Cana garon në Ballkan për sportistin e vitit
Tiranë – Në këtë fund viti, kur të gjithë bëjnë shpalljen e sportistëve më të mirë, agjencia bullgare e lajmeve “BTA” ka shpallur listën e sportistëve që garojnë për më të mirin e Ballkanit për vitin 2013.Në këtë listë janë disa sportistë nga Shqipëria dhe shtetet e rajonit, por në të nuk janë përfshirë sportistët nga Kosova, për shkak të statusit të tyre të panjohur nga federatat botërore. Megjithatë, agjencia në fjalë duket se ka harruar që Kosova ka një kampione të botës të një sporti olimpik, Majlinda Kelmendin, kampione e botës në xhudo, transmeton bw.
Nga Shqipëria në këtë listë gjenden 4 sportistë, Lorik Cana, Iltjan Nika, Daniel Godelli e Romela Begaj. Por edhe një tjetër shqiptar është në konkurrencë; bëhet fjalë për Agim Ibraimin, futbollistin e talentuar që përfaqëson Maqedoninë.
Ndërkohë, kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka zbuluar votimin e tij për çmimin e “Topit të Artë”, që ka votuar Franck Ribery.


