Mobi Casa

Trupi Koordinues të ndihmojë komunën e Medvegjës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq dje ka qëndruar për vizitë pune në Medvegjë. Me këtë rast ai është takuar me kryetarin e komunës Sllobodan Drashkoviq, me zëvendëskryetarin e komunës Florim Sahiti, me ndihmëskryetarin Ismet Zeqiri dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ndërsa më pas ka zhvilluar takime me kryetarin e degës së Partisë për Veprim Demokratik, Fehmi Beha si dhe me kryetarë të degëve të partive të tjera politike të cilat veprojnë në Medvegjë.

Mësohet se përfaqësuesit shqiptarë në këto takime nga kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq kanë kërkuar ndihmë rreth zgjidhjes së problemeve aktuale me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Medvegjë. Bëhet e ditur se në takim ndër të tjera është kërkuar të pranohen diplomat të cilat verifikohen sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës sepse deri më tani ndonëse janë verifikuar, ato në Medvegjë nuk janë pranuar.

Gjithashtu është diskutuar fshirja nga evidenca e adresave të qytetarëve si dhe fshirja nga listat zgjedhore ku është kërkuar që kjo dukuri negative të ndërpritet dhe të mos përsëritet më.

Nga Trupi Koordinues është kërkuar të ndihmohen familjet e zhvendosura shqiptare të cilat kthehen në vendlindje pasiqë mundësitë e komunës së Medvegjës janë të limituara. Në këtë aspekt është kërkuar që të kompensohen njehsorët elektrikë të cilët janë vjedhur nga shtëpitë e boshatisura ndërsa familjeve të cilat kthehen për të jetuar në shtëpitë e tyre t’u mundësohet kyçja në rrjetin elektrik. Po ashtu, është kërkuar që vendkalimi në Mutivodë të ketë status të njëjtë sikurse ai në Merdarë apo Konçul ku do të mundësohej lëvizja e lirë e mallrave. Mbi të gjitha është kërkuar liri e përdorimit të simboleve kombëtare.

ARKATANA

“Kemi punuar rreth disa projekteve me rëndësi vitale për komunën e Medvegjës. Kemi rregulluar sheshin, dikund rreth 20 apo 30 milion kemi investuar në bashkësitë lokale. Gjithashtu do të bisedojmë rreth ndërtimit të godinës së fakulteteve, kemi mbaruar me eksproprijimin e tokës për ndërtim të burgut ku presim më tutje të na ndihmojë Trupi Koordinues dhe Ministria e drejtësisë që të fillohet me ndërtim. Njerëzve toka u është paguar, toka është e lirë, projektet janë punuar, ne kemi mbaruar tërë dokumentacionin e duhur kështu që nuk ka kurrfarë pengesa për nisjen e ndërtimit. Gjithashtu do të flasim edhe rreth Banjës, rreth zhvillimit të turizmit”, deklaroi kryetari i komunës Sllobodan Drashkoviq. Ai shtoi se është duke u punuar intensivisht në hapjen e fabrikës për prodhim të peletit në Medvegjë e cila pritet të hapët për, siç tha ai, një muaj e gjysmë, ku pritet të punësohen rreth 50 punëtorë.

“Konkursi i sërishëm për subvencionimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla ka përfunduar me sukses dhe 5 ndërmarrje të vogla nga Medvegja kanë përfituar mjete të subvencionuara në vlerë prej 12 milion dinarë. Po ashtu kemi njoftuar kryetarin dhe administratën komunale rreth kalimit në Mutivodë dhe angazhimeve tona që ky vendkalim të ketë statusin e njëjtë sikurse Konçuli dhe Merdara. Kemi biseduar rreth rrymës e cila si duket është problem i madh në fshatrat e qytezës së Medvegjës duke marrë parasysh se një numër i madh i njerëzve edhe serbëve edhe shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen, ose janë kthyer, nuk kanë njehësorë adekuatë për furnizim me rrymë dhe ky është problem të cilin duhet të zgjidhim në të ardhmen”, deklaroi Zoran Stankoviq.

Lidhur më regjistrimin e sërishëm të popullsisë në tre komunat, Stankoviq vlerësoi se regjistrimi i vitit 2011 nuk shprehë gjendjen reale në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. “Me qëllim që shteti me kapacitete të tërësishme të angazhohet në këto hapësira duhet të dimë se sa saktë ka njerëz dhe në bazë të këtij numri të planifikohen të gjitha aktivitetet të cilat nënkuptojnë jo vetëm zgjidhjen momentale të problemeve ekzistuese por edhe planet zhvillimore për periudhën e ardhshme.

Sa i përket gjendjës së sigurisë, ajo është vlerësuar se është në nivel të mirë./Shkruan: Fidan Kosumi-medvegja.net/