KKVITI

Ndërtimi i shtëpive në Medvegjë sipas kërkesave prioritare

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Personi i autorizuar për komunën e Medvegjës lidhur me konkursin e Fondit Humanitar për ndërtimin e 100 shtëpive në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, zotëriu Fehmi Beha sot ka bërë të ditur se 100 shtëpi nuk do të ndërtohen vetëm në komunën e Medvegjës por në tërë territorin e Luginës së Preshevës. Sipas tij, projekti i ndërtimit do të zgjasë 5 vite, konkursi tashmë është publikuar dhe ftohen të interesuarit që të konkurojnë në përputhje me kushtet e konkursit.

Përparësi për ndërtimin e shtëpive siç kemi mësuar do të kenë familjet skamnore të cilat jetojnë me të gjithë anëtarët e familjes në komunën e Medvegjës dhe ato familje të cilat dëshirojnë të kthehen, po ashtu, me të gjithë anëtarët.

“Qëllimi i këtij aksioni humanitar i cili njëherit ka karakter kombëtar është parandalimi i shpërnguljes së shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dhe mundësimi i kthimit të sigurtë të atyre të cilët dëshirojnë të kthehen me familje të jetojnë, punojnë dhe veprojnë në Luginë”, tha z. Beha.

Uji Dea

Ka spekulime joformale se flitet për numrin e shtëpive që mund të ndërtohen në Medvegjë, mirëpo deri më tani nuk ka të dhëna të sakta për këtë numër, me siguri se ndërtimi do të varet nga kërkesat e qytetarëve dhe nga plotësimi i kushteve të konkursit.

“Në qoftë se dikush nga aplikuesit nuk selektohet në rrethin e parë me siguri se brenda afatit pesëvjeçar do të trajtohen kërkesat e të gjithë atyre të cilët i plotësojnë kushtet për ndërtim. Shpresoj se kërkesat e qytetarëve do të jenë të sinqerta dhe se ata të cilët përfitojnë nga ky fond të mos keqpërdorin ndihmën”, tha z. Beha.

Për të interesuarit, dokumentacioni i nevojshëm për aplikim sipas konkursit të publikuar në Medvegja.net Web Portal, duhet të dorëzohet deri më datën 10 dhjetor 2013, në zyrën në Shtëpinë e Kulturës./Shkruan: Fidan Kosumi-medvegja.net/