Jakup Krasniqi është dilinxhi
Nga Berat Buzhala – Z. Jakup Boletini, a japim dorëheqje në të dy: unë si deputet që sipas teje jam bërë deputet me vota të vjedhura dhe ti si Kryetar i Kuvendit që po qëndron aty me vota të deputetëve të votave të vjedhura…
“Unë jam mirë, kur Kosova është mirë”, Jakup Krasniqi, fiks 100 vjet prej kur diçka ngjashëm kishte deklaruar Isa Boletini.
Pas kangës se dr. Palit për dr. Palin, kjo deklaratë e Jakup Krasniqi, sipas Top Listës sime, fuqishëm e rrezikon vendin e parë për mungesë totale të modestisë. Krejt çka po pres këto ditë është ndonjë deklaratë e llojit “lirinë nuk ua solla unë…” dhe besoj që rrumbullakohet cikli e një çmendjeje kolektive drejt të cilës – sipas ishareteve – është turrur klasa politike.
Athu’, a ka mëndu për Isa Boletinin, Jakupi, kur i ka rehatu më të madh e më të vogël të familjes se të tij ngushte nëpër vende të punës; athu’ a kishte mendu për Isën, Jakup Krasniqi, kur i jepte kontrollat teknike, sa kohë ka qenë Ministër i Shërbimeve Publike; athu’ a ka mendu nojeherë në jete për sakrificat e Isës, Jakupi, a veç mbrëmë kur ka folur i ulur në karrige në një studio, po ma merr mendja të ngrohtë.
Jakup Krasniqi – sipas mendimit tim – është thjeshte një “dilenxhi” i llojit të vet, që për sa ka pas mundësi e takat nuk ka lënë pozitë pa e keqpërdorur.
Mos të harrojmë: ai rrugën e tij të revolucionit dhe rebelimit e ka filluar kur iu shuan ambiciet për të qene Kryetar i Kosovës. Mos harroni, asgjë parimore në këtë drejtim nuk ka. E unë besoj që asnjëherë asgjë parimore tek Jakupi nuk ka pas. Madje, nuk ka qenë parimorë as ajo deklarata e tij e bërë në uniformën e UÇK’së kur i kishte zënë hyxhym bashkimit të të gjitha trojeve etnike, deri në Çamëri.
Publiku duhet ta dije – nëse dëshiron – që Mesiah politik aktualisht nuk gjendet në mesin tonë. E definitivisht ai nuk është transformuar në trupin e Jakupit. Ky i fundit po sillet si një fëmijë i hidhëruar pasi i kanë marre lodrën prej duarve dhe i kanë thënë se është koha për të ngrenë buke.
Jakupi, thjeshtë, është i mërzitur pse edhe me tutje nuk është në instancat më të larta të vendimmarrjes, atje ku keqpërdoret rrastë buxheti, e jo pse ndoshta dikush po e keqpërdorë buxhetin.
Mbrëmë paska pas folur për “votat e vjedhura” dhe paska pas lënë të kuptohet se në një mënyrë të tillë edhe unë qenkam futur në Kuvend. Unë nuk e di nëse dikush ka mundur të vjedh vota në emrin tim dhe pa lejen time. Nuk e besoj që një gjë e tillë të këtë ndodhur.
E di të kundërtën, që mu me janë vjedhur vota. E, sidomos, që ndaj meje dhe ndaj familjes është bërë një propagandë e ndytë.
Sido që të jetë, Jakup Boletinin e ftojë që të japim dorëheqje të dytë: unë si deputet, që ai e konsideron se jam futur në Kuvend me vota të vjedhura dhe ai që është zgjedhur Kryetar i Kuvendit prej deputeteve me vota të vjedhura…


