Eko Higjiena

Të bashkuar rreth korrupsionit

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Enis Veliu – Deklarata publike e kreut të Institutit “Kipred”, Ilir Deda, se njerëzit në pushtet i kanë marrë 30 milionë euro korrupsion me rastin e privatizimit të distribucionit të KEK-ut, kaloi në heshtje.

Përveç mediave, me të thuajse askush nuk u mor, edhe pse skandalin në fjalë, Dedës ia kishin konfirmuar dy zëvendëskryeministrat e Kosovës, Behgjet Pacolli e Mimoza Kusari –Lila.

Një ditë pas publikimit, dy protagonistët, Pacolli e Kusari-Lila, u munduan ta mohojnë një gjë të tillë. Mirëpo, Deda edhe më tutje qëndronte pas deklaratës së dhënë.

Ai vazhdon të këmbëngulë se ka pasur pazare dhe korrupsion në rastin e privatizimit të distribucionit, i cili para pak kohe iu shit kompanisë turke “Calik&Limak” për 26 milionë euro.

Heshtja e të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe dy zëvendëskryeministrat nga e njëjta parti, është shumë e dhimbshme për vendin, dhe për proceset në të cilat po kalojmë.

Kjo edhe më shumë njollos imazhin e Kosovës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Ky është një mesazh i qartë për investitorët e huaj.

Mobi Casa

Ata që ia mësyjnë vendit tonë duhet të bëjnë gati paraprakisht paratë për korrupsion, ose në të kundërtën duhen të kthehen duarthatë nga vendet prej nga kanë ardhur.

Procesi i privatizimit thuajse nga fillimi ka qenë i korruptuar.

Por, deri më tash askush nuk është marrë me të, fatkeqësisht edhe drejtësia jo. Si për çudi njeri që i bëri këto, Ahmet Shala, edhe tutje vazhdoi ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Japoni, edhe pse ndaj tij në vazhdimësi dorëzohen dosje voluminoze në gjykatë, siç ishte ajo e para pak ditësh e ish-punëtorëve të Ndërmarrjes Bujqësore Industriale “Suhareka” po në këtë qytet.

Hetimi i proceseve të privatizimit që nga i pari, e deri më tash, është diçka e domosdoshme, pasi që prona shoqërore, dhe ajo publike, në mënyrën më të keqe janë tjetërsuar, apo blerë me pak para.

I zhytur në këtë proces thellë është edhe vetë zëvendëskryeministri Pacolli edhe pse ai kohe pas kohe mundohet të hedhë akuza dhe kritika në këtë drejtim.

Pacolli direkt, apo edhe indirekt është njëri nga pjesëmarrësit më të mëdhenj në procesin e privatizimit në Kosovë. Ai përmes këtij procesi ka blerë disa nga ndërmarrjet më të mëdha në vend siç është hotel “Iliria”, ish-tregu i automjeteve në Prishtinë, “Farmendin”, po ashtu në Prishtinë, fabrika e tubave në Ferizaj e shumë të tjera.

Mirëpo, kur bëhet fjalë për afera korruptive të heshtur janë gjithnjë thuajse si lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, si ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ashtu edhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Këta kohë pas kohe e shajnë dhe akuzojnë njeri-tjetrin, por kur vjen puna te korrupsioni të gjithë janë të lidhur me njeri-tjetrin.