Fundamenti

Këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhje lokale, dhe nuk duhet të jenë!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ardian Gjini – Duke i shikuar debatet televizive dhe duke e ditur kontekstin dhe kornizën ligjore të Kosovës, shpesh po ndjej keqardhje për kandidatët për kryetarë të komunave. Katër-pesë ose gjashtë prej tyre, provojnë që në një hapësirë kohore prej një ore të shpalosin diçka. Përfundojnë duke mos thënë asgjë, vetëm duke u kacafytur dhe duke u akuzuar ndërsjellë, të shumtën e rasteve për gjëra për të cilat të gjithë e dinë se janë të parealizueshme. Vendet e punës janë rasti më i shpeshtë.

Kryetarët e komunave duhet të kenë rol në krijimin e vendeve të reja të punës. Ata duhet të krijojnë hapësira të nevojshme për të bërë biznes. Duhet të krijojnë ndonjë lehtësi tatimore, për aq sa kanë mundësi sepse shumicën e taksave dhe ngarkesave tjera fiskale i ka në dorë Qeveria e Kosovës.

Kryetarët e komunave duhet ta promovojnë çdo aset të komunës së vet. Një komunë e cila i ka disa qindra minibiznese të një zeje të caktuar duhet ta promovojë shkathtësinë e njerëzve të komunës së vet për një ose më shumë biznese të caktuara. Ato mund të jenë shkathtësi filigrani, rrobaqepësie, zdrukthëtarie, të përpunimit të metaleve apo çfarëdo zeje tjetër. Ashtu mund të tregojnë se një investitor eventual të paktën nuk do të ketë nevojë që t’i aftësojë prej fillimit punëtorët.

Supozoni për një moment, se një kryetar komune bën gjithçka që është në kompetencën e tij, në mënyrë të duhur. A mendon dikush se në atë rast, investitorët nga e gjithë bota do të vrapojnë për të investuar në atë komunë? Përgjigjja ime e kësaj pyetjeje, me besim të plotë, është JO!

Uji Dea

Asnjë investitor nga jashtë nuk i sheh komunat e Kosovës veç e veç. Vendi ynë është i vogël. E kur e shohin Kosovën, ikin vrap. Kosova perceptohet, si brenda ashtu edhe jashtë, si një ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Sistemi gjyqësor dhe sundimi i ligjit është maskarallëk, thënë but. Nuk ka furnizim të qëndrueshëm me energji dhe ujë, si dy elemente tejet të rëndësishme për çfarëdo biznesi. Për shkak të rrënimit njëzetvjeçar të ekonomisë edhe ashtu të lodhur, Kosova nuk “vuan” nga numri i madh i punëtorëve të kualifikuar. Universitetet janë humbje kohe dhe e të hollave, nëse për një moment e abstrahojmë diplomën dhe flasim sinqerisht për aftësim të vërtetë profesional, në çfarëdo lëmie. Në këto rrethana, as investitorët më dashamirës nuk do të vijnë. Do të ndodhë ndonjë investim me 10 makina qepëse të rrobave apo në një fermë pulash, por jo ndonjë investim serioz.

Kryetarët e komunave mund të realizojnë projekte të thjeshta, qofshin edhe të shtrenjta. Mund të bëjnë fontana, sheshe apo edhe ujësjellës e kanalizim. Por ata nuk mund të zhvillojnë politika afatgjata të qeverisjes komunale. Nuk mund të quhet sukses ndërtimi i një sheshi. Për t’u quajtur diçka sukses, duhet të ekzistojë edhe rreziku i dështimit. Duhet të ekzistojnë caqet e matshme për të quajtur diçka sukses ose dështim. Nëse zhvillohet një projekt apo një politikë për të krijuar vende pune, duhet të shihet se a krijohen vendet e pritura të punës dhe vetëm atëherë të vlerësohet se a ka qenë i suksesshëm projekti apo jo. Shihni parkun industrial në Drenas dhe numrin e vendeve të punës që i ka gjeneruar për 6 vjet. Edhe komunat tjera mund të zhvillojnë projekte të tilla ( ky ka qenë projekt i qeverisë në fakt) por vetëm ndërtimi i parkut nuk mund të quhet sukses. Aq sa mund të quhet sukses ndërtimi i një sheshi apo fontane. Fatkeqësisht komunat tona janë të dënuara të veprojnë pa strategji, pa plan dhe pa politika afatgjata sepse kushtet për sjellje të tillë i krijon qeveria e Kosovës.

Meqenëse qeveria as për së afërmi nuk i ka kryer detyrat e veta, për të mos thënë se i ka mbrapshtuar punët edhe më tepër, çka mund të premtojnë kandidatët e gjorë për kryetarë komunash? Qeveria e Kosovës e ka mbytur imazhin dhe potencialin e vendit dhe vetëm një qeveri tjetër mund ta nxjerrë nga kjo gjendje. Jo komunat. Kjo është arsyeja pse këto zgjedhje nuk janë vetëm komunale. Prandaj këto zgjedhje duhet ta nisin ndryshimin e qeverisjes së vendit. Votuesit në këto zgjedhje nuk votojnë vetëm për kryetarë komunash dhe asamble komunale.

(Autori është nënkryetar i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)