Pacolli takon përfaqësuesit e bizneseve në Kamenicë
Kamenicë – Në kuadër të vizitave të rregullta nëpër komuna si dhe në degët e partisë, Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar sot disa takime në Komunën e Kamenicës
Gjatë qëndrimit në Kamenicë, Pacolli fillimisht e vizitoi punëtorinë e inxhinierit të elektro-energjetikës Gëzim Morina, nxënës i shkollës së mesme, i cili ka dëshmuar aftësi inovative në këtë fushë duke krijuar kështu makineri robotike nga më të ndryshmet.
Presidenti Pacolli u njoftua nga afër me punën e tij dhe e përgëzoi Morinën për suksesin e arritur, njëherit duke shprehur keqardhje për mungesën e përkrahjes nga institucionet për gjeneratat e reja të talentëve.
Kemi probleme të mëdha në fushën e arsimit, fëmijët kosovarë vazhdojnë të mësojnë në kushte jo të mira dhe të papërshtatshme për punën e tyre”, ka thënë Presidenti i AKR-së.
“Ne duhet ta bëjmë identifikimin e elementeve krijues, dhe t’i mbështesim ato në promovimin e ideve të reja. Përkrahja nga rrethi social është esencial, mirëpo përkrahja institucionale është ajo e cila do jetë një shtysë drejt realizimit të projekteve të mëdha”, ka shtuar Pacolli.
Presidenti i AKR së më pas është takuar edhe me pronarët e bizneseve në Kamenicë, me të cilët ka biseduar rreth potencialeve zhvillimore te Kamenicës. Pacolli i ka falënderuar përfaqësuesit e bizneseve për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të komunës.
Ai ka thënë se rritja e prodhimtarisë dhe e cilësisë së shërbimeve, është ndër prioritetet e AKR-së. “Plan-programi ynë është 100% i implementueshëm në ekonominë kosovare. Ne do ta realizojmë kauzën tonë për ta ndryshuar perspektiven e qytetarëve të Kosovës”.
Pacolli ka theksuar më tej se mungesa e përkrahjes institucionale për zhvillimin e bizneseve, e ka bërë Kosovën të varur nga importi. Duke treguar për potencialin e Kosovës për zhvillim të shpejtë, lideri i AKR-së ju ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të sjellin iniciativa ligjore të cilat ndihmojnë në këtë drejtim.
Në fund të këtij takimi, përfaqësuesit e bizneseve i shtruan edhe pyetjet e tyre për Presidentin Pacolli, duke vazhduar kështu bisedën për potencialet zhvillimore të bizneseve në Kamenicë./rajonipress/


