që ta realizojmë këtë, në variantin e dytë e cila mund të jetë më pak e favorshme e kjo është që fillimi i grumbullimit të këtyre mjeteve të ndodh prej janarit të 2015-tës dhe fillimi i shfrytëzimit të tyre prej prillit të 2015”, theksoi Agani, transmeton express.
Punëdhënësi dhe punëtori në sektorin publik do të paguajnë nga 3.5 % nga paga bruto, që do të thotë 7 për qind. Kjo do të vlejë edhe për sektorin privat. Për kategorinë që mund të mos kenë sigurim shëndetësor, është paraparë të paguajë Qeveria e Kosovës. Ministri Agani shpreson që fondi për sigurime shëndetësore do të jetë në gjendje të rimbursojë shërbimet shëndetësore të qytetarëve për 100 për qind.


