Eko Higjiena

Reaksionet ad hominem dhe google raportet

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Petrit Selimi – Me gjasë duhet përsëritur: MPJ tash e dy vjet ka punuar shumë dhe ka rezultate konkrete, të matshme të punës së saj me Këshillin e Europës. Kushdo që don të shkruan raport apo dokument që mbulon marrëdhënien e KE me Kosovë dhe 100% e injoron Ministrinë e Jashtme, nuk bën punë profesionale por mbush hapësirë dhe shpenzon resurse sa për sy e faqe, ose edhe më keq – sulmon Qeverine “pa bigari hak”.

Të dielen që shkoi, një OJQ botoi një raport për anëtarësinë e Kosovës në Këshillin e Europës, të titulluar “Kosovos Path to the Council of Europe: Identifying procedures, obstacles and solutions for membership”.

U mbajt edhe një konferencë për media, mesazhi kryesor i të cilës ishte se Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë mjaft për të siguruar anëtarësinë në KE. Si RTK ashtu edhe KTV kontaktuan menjëherë MPJ për të pyetur a është e vërtetë?

U thash mediave se këto deklarata janë natyrisht – të pavërteta, ose së paku të pabazuara në fakte empirike që maten, dokumente që shkruhen dhe rezultate që dokumentohen.

Morra një përgjegje të shpejtë nga drejtori i po kësaj OJQ-je, i cili në stilin tashmë të njohur partizan të një numri të vockël OJQ-ve që nuk kanë synim të na “ndricojnë” me analiza por të na “varrosin” me kritika, më sulmon personalisht.

Në këtë reagim, drejtori poashtu sulmon me akuzën e mërzitshme dhe klisheistike se kinse po mundohem ta “mbys mendimin ndryshe” – që e marr si ofendim rrenacak personal. Rrumbullak 360 kercenime me shkrim nga rrjete sociale kam dorëzuar pas paraqitjeve mediale në mbrojtje të pakicave në shoqëri tonë – punë që thinktankistat e foteleve dhe kafeterive pritojnë ta bëjnë se nuk është sexy si sulmet ndaj qeverisë.

Pika e tretë e kritikës që morra në këtë reagim, është se kam shkruar ndaj raporteve mediale për raportin e OJQ’se – pa e lexuar raportin. Këtu edhe kanë drejtë. Kërkoj ndjesë edhe publikisht që nuk shpenzova 20 minuta kohë për të lexuar atë që u raportua medialisht.

Natyrisht perceptimi është nganjëherë po aq i rëndësishëm dhe perceptimi medial ishte se OJQ GSJP e kritikoi MPJ-në për mungesë suksesesh ndaj KE.

Që mos të hyj edhe unë në balten tipike të moqalit intelektual – edhe e lexova raportin në fjalë.

Me të lexuar, u dëshpëova edhe më shumë. Në 27 faqe raport (nejse – një e treta gati ishte faqe të bardha apo kopertina) kjo OJQ as një të vetmën herë nuk i referohet asnjë komunikimi, asnjë interaksioni, asnjë raporti, asnjë të vetme shkronje të punës së dy viteve të fundit të MPJ. Kjo OJQ nuk ka dërguar pyetje me sa di une tek Ministri, nuk ka dërguar pyetje me sa di une as te përfaqësuesi i Kosovës në Starsbourg, nuk e ka interesuar fare se cka ka për të thënë MPJ për këtë cështje të KE, si bartëse e procesit të anëtarësimit. Ka bërë një raport të tërë, ka shpenzuar para të donatorëve, duke përdorur 157 referenca, prej të cilave nga diplomacia kosovare jane nja 3-4 janë linqe të vjetra nga faqja e MPJ, p.sh. Deklarata e Pavarësisë apo konferenca për shtyp të ish-Ministrit Hyseni.

Uji Dea

Pra prej 27 faqeve, 157 referencave dhe tërë asaj zhurme, OJQ ka rrefuzuar apo injoruar të fut cfarëdo inputi nga MPJ. Zero. Nada. Hic.

C’është edhe më e keqe, kjo OJQ e injoron totalisht dhe s’e përmend me asnjë fjalë të vetme, as referencë një raport tjetër të Fridrich Ebbert Stiftung dhe Klubit për Politikë të Jashtme – të titulluar http://www.fes-prishtina.org/wb/media/Publications/2011/Kosovs%20membership%20EUenglisht-web%20(3).pdf – ku, që me 2011, janë analizuar të gjitha aspektet e anëtarësisë së Kosovës në KE.

Po të na kishin lutur më herët, me marrëveshje të “non-disclosure” për shkak të konfidencialitetit të punës lobuese, do t’i jepnim kësaj OJQ edhe studimet prej më shumë se 150 faqeve të juristëve më eminentë botërorë, diplomatëve dhe ekspertëve që janë angazhuar mu nga shoqëria civile për nevoja të MPJ, e që më 2011 që shumë moti kanë spjeguar dhe kanë dhënë rekomandime se si “duhet rrahur rrugën” drejt KE.

Nga Profesori Ralph Wilde i UCL e deri tek Ambasadori Mark Dickinson e shumë të tjerë, shumë punë tashmë është bërë dhe si rezultat i kësaj pune, Kosova është e pregaditur teknikisht dhe e njoftuar për anëtarësi në KE dhe ka bërë hapa madhorë si beteja njevjecare për anëtarësi në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Europës.

Pra, ky raport i GSJP nuk sjell bukvalisht asnjë informatë të re që nuk dihet dhe nuk gjindet në Google dhe që nuk ka botuar shumë më herët nga, për shembull FES dhe Klubi për Politikë të Jashtme.

Ardian Arifaj, një analist kosovar që nuk njihet si pro-qeveritar, nga KIPRED që poashtu nuk njihet si pro-qeveritar, në një tryeze të rrumbullakët të shoqërisë civile më 2011 ka lavdëruar MPJ për punën që po bën për KE.

Punën që po e bëjmë nuk është për të marrë lavdata. S’ka nevojë. Nuk është se dikush do ta mban në mend Enver Hoxhajn a Petrit Selimin kur Kosova të bëhet anëtare e KE. Por është tmerruese tendenca e cektë e disa organizatave që për hatër të sulmeve kundër qeverisë, apo kundër qeveritarëve specifikë, harrojnë edhe rregullat më bazike të profesionit dhe etikës. Të interesohen pak për “stakeholders” të një cështje.

Bashkëpunimi me aktorë të shoqërise civile është një ndër themelet e qeverisjes së mirë, e edhe diplomacise. MPJ do të vazhdon edhe më tutje të bashkëpunon me OJQ dhe shoqërine civile, prej atyre që na kritikojnë e deri tek ata që na mirënjohin, në procesin e konsolidimit të politikës së jashtme dhe njohjeve bilaterale dhe multilaterale. Prej KIPRED e deri te KFOS, prej British Council e deri tek FES, kemi bashkëpunuar dhe jemi përgjegjur gjithmonë atyre që kanë dëshirë të bashkëbisedojnë apo kanë nevojë për ndihmë në punën e përbashkët pro-Kosovës.

Ja që GSJP nuk ka qenë e interesuar fare për punë dhe bashkëpunim, por për një konferencë mediale në një të dielë të mërzitshme. Konferenca mediale kemi plotë. Ofendime dhe sharje kemi plotë. Duarshtrëngim dhe besëlidhje për interesa tej agjendave dhe inateve personale a partiake është cka na mungon.