UBT

Kosova përballë listës unike serbe

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Përparim Sadiku – Triumfi i Listës Unike Serbe mbron ndikimin politik të Serbisë në Kosovë, por nuk e rrezikon sovranitetin!…

Kosova ende mbetet pa sovranitet shtetëror dhe fuqi politike për të vendosur vet në shtetin e saj përderisa përfaqësues institucional të shtetit Serb lëvizin nëpër Kosovë sa herë që donë, madje edhe pa “lejen” e institucioneve të shtetit të Kosovës.

Ardhja e Daçiçit në Kosovë edhe mund të ketë simboliken e vet politike, posaçërisht për daljen e serbeve në zgjedhjet e 3 Nëntorit, por karshi serbëve ekstrem nacionalist shihet si triumf i ideologjisë së “vjetër”.

Çështja e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e 3 Nëntorit është temë e tejkaluar, megjithëse ka ende serbë që thërrasin për mosdalje në këto zgjedhje. Temë me interes mbetet se kush duhet e do ti fitoj zgjedhjet, Lista Unike Serbe e propozuar nga Serbia, apo partitë politike serbe në Kosovë, që tashmë këto të fundit ka kohë që i kanë pranuar institucionet e Republikës së Kosovës!…

Gara mes partive politike serbe pjesëmarrëse në zgjedhjet e 3 Nëntorit është shndërruar në “luftë” brenda subjekteve serbe se kush duhet të mbaj primatin udhëheqës mbi serbët e Kosovës, pra serbët që kanë pranuar institucionet kosovare apo lista serbe e propozuar nga Serbia. Kjo garë shpeshherë po rezulton edhe në konflikt verbal e fizik e deri në sulme me bomba.

Uji Dea

Garën në komunat veriore të Kosovës padyshim se do ta fitoj Lista Unike Serbe, por të rrezikuar mund të jenë edhe disa komuna në anë tjera të Kosovës, përderisa Daçiçi fton serbët të votojnë për listën e tyre. S’fundi postat paralele serbe në Kosovë kanë shpërndarë të holla si shpërblim për serbët për ta votuar Listën e Serbisë. Triumfi i Listës Unike Serbe mbron ndikimin politik të Serbisë në Kosovë, por nuk e rrezikon sovranitetin!…

Partitë serbe të Kosovës që i njohin institucionet e shtetit të Kosovës fitoren e tyre e mbështesin tek përkrahja e shqiptareve, prandaj shqiptarët duhet të jenë syçel dhe duhet të veprojnë mençur, që prej dy të “këqijave” të zgjedhin të “keqën më të mirë”!. Pra, votuesit shqiptar në komunat serbe në Kosovë, duke ditur që vet nuk mund ta fitojnë garën e të parit të komunës, duhet ti lënë interesat partiake anash e ti ndihmojnë kandidatët serb për kryetar në komunat serbe që tashmë i kanë pranuar institucionet e shtetit të Kosovës, ngase në veçantinë e vet një ndihmesë e tillë ka përmasa të interesit kombëtar.

Agresioni juridik i Serbisë mbi Kosovën përfundon me 3 Nëntor, por jo edhe politika e vjetër serbe mbi Kosovën. Ende ka serb, po besa edhe shqiptar që mendojnë dhe besojnë se me zgjedhjet e 3 Nëntorit legjitimohen strukturat paralele serbe në Kosovë. Kjo edhe është fakt, por një gjë duhet ditur se legjitimimi i tyre bëhet si qytetar të Shtetit të Pavarur dhe Sovran të Republikës së Kosovës. Megjithatë çdo serb duhet ta dijë, por edhe Serbia e dinë, se serbet në Kosovë kanë qenë dhe mbeten minoritet brenda Kosovës unike!…
Përbrenda kësaj zgjidhje të mundshme, por jo ma e mira, ka diskriminim patjetër. Diskriminimi qëndron në raport me minoritetet tjera në aspektin e kompetencave dhe inkuadrimeve institucionale, kur kemi parasysh se serbet kanë bashkësinë e komunave serbe paralele me atë shqiptare, e që kompetencat e kësaj bashkësie, pra bashkësisë së komunave serbe nuk janë edhe të sqaruar sa duhet…

Këto të drejta të serbëve të Kosovës janë diskriminuese edhe në raport me jetesën e shqiptarëve në shtetet fqinje përreth nesh, realisht nuk ka reciprocitet të drejtash jetësore sikurse të serbeve në Kosovë, përkundrazi ende ushtrohet diskriminim nacional e fetar ndaj shqiptarëve në Serbi, Maqedoni, Malin e Zi e Greqi.

Një fakt mbetet i qëndrueshëm, ngase sa më shumë që shoqëritë e Ballkanit shkojnë drejtë botës së civilizuar (drejtë integrimit), reflektimi i ekstremeve nacionale në shoqëritë bie, një ditë nuk do të jetë lajmë i ditës vendi se ku jeton, por vendi se si jeton. Realisht një Ballkan i zhvilluar ekonomikisht do të reflektonte pozitivisht në relaksimin e raporteve ndërnacionale e ndërshtetërore.