Diplomacia kosovare, dështim me OSBE-në
Duke iu referuar skandalit më të ri të OSBE-së rreth raportimit për ecurinë e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, ku në dokumentet e OSBEsë Kosova regjistrohet si territor i shtetit të Serbisë, e që OSBE-ja e ka arsyetuar vetëm si “gabim teknik”, përfaqësuesit e partive të ndryshme politike në vend dhe analistët e shohin këtë skandal si pasojë direkte e dështimit në politikën jashtme.
Skandali kaloi pa lënë gjurmë në MPJ.
“OSBE-ja nuk është duke respektuar pozicionin e saj neutral karshi shtetit tonë…. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, si zakonisht, veç muhabeteve boshe, asnjëherë nuk e ka ftuar shefin e OSBE-së në Kosovë në përgjegjësi për këto “lëshime” të kësaj organizate”, theksoi analisti Albinot Maloku,raporton Gazeta Kosova Sot.
Duke iu referuar skandalit më të ri të OSBE-së rreth raportimit për ecurinë e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, ku në dokumentet e OSBEsë Kosova regjistrohet si territor i shtetit të Serbisë, e që OSBE-ja e ka arsyetuar vetëm si “gabim teknik”, përfaqësuesit e partive të ndryshme politike në vend dhe analistët e shohin këtë skandal si pasojë direkte e dështimit në politikën jashtme.
Sipas këtyre opinioneve, Kosova, respektivisht diplomacia kosovare dhe MPJ-ja, po dështon që edhe 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë të lobojë më fuqishëm dhe ta dëshmojë te organizata me ndikim ndërkombëtar, që Kosova është dhe funksionon si shtet i pavarur. Pikërisht skandali me raportet zgjedhore të OSBE-së në Serbi është edhe një dëshmi që flet për pasojat e dështimit të diplomacisë kosovare për ndikim tek e njëjta organizatë që operon edhe në shtetin e Kosovës, misioni i OSBE-së.
Deputeti Shukri Buja, nga subjekti i parë në koalicionin qeverisës, thotë se është shumë evidente që politika kosovare po dështon në shumë drejtime, sidomos spektri politik qeverisës, duke përfshirë shumë segmente të rëndësishme të funksionimit të shtetit, edhe atë në rrafshin diplomatik. “Se Kosova si shtet i pavarur ka mangësi në funksionimin e saj si e tillë, nuk është asgjë e re, porse është deri në shkallën e injorimit edhe nga institucione kredibile ndërkombëtare, sikur që është OSBE-ja. Kjo është jo vetëm skandaloze, por edhe e patolerueshme dhe tepër e dëmshme”, theksoi ai.
Pasojat e qeverisjes jokredibile Sipas Bujës, fakti se nuk jemi shtet serioz dhe funksional shihet edhe nga arrestimet, siç është rasti me Ramush Haradinajn me akuzë të një shteti tjetër për vepra të pretenduara nga një shtet tjetër dhe i arrestuar nga një shtet që e ka pranuar Kosovën shtet. ” Krejt kjo ndodh, sepse shteti po udhëhiqet nga një Qeveri jokredibile, e paaftë për t’i çuar proceset përpara, e paaftë për të ofruar qëndrime të qarta politike dhe vendimmarrëse si Qeveri e një shteti sovran! Kjo Qeveri po e fut në lajthitje edhe qytetarin dhe e ka bërë edhe Parlamentin e shtetit jofunksional”, tha deputeti Shukri Buja për “Kosova Sot”.
Mosfunksionimin e mirëfilltë të shtetit, me fokus të veçantë në politikën e jashtme, e sheh me pasoja serioze edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja. “Kosova është shpallur shtet pas shumë sakrificave të popullit të Kosovës. Sot kjo pavarësi dhe sovraniteti i saj jo rrallë po cenohen nga papërgjegjësia e institucioneve të vendit. Veprimet, apo lëshimet e fundit nga ana e OSBE-së janë njëri nga argumentet e shumta që qeverisja në vend ia ka humbur seriozitetin në kuptimin ndërkombëtar dhe prandaj ndodhin të tilla lëshime e mohime të shtetësisë”, u shpreh ai. “Lëshimet e tilla duhet t’u bëhen me dije të gjithëve që nuk duhet të përsëriten. Qeveria e Kosovës (Ministria e Punëve të Jashtme) duhet që t’ia bëjnë të qartë OSBE-së përmes një notë se kjo çka ka ndodhur në raport me Kosovën, por edhe me komunitetet brenda saj, janë të papranueshme”, thotë Lekaj për “Kosova Sot”.


