Fundamenti

Më në fund triumfoj drejtësia

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Rexhep Abazi – Urojmë djemtë shqiptarë të Preshevës për qëndrimin dinjitoz dhe për kthimin heroik pa u thyer nga torturat e kriminelëve të Serbisë duke i mbajtur e maltretuar mbi pesë vjet në burgjet famëkeqe të shtetit policor në Ballkan – Serbisë.

Nuk është hera e parë që Serbia luan me ndjenjat, dinjitetin dhe jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Njëra nga ato lojëra ishte edhe arrestimi dhe dënimi me mbi 116 burg të 17 djemve shqiptarë të Preshevës, për të tentuar ti paraqes ata si kriminel të luftës. Sa vuajtje e maltretime përjetuan ata djem në kazamatet e Serbisë, e dinë vetëm ata dhe shpirti i tyre i pastër por i maltretuar skajshmërisht. Sa ishin vuajtjet shpirtërore të nënave dhe baballarëve të tyre, motrave dhe të vëllezërve të tyre për mbi pesë vite pa gjetur asnjëherë qetësim e duke e ditur se, bijtë dhe vëllezërit e tyre janë të pafajshëm dhe të pastër si loti, këtë e dinë vetëm ata dhe nuk mund të matet me asgjë.

Deri sa “Gjykatat” e famshme serbe, “prokurorët” edhe më të famshëm shpifnin akuza e aktakuza të rrejshme, shpirti dhe trupi i djemve të pafajshëm shqiptarë vuante e venitej në kazamatet e Serbisë.

Aq të zëshëm ishin “gazetarët” e medijave serbe duke u shtyrë se cili prej tyre po lajmëron më parë dhe më mbrapshtë për ata djem trima të cilët kurrë dhe në asnjë vend dhe ndaj askujt nuk bënë krime as vepra të këqija.

Nuk pushuan spektaklet as në mediet e shkruara as në ato elektronike, si mjetet më të forta për të përhapur të pavërteta, gënjeshtra dhe urrejtje jo vetëm ndaj të burgosurve dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj tërë popullatës shqiptare e cila me vuajtje dhe padrejtësira të mëdha të cilat i bëhen në çdo hap të jetës, jeton në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Dhe më në fund po këto gjykata të Serbisë, u detyruan të marrin vendimin të cilin ka qenë dashtë ta merrnin që në ditët e para, duke i liruar ata si të pafajshëm.
E tani, çka më tutje?

Burgjet e Serbisë nuk mund të rrinë të zbrazëta. Menjëherë aty duhet vendosur të gjithë prokurorët, të gjithë gjykatësit, të gjithë policët dhe urdhërdhënësit e tyre, të cilët morën pjesë në arrestimin, në burgosjen dhe gjykimin e këtyre djemve të pafajshëm.

Hidromorava

Ndërsa duhet lavdëruar e përshëndetur at Gjykatë të Serbisë e cila më në fund gjykoi drejt duke i liruar të pafajshmit shqiptar për tu kthyer në shtëpitë e tyre.

Patjetër që tani duhet ngritur aktpadi kundër të gjithë atyre që ngritën procese gjyqësore e ndëshkuese pa baza ligjore, e plotësisht të panevojshme, si edhe kompensimin e dëmeve materiale dhe morale të shkaktuar me punën e tyre joprofesionale, joinstitucionale dhe joshtetërore. Sepse si është e mundur që ata të luajnë me institucionet shtetërore të drejtësisë duke marrë vendime të cilat përnjëherë bien si të pabaza.

Të kemi parasysh vetëm se sa kanë kushtuar këto procese për shtetin por edhe për të akuzuarit duke angazhuar mbrojtje e kundër mbrojtje në këtë proces. Ky është një skandal ndoshta i shekullit i cili duhet të shërbej si shembull se si nuk guxon të punohet gabimisht.

Unë uroj djemtë e Preshevës që u bënë ballë stoikisht dhe në mënyrën më dinjitoze të gjitha veprimeve më të rënda dhe dhunës fizike e psikike të ushtruar ndaj tyre nga organet e shtetit, i cili në të kundërtën, duhej ti mbronte ata nga padrejtësia. Uroj familjet e tyre që i bënë ballë tërë torturës shpirtërore që e përjetuan gjatë kësaj kohe, duke u dridhur e stepur për çdo ditë e natë për fatin e djemve të tyre. Uroj që të gjithë u kthyen në shtëpi më në fund si fitimtar.

Uroj që ky veprim i qëllimshëm i Serbisë për t`i frikuar shqiptarët dhe për t`i maltretuar e shantazhuar pa kurrfarë arsyeje, të jetë i fundit.

Uroj djemtë trima shqiptarë të Preshevës që të kenë shëndet të mirë dhe këtu e këndej të kalojnë një jetë të qetë dhe shumë të ndershme njerëzore me familjet dhe më të afërmit e tyre.

Dhe për fund kujtoj se është ky lajmi më i mirë i cili ka mundur të jetë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në këtë fundvit i cili është i ngarkuar me shumë vështirësi dhe probleme ekonomike, politike e të tjera.