Uji Dea

Labinotë Demi – Murtezi, veçantia e zgjedhjeve të nëntorit!

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Fitore Haziri – Fushata zgjedhore e zgjedhjeve të nëntorit, nga analistët e shoqërisë civile por edhe nga vetë qytetarët, po cilësohet si e dobët, me politika e njerëz të tejkaluar. Kandidatët për kryetarë komunash, shumicën e rasteve kapen në gabimet e njëri-tjetrit, debatet televizive më shumë shndërrohen në show gafesh e nënçmimesh ndaj njëri-tjetrit, me një fjalor politik përsëritës të vetvetes.

Bie në sy moskonkretizimi i ofertës zgjedhore, dredhja e përdredhja e premtimeve, herë ku lindë dielli, e herë ku perëndon. Na hedhin hi syve duke fshehur shifrat milionëshe, qoftë në borxhet që komuna ka, qoftë në mosinkasimin e tatimeve të qytetarëve që i kanë obligim ndaj komunës, e qoftë në shumë të palara që kanë bërë pushtetarët komunal në mandatin e fundit.

Kosova po rrugëton drejt zgjedhjeve të gjashta komunale, ndërsa qytetarët e saj përballen me mungesën e elementeve ekzistenciale për ta, duke përfshirë ujin, kanalizimin dhe infrastrukturën. Klasa politike e kandidatëve për kryetarë e asambleistë, përfshinë një duzinë intelektualësh, që shumë prej tyre kanë dezertuar nga një parti tek tjetra, bile nëse kanë qenë asambleistë në mandatet e kaluara, ka prej tyre që me parti të ndryshme kanë mandatuar në kuvendet komunale përkatëse. Thënë më saktë, në qytetin e Gjilanit konkretisht, janë mbi 400 kandidatë për asambleistë, që konkretisht i bie se gati s’ka mahallë pa kandidat për asamble komunale!

Duke hedhur dritë mbi gjendjen e krijuar, qoftë nga këndi objektiv, e edhe nga ai subjektiv, mund ta cilësojmë të varfër dhe monotone fushatën elektorale të këtyre zgjedhjeve. Konsideroj se veçantia e vetme e zgjedhjeve komunale të nëntorit, për qytetin e Gjilanit, padyshim është kandidatja e vetme femër, nga rradhët e Partisë së Drejtësisë.

Demi-Murtezi ka pasur paraqitje të kënaqshme karshi kandidatëve të tjerë në prezantimin e platformës zgjedhore dhe prezantimin e saj si personalitet intelektual e politik. Është për t’u theksuar, se thirrja e saj në dinjitet, transparencë dhe llogaridhënie, është thirrje e përhershme e Partisë së Drejtësisë, e që thirrjet e njëjta kanë zënë vend në fjalorin politik të kandidatëve nga partitë e mëdha, të cilat rrallë i dëgjon duke premtuar shifra marramendëse qoftë të investimeve ose numrit të qytetarëve që do të punësohen me marrjen e pushtetit.

Përveç kësaj, Demi-Murtezi ka ngjallur kërshëri të hatashme, për vet faktin që ajo bartë shami, një normë fetare e fesë Islame. Këtë këndvështrim do ta ndaja në dy dimensione:

Kandidatura e Labinotë Demi-Murtezit, ka nxjerrur në pah faktin se vlerat, virtytet, profesionalizmi, maturia dhe reflektimi pozitiv i një personaliteti nuk kanë dimension gjinor. Duke pasur parasysh faktin se në Kosovë frymon një dozë e lartë paragjykimi karshi prezencës së femrave në politikë, e sidomos kandidaturës së saj në pozita ekzekutive, Demi-Murtezi me paraqitjet e saj në debatet e organizuara nga televizionet tona kombëtare, ka shpërfaqur një maturi dhe urti për t’u vlerësuar lartë. Prezantimi dhe replikat e saj janë karakterizuar me një nivel të lartë të përgatitjes intelektuale e politike, duke bërë që të bie heshtja në mesin e kundërkandidatëve, në momentin që ajo merrte fjalën.

Uji Dea

Prezenca e saj në politikë, e panjohur për mediat dhe popullatën në përgjithësi, ka bërë që vëmendja të tërhiqet drejt saj, duke pasur parasysh faktin se në Kosovë, ajo është në mesin e kandidateve të pakta të gjinisë femërore. Thënë më saktë, partitë e mëdha, PDK e LDK, nuk kanë asnjë kandidate femër në asnjë komunë. Prezenca e saj në zgjedhjet komunale, si sfidante e paragjykimeve të këtij lloji, i ka dhënë shije të veçantë dhe unike fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në përgjithësi. Rrugëtimi i saj sado i freskët në politikë, është i hovshëm dhe i sigurt. Ndoshta mund të thuhet se është herët të thuhet një gjë e këtillë, mirëpo dita e mirë shihet në mëngjes.

Përveç dimensionit të të qenurit femër, Demi-Murtezi është zonjë në politikë, që bartë shami, obligim në fenë Islame. Prezenca e saj si personalitet i këtillë, ka treguar, se laiciteti nuk është dimension që paraqet pengesë në shpërfaqjen e praktikës së kësaj norme fetare. Përkundrazi, në demokraci, qytetari ka të drejtë besimi dhe praktike të besimit të tij.

Kandidatura e Labinotë Demi-Murtezit, është sfidë e realtë e situatës së krijuar për qytetarët e besimit Islam, nga pushtetarët, në kurriz të këtij laiciteti, që nuk paraqet pengesë pikërisht sa i përket bartjes së mbulesës. Kandidatura e znj.Labinotë, është jehonë e demokracisë së këtij vendi, e cila është anarkizuar nga pushtetarët e momentit.

Ajo po sfidon këtë situatë, duke i dhënë shuplakë pas veshi dhe duke kthjellur popullatën e këtij vendi, se qytetarët e tij kanë zë që nuk po e shfrytëzojnë ose nuk duan ta shfrytëzojnë. Diskursi i saj i të shprehurit, promovon qetësi, personalitet të balancuar psikikisht e politikisht, duke reflektuar pozitivizëm e optimizëm të qenësishëm. Është tregues i duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur, se në demokraci nuk ka nënshtrim e as sahanlëpirje, por ka zë e reagim qytetar, ndaj shfrytëzimit të së drejtës, të garantuar me kushtetutë.

Pavarësisht kësaj, është shqetësuese pjesëmarrja e mangët dhe mosshfrytëzimi i të drejtës së votës nga qytetarët e këtij vendi. Nga shifrat e kaluara diku pak mbi 40% ka pjesëmarrje, ndërsa pushtetarët janë 35%-shi i këtij 40%-shi, që i bie se me votat e gati 1/8 pjesë të votuesve të këtij vendi, udhëhiqet ky shtet! Kjo me të vërtetë është shumë shqetësuese. Mund ta artikulojmë si të duam, por kjo situatë është bojkot, konformizëm, lodhje nga premtimet, heshtje, neutralitet dhe pajtueshmëri me gjendjen e krijuar.

Nuk i ka hije një vendi me traditë e me histori të jashtëzakonshme, t’i neglizhojë sinjalet që shqisat e tij ia referojnë çdo ditë jete nga kjo udhëheqje institucionale e pushtetarëve tanë. Qytetari i këtij vendi duhet ta kuptojë, se vota e tij është garantuesi i të drejtës për të shfrytëzuar të mirat e kësaj demokracie, garantues i ankesës së tij me të gjitha format demokratike karshi çdo padrejtësie që ushtrohet mbi të nga pushtetarët, si dhe garantues i një jete demokratike të dinjitetshme.

Nuk është thënë kot që politikanët e këqinj, “zgjedhen” nga ata që nuk votojnë! Nëse nxënëseve me shami po iu merret e drejta për shkollim, si rezultat i bartjes së shamisë mbi kokë, qytetari i këtij vendi le t’mos ia merr të drejtën vetes për të zgjedhur atë që po i ofrohet në këto zgjedhje. Duke shfaqur neutralitet dhe pajtueshmëri karshi gjendjes së krijuar, gjërat nuk po shkojnë drejt së mbarës. Shfrytëzimi i të drejtës së votës definitivisht është zëri dhe veprimi adekuat drejt ndërrimit dhe ndryshimit të vërtetë të gjendjes së krijuar.