Eko Higjiena

Plani im për komunën

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Avni Zogiani – Ju shtimë turshitë, ju lajmë tepihët, e ju përkundim fëmijët….

Një plan gjithëpërfshirës dhe të integruar për turshitë në mënyrë që t’iu dalim në ndihmë qytetarëve në këto periudha shumë stresuese.

Këtu do të përfshihet edhe asistenca jonë direkte në përgatitjen e turshive në mënyrë që familjet kosovare të shkarkohen nga ky aktivitet që iu konsumon shumë kohë, e për të vazhduar normalisht përcjelljen e serialeve pa fund në televizionet tona. Qytetarët tani do të munden, për shembull, që serialet t’i përcjellin edhe në ri-transmetim, në mënyrë që ta lexojnë të nesërmen edhe radhën e dytë të përkthimit me titra, të cilin nuk kanë arritur ta lexojnë në transmetimin e parë.

Pjesa tjetër e planit tonë ka të bëjë po ashtu me një periudhë shumë stresuese dhe fizikisht të lodhshme për familjet kosovare, larjen e tepihëve në pranverë. Ne ju sigurojmë që do të sjellim sasi të mjaftueshme të detergjentit “Bilijana”, të cilin familjet kosovare e preferojnë. Ne do të shpërndajmë aktivistët tanë gjatë kësaj periudhe që t’ju ndihmojnë në zhvendosjen e tepihëve dhe larjen e tyre si dhe shtrimin e tyre të sërishëm në hapësirat e shtëpisë suaj.

Një aktivitet tjetër që thjesht nuk kanë pse e bëjnë më familjet kosovare është përkundja e fëmijëve, aktivitet që shpesh bëhet fajtori kryesor për humbjen e, ndonjëherë një episodi, e ndonjëherë pesë të tëra të episodeve të serialeve, duke lënë një zbrazëtirë serioze në përcjelljen e ngjarjeve tepër dinamike në serialet e nduarnduarshme.

Pjesë tjetër e programit tonë për qytetarin e komunës do të jetë edhe dëgjimi i lajmeve për ta. Qytetarët s’kanë pse të humbin kohë me takimet e Brukselit, vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, apo edhe punës tërësisht josimetrike të EULEX-it në veriun e vendit dhe në pjesët tjera të tij.

ARKATANA

Ata nuk kanë pse e mundojnë veten më nëse do të shtrihet sovraniteti i vendit në tërë territorin, apo nëse lufta kundërkorrupsion po ka sukses. Ne si grupim politik, përkatësisht unë, do të përcjellë lajmet për juve.

Ju nuk keni as pse të dini çfarë pati në lajme, sepse amplitudat emocionale në seriale si dhe stresi që japin kampionatet futbollistike, po ju shkaktojnë shqetësime të mjaftueshme. Të jeni të sigurt që një ditë të gjitha lajmet do t’ju komunikoj personalisht, ose do t’i kuptoni nga ndryshimi fizik që do t’ju ndodhë përreth.

Tutje, programi ynë parasheh që për Shën Gjergj dhe për “1 Maj”, të organizojë një dyndje masive tuajën në parkun “Gërmia”, ku ju do të gjeni qebapë e tallava sa t’ju dojë qejfi.

Duke qenë se ju jeni lodhur shumë nga dramaciteti dhe tundjet emocionale që ju shkaktojnë serialet e televizioneve tona, ditën e Shën Gjergjit dhe të “1 Majit”, ne do t’ju mundësojmë shkarkimin e krejt mërzive të shkaktuara nga dashuritë e dështuara të filmave në lugun e Gërmisë.

Kështu, kur të ktheheni nga festimi i Shën Gjergjit, ju do të jeni sërish fringo të rinj dhe të gatshëm për tu përballuar sërish me drithërimat që ju ofrojnë televizionet tona nacionale, të cilat me kësmet, pranverën do ta fillojnë me prurje të reja serialistike.

Pra, esenca e programit tonë konsiston në ofrimin e kënaqësisë për juve gjatë tërë vitit, duke qenë se, siç po na bind për ditë e më shumë edhe presidentja e vendit, Kosovaë është një shtetë i pavarurë, sovranë, me sukseseë, të gjithmbarshmeë, Adriatik, meë njëë tëë ardhmeë euroë-atlantikeë, në bashkëpunimë meë miqtë tanë, Adriatik, tolrancë zeroë kundërë korrupsionitë, krimitë të organizuarë, dhe dukuriveë negativeë. Absolutikishtë, ekskulizivishtë, Adriatik.