ARKATANA

Kur të rrëshqet dheu nën këmbë

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Isa Mustafës ka nisur t’i rrëshqasë dheu nën këmbë. Ngjarja e frikshme në Dragodan është kulmi i papërgjegjësisë dhe arrogancës së udhëheqjes me Prishtinën. S’ka si të mos shpërthejë dikah.

Po të funksiononte shteti dhe po të jetonim në një vend normal, dikush do të duhej të jepte përgjegjësi për atë që ndodhi në Dragodan (Arbëri), kur frikshëm një pjesë e rrugës u shemb, e lëshoi toka, duke rrezikuar banorët e ndërtesave shumëkatëshe.

Po të funksiononte shteti dhe po të jetonim në një qytet normal, Isa Mustafa do të duhej të shqetësohej për atë që ka ndodhur, duke marrë pjesën e përgjegjësisë që i takon, e jo duke u përpjekur që fajin ta hedh diku tjetër.

Po të funksiononte shteti dhe po të jetonim në një vend normal, në Dragodan nuk do të duhej lejuar fare të ndërtohen shumëkatëshe, ashtu siç edhe kishin sugjeruar ekspertët.

Tash, pasi kjo lagje, dikur e bukur dhe e këndshme për të jetuar është mbushur përplot ndërtime të larta, duket se banorët do të jenë ata që do të paguajnë faturën e papërgjegjësisë dhe arrogancës.

Por, Dragodani është vetëm njëra nga lagjet e “Prishtinës metropolitane”, e ndërtuar për vite të tëra me shpejtësi e egërsi. Pak ditë më parë dheu rrëshqiti edhe në lagjen Emshir (Kalabri), ndërkohë që në një gropë të hapur dhe të mbushur me ujë në qendër të qytetit humbi jetën një person. Të mos flasim për vërshimet, të cilat kthehen në makth për prishtinasit, sa herë që bie shi.

Për të parë se në ç’derexhe ka rënë Prishtina, e cila tash 14 vjet udhëhiqet nga LDK’ja, mjafton të shohësh lagje të tëra, në të cilat ndërtimet ta zënë frymën. Jetesa në to është kthyer në ankth, ndërkohë që të tjera ndërtesa ngrihen brenda natës – madje edhe në vende ku, thjesht, mendja e shëndoshë nuk do të lejonte kurrë themelet e tyre.

Dragodani duhet të jetë alarm për Isa Mustafën dhe për të gjithë përgjegjësit tjerë, autorë të masakrës urbane, të cilët duket se interesin e qytetarëve nuk e kanë fare prioritet. Ndryshe nuk do të veprohej siç është vepruar – që jeta e qytetarëve të vihet në rrezik, për shkak se kompani ndërtimi duan të fitojnë miliona, pa marrë parasysh koston e rrezikut.

* * *

Isa Mustafa mund të jetë profesor i mirë i menaxhimit, por ka dështuar në menaxhimin e kryeqytetit. Nëse ka pasur për qëllim që kryeqytetasve t’ua bëjë jetën sa më të vështirë, atëherë këtë e ka arritur.

Banorët e ndërtesave të Dragodanit janë të parët që po shohin rezultatin e keqmenaxhimit nga ana e Komunës së Prishtinës. Dhe duket se ky është vetëm fillimi.

Sepse, keqmenaxhimi e ka sjellë Prishtinën në pikën kur nuk ka se si të mos shpërthejë dikah.

Uji Dea

Sepse, keqmenaxhimi e ka sjellë Prishtinën në gjendje bllokimi, me mungesë vizioni për zhvillim.

Sepse, keqmenaxhimi, arroganca e papërgjegjësia e ka kthyer Prishtinën në një qytet kaosi.

Isa Mustafa mund të jetë profesor i mirë i menaxhimit, mundet edhe ta përsërisë pandërprerë se “është më i miri” në udhëheqjen e kryeqytetit, por realiteti është ndryshe. I dhimbshëm, fatkeqësisht.

Sot qytetari i Prishtinës nuk ka me çfarë të krenohet në qytetin e tij. Ai, në radhë të parë, nuk ka siguri të mjaftueshme, ndërkaq shërbimet publike që i ofrohen lënë shumë për të dëshiruar.

Hapësirat e gjelbra janë ngulfatur nga ndërtimet, trafiku i stërngarkuar nuk garanton se do të mbërrini me kohë në punë, ndërkohë që në çdo hap mund të bini pre e papërgjegjësisë së punëkryesve të kontraktuar nga Komuna, të cilët e bëjnë punën shkel e shko, pa pasur frikë se do të mund të ndëshkohen për lëshimet e shumta. Në këtë qytet frikë duhet të kenë vetëm banorët e tij, të cilët vuajnë papërgjegjësinë e atyre që i udhëheqin.

* * *

Rrëshqitja e dheut në Dragodan do të duhej të ishte fillim i rrëshqitjes së dheut nën këmbë edhe për Isa Mustafën.

Rrëshqitja e dheut në Dragodan do të duhej të ishte fillim i rrëshqitjes së dheut nën këmbët e zyrtarëve të papërgjegjshëm, të cilët iu japin punë kompanive të papërgjegjshme.

Rrëshqitja e dheut në Dragodan do të duhej të ishte fillim i vetëdijesimit të kryeqytetasve për të kërkuar përgjegjësi për votën e tyre – për të ndëshkuar me votë ata që i sollën në këtë gjendje.

E di, Isa Mustafa prapë do të thotë se është më i miri. Në njëfarë forme ka të drejtë, sepse deri më tash të tjerët, nga të tjera parti, nuk e kanë pasur mundësinë të sfidohen në postin e të parit të Prishtinës.

E di, po ashtu, se shumica e kritikave ndaj këtij shkrimi do të jenë në stilin se, nëse e kritikon Isën, je me Hashimin, Ramushin, dreqin e t’birin…. Por, Prishtina dhe menaxhimi i saj janë shumë më shumë se krekosje militante partiake. Prishtina dhe menaxhimi i saj janë çështje jetike për qytetarët e dëshpëruar, të cilët Isa Mustafën dhe LDK’në i shohin fajtorë pse Prishtina e tyre është shpërfytyruar dhe është bërë për gjynah. Ata nuk e meritojnë t’iu rrëshqasë dheu nën këmbë. Mustafa është ai që e meriton.