Të jetosh në qendër
Nga Naser Sertolli – Interesant kjo puna e Zotit. Po ç’e shtyri ta lëshonte gjithë atë shi, gjithë natën e 29 shtatorit e gjithë ditën e nesërme? A nuk mund ta bënte këtë me më shumë avashllëk dhe gjatë gjithë verës së thatë? Ku e gjeti mu tash të na zbulojë “pahallakun”, tani pak ditë para se të nisë fushata e lume për zgjedhje? Si t’i bindim qytetarët se ne kemi punuar, punojmë e do të punojmë për një qytet të bukur, një kryeqytet ku çdo gjë është e ndërtuar me precizitetin më të madh, për një shtet ku ligji është fjala e parë dhe e fundit, e jo dhunuesi, krimi e mafia?
Këto mund të kenë qenë, ose do të duhej të ishin pyetjet munduese të të parit të Prishtinës, të shefit të qeverisë, e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. E përderisa nuk do të ketë zyrtarë që do të marrin përgjegjësinë për degradimin urban e mjedisor, për ndërtimet vend e pavend, me leje e kryesisht pa to, qytetarët duhet të mësojnë të bashkëjetojnë me rrezikun, me anarkinë, me shembjen sot të rrugës para këmbëve të tyre, e nesër me rrëshqitjen dhe përfundimin në humnerë të tërë ndërtesës ose edhe të tërë lagjes.
Në të vërtetë, shembja e dheut, dhe e rrugës të cilës me gjasë pritej që së shpejti t’i pritej shiriti inaugurues, në lagjen “Arbëria”, nuk është diçka me të cilën prishtinasit janë përballur për herë të parë, e tillë që do të shërbente si leksion për të marrë masa që të mos përsëritej. Kujtojeni shembjen e dheut afër çerdhes në lagjen “Dardania”, tjetrën në “Lagjen e Muhaxhirëve”, apo edhe atë në “Pejton”, kur pompa e karburanteve me gjithë cisterna u fundos në gropën e hapur për të ndërtuar objekt banimi.
E meqë ky incident kaloi, për fat, pa ndonjë pasojë në njerëz, koha ishte për batuta. I pari i kryeqytetit ishte edhe në thumb të kritikave pasi që të njëjtën ditë shumë pjesë e rrugë të qytetit si pasojë e kanalizimit fytngushtë u shndërruan në liqe e lumenj. Çka po doni më shumë prej kryetarit? E bëri Prishtinën me lumenj e liqene, ishte një prej komenteve në portalet informative.
Po ashtu, këto anomali ua çelën gojën edhe atyre që janë të prirë për sarkazëm. Nuk e di nëse është emri i ndonjë ndërtese, blloku ndërtesash apo i ndonjë kompanie ndërtimore atje në lagjen “Arbëria”, ku ndodhi ajo që ndodhi më 30 shtator, por fort është hedhur në lojë emri “Ekskluzive”. Vetëm kjo kompani ua ofron mundësinë ta ndërrojnë vendbanimin, pra që të jetojnë në qendër të qytetit, atyre qytetarëve që e shohin si nënçmim të jetuarit në periferi.
Sot jeton në shpat e nesër te stacioni i trenit, ishte një satirë për këtë por edhe për kompani, ndërtesa a blloqe ndërtesash që janë vendosur në këtë pjesë të qytetit, për të cilën thuhet se ekspertët e regjimeve të kaluara e kanë vërtetuar (dhe kjo është diçka që dihet botërisht) se është më e paqëndrueshmja në aspektin e gjeomekanikës.
Ndërsa, për punët e tij, Zoti nuk e pyet as Isa Mustafën, as Hashim Thaçin, as Dardan Gashin, as paraardhësit e tyre në të njëjtat pozita. Sikur që nuk i ka pyetur as nuk i pyet as tani ajo që po quhet mafia e ndërtimeve, në mos qofshin pjesë e saj. Për këta, përgjegjësia do të vazhdojë të jetë top pingpongu. Deri kur askush nuk e di. Por, shembja e rrugës, e mbase një ditë edhe e ndonjë objekti banimi, është një akuzë.


