Fundamenti

Vlera dhe vlerësime në dritën e botimeve

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arsim Halili – Në praninë e dashamirëve të librit dhe të shkrimtarëve e krijuesve nga Dardana, të disa shkrimtarëve nga Gjilani, Prishtina, Presheva dhe Bujanoci më 22 nëntor në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Dardanë u bë promovimi i librit “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptarë” të autorit Sinan Sadiku.

Përurimi u bë në kuadër të Manifestimit Letrar “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani, nga Klubi Letrar “Nositi” nga Dardana dhe i ndihmuar nga Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Dardanës.

Fillimisht pak fjalë për librin i tha shkrimtari Sabit Rrustmi, editor i SH.B. “Beqir Musliu”, nga e cila shtëpi botuese është botuar libri. Rrustemi veç tjerash theksoi: “Sot po promovohet një nga librat më të mirë që është botuar sivjet në fushën e kritikës letrare, libri i Sinan Sadikut “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”.

Për të vazhduar më tutje “Po e them pa ekuivoke dikush me këtë libër, në shtetet normale, shumë lehtë do ta fitonte titullin magjistër apo doktor shkence”. Më pas një punim për librin e lexoi Faik Shkodra, nga i cili punim për lexuesit e kemi shkëput pjesën në vijim: “Në librin e Sinanit janë përvijuar aspektet e shumta të botës poetike të poetëve, të vlimeve shpirtërore të tyre, të vëllimeve artistike të tyre dhe, siç do t’i quanim poezitë, si zëra e ngjyra që paraqesin individualitetet e tyre dhe nga një këndvështrim realist i vlerave dhe jovlerave të analizuara nga kritikët, nxjerr konstatime të reja rreth rendit të vlerave të poezisë së sotme. Nga faqja në faqe shihet qëndrimi kritik dhe shija e autorit, që, sipas përshtypjeve dhe vlerave që bartin poezitë, sjell informacione të bollshme për rrugët që kanë ndjekur poetët dhe në gjithë shtrirjen e librit mban në fokus rendin e vlerave, mban atë besimin për ta thënë vetëm të vërtetën dhe këtë të vërtetë e shfaq kudo në libër. Sinani mbështet, përkrah dhe e fuqizon të vërtetën me të dhëna relevante dhe kjo e vërtetë vjen nga një vizion i gjerë që autori ka për botën e poezisë. Sinani nuk vjen i shpejtuar në vlerësime dhe me përgatitje, durim e intuitë ka kuptuar se në tekstet e kritikëve letrarë ka vlerësime subjektive, tendencioze, vlerësime të bazuara në simpati e miqësi, në interes e klane”.

Për ta përmbyll punimin me urimin: “Urojmë Sinan Sadikun për këtë vepër interesante dhe të rëndësishme për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare në përgjithësi dhe urojmë për trajtimin me akribi shkencore bërë librave që për temë bosht kanë pasur rendin e vlerave të poezisë së sotme shqipe”.

ARKATANA

Poeti dhe kritiku Nexhat Rexha veç tjerash konstatoi: “Të merresh me vlerësimin e mendimeve, si këto të parashtruara në librin “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, nuk është punë e lehtë, sepse në këto analogji mendimesh e vlerash për të dhënë pamjen e rendit aktualizues, duhet njohje dhe durim për të thënë atë që e ka përmbledhur në këtë libër Sinan Sadiku”.

Nga punimi i Ganimet Klaiqi për lexuesit e shkëputëm pjesën në vijim: “Libri “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare” për mua pa mëdyshje është shkencë e arrirë për fushën e letërsisë shqipe, është një studim që shumëkush do të dëshironte ta bënte, por që për një gjë të tillë duhet pasur ide, duhet hulumtim i zellshëm e i palodhshëm, si edhe shumë kohë. E, Sinani ka pasur përkushtim, e ka kapur idenë, ka gjetur kohë, i ka hyrë punës dhe i ka dalë në krye. Nuk them që i ka vendosur pikë, sepse tekefundit shkenca është e pakufishme, por guxoj të them se e ka zhvilluar atë. Gjë tjetër që e bën edhe më shkencor librin e fundit të Sinanit është ikja nga cilësimet e autorëve të ndryshëm, që i ka shfrytëzuar si pika referente për ta nxjerrë rezultatin. Ai nuk merr qëndrim, por bën matje shkencore rreth përshkallëzimit të veprës letrare. Për të vazhduar “Krejt në fund dhe me plot gojën guxoj të konstatoj se libri empirik i Sinan Sadikut, “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, i tejkalon shumë punime shkencore, të bëra për mbrojtje të disertacioneve të magjistraturës apo edhe të doktoratës.

Pjesë nga libri lexoi Erëza Matoshi, nxënëse e Gjimnazit “Ismail Qemali”, ndërsa moderator ishte krijuesi Muharrem Hoda.

Ndërsa për fund autori i përshëndeti të pranishmit, i përgëzoi për pjesëmarrjen e tyre dhe gjithsesi nuk la pa i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në realizmin dhe finalizimin e këtij libri që të dal sa më i kompletuar dhe falënderime adresoj e edhe panelin të cilët i dhanë kuptim këtij përurimi me kumtesat dhe fjalën e tyre të çmuar./rajonipress/