Lugina e Preshevës nën xhandarmëri
Përderisa flamuri kombëtar përdoret në Shqipëri, përdoret edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi edhe në Kosovë, i njëjti duhet të përdoret edhe në Luginë të Preshevës. Politika zyrtare në Luginë të Preshevës këtë nuk do ta pranojë kurrë edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë sërbe në Beograd për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar dy herë ka qëndruar për vizitë në Preshevë dhe mund të shprehem dhe të konsideroj se së paku e ka prekur këtë sipërfaqe tokësore, e ka prekur popullin. Nuk do të donim që të presim më shumë se ta respektojë Kushtetunë e Shqipërisë.
Kam kërkuar në pjesën e ekspozesë time që me zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës tani të merret Bashkimi Europian në Bruksel, sikurse që duan ta zgjidhin problemin e sërbëve në veriun e Republikës së Kosovës në Bruksel, duke ndërmjetësuar baronesha Eshton, ndërmjet dy kryeministrave.
INA: Cila është gjendja momentale e shqiptarëve në komunën e Preshevës përfshirë edhe komunat tjera shqiptare të Kosovës Lindore, Bujanoc e Medvegjë?
Ragmi Mustafa: Situata që përcjell komunën e Preshevës respektivisht komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për vite të tëra më përpara nuk ka lëvizur në drejtimin pozitiv. Nuk ka lëvizur në drejtimin pozitiv sepse akoma, fatkeqësisht edhe 12 vite pas mbarimit të Luftës Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku ka pasë një marrëveshje për demilitarizimin e rajonit, akoma fatkeqësisht e kemi të ngarkuar këtë pjesë teritoriale Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të banuar me shumicë shqiptare me forca të panumërta të xhandarmerisë sërbe, forca që numrin e tyre akoma nuk e dinë pushtetet lokale. Kjo është sepse komandimi i tyre bëhet në vijë vertikale prej Qeverisë në Beograd, gjegjësisht ministrit të brëndshëm, tani pasuesit të Millosheviqit, ministrit Daçiq, që aktualisht në cilësine e kryeministrit edhe ministër i brëndshëm.
INA: Çka paraqesin forcat e xhandarmerisë në këtë pjesë të rajonit?
Ragmi Mustafa: Forcat e xhandarmerisë janë një forcë policore e specializuar për të krijuar tek shqiptarët pa dyshim ndjenjën e pasigurisë, duke frekventuar me autoblinda nëpër vendbanimet shqiptare me tytat e automatikut të drejtuara në drejtim të qytetarëve pavarësisht nga mosha, qofshin ata të moshuar ose fëmijë dhe gjithmonë pa asnjë kontakt me pushtetet lokale, pa asnjë kontakt me policinë lokale, por janë forca të cilat sikur të jenë të instaluara për të mbrojtur këtu krimin e organizuar që mund të hyjë këtu nga Kosova ose nga jashtë. Së paku janë këto arsyet e qeveritarëve në Beograd për qëndrueshmërinë dhe koncentrimin e xhandarmerisë këtu në komunat tona, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Megjithate ne nga pozicioni i pushtetit lokal konfirmojmë përfundimisht se asnjë krim i organizuar nuk është nisur dhe nuk niset nga Kosova dhe se qytetarët shqiptar të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk e ndien veten kurrë të rrezikuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e aq mq parë edhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me këto dy shtete me të cilat kufizohet Presheva. Prandaj, forcat e xhandarmerisë janë të karakterit politik për të krijuar ndjenjën e pasigurisë, forca të cilat marrin aktivitete dhe akcione sa herë që i duhen kryeministrit Daçiq për të arrestuar shqiptar duke montuar e shantazhuar procese të montuara politike, fatkeqësisht sikur në vitin 2008 me arrestimin e nëntë shqiptarëve dhe burgosjen e tyre në “Burgun Qëndror” (në CZ-në famëkeq) në Beograd, ku pas sa vitesh u dënuan me mbi 100 vite burg.
INA: Janë këto arrestimet e vetme apo…?
Ragmi Mustafa: Jo. Në ndërkohë, vitin e kaluar, para zgjedhjeve forcat e xhandarmerisë arrestuan shqiptarët në Bujanoc për të krijuar situatën e pasigurisë në saje të vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale për të krijuar pasiguri.
INA-Në kuadër të Marrëveshjes në përfundim të Luftës, ka pasë një pjesë ku parashihet se shqiptarët duhet të përfshihen në kuadër të policisë lokale këtu. A ka shqiptar në kuadër të policisë dhe xhandarmerisë, gjegjësisht në strukturat e tyre?
Ragmi Mustafa: Kjo është e vërtetë se në “Marrëveshjen e Konçulit” kanë qënë të specifikuara këto dhe të kryehet demilitarizimi i tërë i rajonit si nga forcat militare dhe paramilitare serbe por edhe të pjestarëve të UÇPMB-së. Shqiptarët, duke i besuar Komunitetit ndërkombëtar i dorëzuan armët dhe të gjithë ushtarët e UÇPMB-së janë avitur dhe sistemuar në subject të veçantë politik apo janë radhitur në masë të konsiderueshme në subjektet politike që ishin dhe vepronin deri atëhere.
INA: Po forcat paramilitare dhe militare serbe a janë çarmatosur e çmilitarizuar?
Ragmi Mustafa: Megjithate, forcat militare dhe paramilitare të Serbisë nuk u çmilitarizuan, por përkundër asaj në mënyrë intensive gjatë tërë kësaj kohe janë militarizuar në forcat speciale të xhandarmerisë, në të cilën strukturë nuk ka asnjë shqiptar, në të cilën strukturë ka ish polic që kanë punuar dhe vepruar në Kosovë gjatë periudhës deri në vitin 1999, dhe në këtë kontekst duhet të theksoj se nuk kanë asnjë lidhje me policinë lokale dhe me pushtetet lokale, por komandohen drejtëpërsëdrejti nga ministri i brëndshëm.
INA: Po si qëndron puna me policinë lokale, a ushtroni pushtet?
Ragmi Mustafa: Në policinë lokale të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ka një numër të caktuar të policëve multietnik, ka edhe polic që ishin ish ushtar të UÇPMB-së, por megjithate të xhveshur nga të gjitha kompetencat. Janë të xhveshur nga të gjitha kompetencat sepse të gjitha aktivitetet që ndërmarrin Qeveria e Serbisë për të frikësuar e trishtuar shqiptarët, ato i kryejnë me forcat e xhandarmerisë. Megjithate, edhe këtu ka pasë një marrëveshje për proporcionin e numrit të policëve shqiptar në policinë lokale, varësisht prej numrit, respektivisht në bazë të përbërjes së popullsisë, që është në komuna, e po aq duhet të jetë edhe numri i policëve në policinë lokale.
INA: Si është struktura-përbërja e popullsisë dhe e policisë lokale?
Ragmi Mustafa: Në Preshevë, për shembull kemi 98% të përbërjes së popullsisë shqiptare, atëhere po ai proporcion duhet të jetë edhe në polici, por megjithate ai proporcion nuk arrinë as 50% të policëve shqiptar në polici.
INA: Pse Serbia nuk respekton këto parime në territorin administrativë të vetin?
Ragmi Mustafa: Serbia ka qënë gjithmonë dhe është që ti bishtërojë të gjitha marrëveshjet që i ka arritur qoftë me palët tjera, sipas përvojës n ëish Jugosllavi por fatkeqësisht edhe tani me Kosovën dhe mos të flasim bile tani për Luginën e Preshevës (Kosovën lindore).
Problemet e shumta shoqërore, sociale-ekonomike, në komunën e Preshevës, kur dihet se komuna e Preshevës është një ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ku mbi 70 % të popullatës së aftë për punë janë të papunësuar, qoftë në sektorin publik që përfshinë pushtetin lokal qoftë në sektore apo dikastere të ministrive që janë të shpërndara në nivel të dytë në komunën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
INA: Me çfarë problemesh tjera ballafaqohet pushteti vendor dhe popullata këtu?
Ragmi Mustafa: Janë probleme të shumta në fushën e shëndetësisë e për fushën e arsimit të mos flasim kur ne si shqiptar, plot 30 vite po bëhen jemi pa tekste mësimor, duke përcjell nga brezi në brez tekstet mësimore ato që janë botuar mbase para 30 apo 40 viteve në Entin e botimeve të teksteve mësimore në Prishtinë. Janë akoma alergjik në prurjen e librit shqip qoftë nga Tirana apo nga Prishtina zyrtare. Në këtë drejtim konsiderojmë se është pjesa më e rëndë, pjesa më shqetësuese e gjithë popullit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe të gjithë nxënësve shqiptar kur dihet se tani në fillim të këtij viti shkollor në bankat e nxënësve fillestar të klasës së parë akoma nuk ka abetare, e të mos flasim për gjeneratat e tjera dhe nuk mund ta paragjykojmë se si mund të jetë libri shqip për nxënësit e shkollave të mesme. Për këto, Serbia asnjëher nuk merr për sipër si obligim që të botojë tekste të mirfillta mësimore për shqiptarët këtu, asnjëherë nuk është e gatshme që të krijojë mundësi për prurjen e librit së paku nga Prishtina apo Tirana, por gjithmonë duke e prolonguar në kohë sikur do të ketë marrëveshje, do të ketë një zgjidhje, por ato neve na duhen sepse nuk kemi zgjidhje e jo vetëm që kanë kaluar 12 vite nga lufta e UÇPMB-së, kur shqiptarët kapën armët jo vetëm jo vetëm për çështjen e të fituarit të drejtave të tyre, e mbase ishte edhe për teritore. Megjithate, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, reagimet e tyre, pa dyshim se u besuan shqiptarët se problemet do të zgjidhen në tavoline e jo me armë dhe me konflikte të armatosura.
INA- Zotëri Kryetar,vitin e kaluar i gjithë opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar i kishte sytë dhe veshët kah Presheva, në momentin e një provokimi lapidari i vendosur me emrat e të rënëvë në luftë nën emblemën e UÇPMB-së në oborrin e komunës së Preshevës, kur ai lapidar u hoq dhe sot e asaj dite nuk është këthye në vendin e mëparshëm. Cili është mendimi juaj dhe si keni arritur ta menaxhoni situatën me familjet dhe familjarët e të rënëve gjatë atij provokimi, që ishte vrasje e dytë e atyre luftëtarëve. Cili ka qënë bashkëpunimi juaj me familjarët, Këshillin koordinues dhe shoqatat e luftëtarëve?
Ragmi Mustafa: Në saje të shënimit të një shekulli të Pavarësisë së Shqipërisë-për 100 vjetorin e Pavarësisë, ka patur ngjarje të panumërta në të gjitha trojet shqiptare. Në të gjitha trojet shqiptare janë vënë gurthemelet e busteve të heronjve të kombit që për 100 vite të tëra kanë dhënë kontribut dhe kanë rënë për ndërtimin e shtetit Shqiptar. Kanë rënë edhe për ndërtimin e pjesës së mbetur të Shqipërisë para se të pavarësohet më 1912, të pjesës së Kosovës dhe pjesëve tjera, përfshirë edhe përpjekjet e luftërave që ishin në Luginën e Preshevës. Pa dyshim se edhe politika shqiptare edhe institucioni i komunës së Preshevës, në pajtim me familjet e dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së, të kenë një lapidari, në të cilin janë skalitur në një gurë të mermerit emrat e 28 dëshmorëve të rënë në teritorin e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegje.

