ARKATANA

Sot komuna, nesër Kosova!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Vjosa Osmani-Sadriu – Slogani i Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e nëntorit 2013 synon që të vendosë një standard të zgjedhjeve në tërë Kosovën. Një standard, në të cilin parandalohet abuzimi i votës së qytetarëve, ndërsa pacenueshmëria e votës është parimi kryesor, mbi të cilin ndërtohet i tërë procesi zgjedhor. Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të jenë testi i vendosjes së këtij standardi. Pastaj, ky standard do të shërbejë për zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen gjatë vitit 2014. Prandaj, me këto zgjedhje lokale nuk vendoset vetëm për komunat, por vendoset për tërë Kosovën.

Vota që shpreh vullnetin e lirë të qytetarëve është e vetmja forcë e ndryshimeve pozitive në vend. Qytetarët, masovisht duhet ta përcaktojnë fatin e komunave të tyre dhe të tërë Kosovës, duke shfrytëzuar të drejtën e votës, në mënyrë që të mos lejojnë që dikush tjetër ta keqpërdorë votën në emër të tyre.

Ky slogan nuk është shpikje e sotme. Në fakt, dëshmon traditën e veprimit të LDK-së ndër vite, dëshmon kulturën tonë politike, në bazë të së cilës arritja e objektivave synohet të bëhet hap pas hapi. Vendosja e demokracisë, e rendit dhe ligjit dhe zhvillimit ekonomik së pari në komuna, dhe pastaj në tërë Kosovën, është pikërisht filozofi e trasuar nga presidenti Rugova, e cila po praktikohet edhe sot nga LDK-ja në frymën e traditës së njëjtë.

Fuqia e sloganit të LDK-së u pengon disa partive politike, të cilat synojnë ta keqinterpretojnë atë. Të mjerë janë ata që fushatën e tyre e ndërtojnë thjesht duke reaguar ndaj të tjerëve, pa origjinalitet e pa objektiva. Ata tentojnë ta zhvendosin vëmendjen nga mungesa e programit dhe e projekteve konkrete të tyre dhe të thonë se kinse për LDK-në nuk është me rëndësi Prishtina, por vetëm udhëheqja e Qeverisë së Kosovës. Por, qytetarët e dinë se kjo nuk qëndron. Synimi i LDK-së që fillimisht t’i qeverisë komunat, e pastaj tërë Kosovën ka për qëllim ta kthejë pushtetin te qytetarët në të gjitha nivelet.

Mobi Casa

Ne do të vazhdojmë ta udhëheqim Komunën e Prishtinës për të dëshmuar se këto projekte që u realizuan dhe të tjerat që do të realizohen në të ardhmen, do të kenë ndikim në jetën e të gjithë qytetarëve. Në Prishtinë jetojnë gati një e treta e qytetarëve të Kosovës dhe ajo që ofron kryeqyteti shfrytëzohet edhe nga qytetarët e komunave të tjera. Fitorja e thellë që LDK-ja synon të arrijë me kryetarin Mustafa, dëshmon pikërisht se sa e rëndësishme është Prishtina për LDK-në, për qytetarët dhe për tërë Kosovën.

Por, për dallim nga partitë e tjera, për LDK-në rëndësi ka secila komunë, secili cep i Kosovës. Entuziazmi i qytetarëve dhe mbështetja e tyre e madhe anekënd Kosovës po dëshmon se LDK-ja po rikthehet fuqishëm në të gjitha komunat. Qeverisja e LDK-së do të kujdeset që së pari në komuna dhe pastaj në tërë Kosovën, të ketë mirëqenie qytetare, që vetë qytetarët të vendosin se si shpenzohen taksat e tyre, të krijohen vende të reja të punës nëpërmjet investimeve në fusha të ndryshme, të sundojë ligji, e jo klanet mafioze, dhe të mbizotërojë demokracia. Mbi të gjitha, kjo qeverisje, sivjet në komuna, e në mot në tërë Kosovën, do t’ua kthejë qytetarëve shpresën, dhe do t’ia kthejë Kosovës imazhin e nëpërkëmbur, dinjitetin për të cilin luftuan e sakrifikuan breza të tërë.
Ne i ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj beteje! Sot komuna, nesër Kosova!

(Autorja është deputete në Kuvendin Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)