Dëshmia e Vlora Shabanit tronditi botën, por jo edhe drejtësinë kosovare
Gjilan – Edhe rrëfimi i Vlora Shabanit është mjaft trishtues dhe tregon barbarinë serbe më 13 prill 1999. Vlora në këtë masakër ka humbur babain, nënën, vëllain dhe babagjyshin. Ajo nga traumat që ka pësuar në këtë masakër është dashur të shërohet gjashtë muaj në SHBA. Vlora në këtë masakër është plagosur dhe ka parë me sytë e saj se si digjeshin për së gjalli prindërit e saj dhe vëllai, raporton rajonipress.
Vlora në dëshminë e saj ka saktësuar se ishin dy paramilitarë që me dhunë dhe rrëmbyeshëm kanë hyrë në shtëpinë e tyre në Llashticë. “Këta paramilitarë e detyruan babin tim Selami Shabanin që t`i ngritë duart lartë. Pas pak na kanë tubuar të gjithëve së bashku në një dhomë ku kanë nisur t`i ndajnë meshkujt në një anë – dhomë, dhe gratë e fëmijët në një dhomë tjetër” ka rrëfyer Vlora.
Fatkeqësisht asnjë dëshmitarë i Llashticës nuk është ftuar të dëshmojë në Hagë përkundër premtimit nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Drejtësia kosovare nuk u murrë asnjëherë me krimet e Llashticës.
Ndonëse gjithçka rreth masakrës në Llashticë ishte e përpiluar duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve, skicat nga vendi i ngjarjes, fotografimet e vendit të krimit dhe video regjistrimet, megjithatë hetime zyrtare nga asnjë organ hetues nuk është zhvilluar.
Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive,ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.
Në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.
Për djegiet e shtëpive, plaçkitjet e banorëve kanë dëshmuar dëshmitarët Brahim Rashiti, Azem Hyseni, Mehmet Rashiti, Musa Banushi, Ilaz Ramushi, etj. /rajonipress/


