Del shqiptar “portugezi” që nuk di portugalisht
Shqiptari 19 vjeçar ka pranuar se pasaportën portugeze e kishte blerë për 5000 euro nga një rumun në Itali.
I riu 19 vjeçar ua ka treguar pasaportën portugeze policëve që kontrollonin. Por, kur njëri ndër policët kishte provuar t`i fliste atij në gjuhën “amtare” (portugalisht) ka zbuluar se shqiptari nuk dinte asnjë fjalë në atë gjuhë.
Me dyshimin se ai po simulonte, policët e kanë kontrolluar atë në mënyrë më të detajuar dhe kanë konstatuar se pasaporta e tij portugeze ishte falsifikim komplet. Për këtë arse ata e kanë arrestuar atë përkohësisht, me dyshimin për falsifikim të dokumenteve.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka pranuar se këtë pasaportë e kishte blerë para rreth tre muajsh për 5000 euro nga një rumun në Itali. Me të ai kishte udhëtuar nga Tirana në Prishtinë dhe pastaj kishte fluturuar të mërkurën nga Aeroporti i Prishtinës për në Munih, shkruan presseportal.de.
Gjatë gjithë këtij udhëtimi ai kishte paraqitur vetëm pasaportën e tij të vërtetë, shqiptare, dhe kishte thënë se po shkonte në Gjermani për të vizituar një mik. Këtë e kishte dëshmuar me dokumente të ndryshme dhe me biletën për kthim në Prishtinë, që e kishte të rezervuar për 5 tetor.
Pasi kishte kaluar një natë në hotel, ai kishte ndërmend që të enjten të udhëtonte nga Gjermania për në Dublin, Irlandë, duke e treguar pasaportën portugeze. Nga Irlanda planifikonte të kalonte në Angli, ku, sipas asaj që kishte dëgjuar, mund të gjendej më lehtë punë.
Pasi e ka denoncuar për falsifikim dokumentesh, udhëtim dhe qëndrim të palejuar, policia ia ka marrë atij 210 euro në emër të sigurimit të procedurës. Të shtunën (sot) 19 vjeçari duhet të fluturojë për në Prishtinë me biletën e nxjerrë më parë, dhe prej atje, në Shqipëri./albinfo/


