Edhe këtë vit vazhdon tradita e sukseseve në lëndën e kimisë në “Thimi Mitko”
Gjilan – Shkolla “Thimi Mitko” thyen rekordet me më së shumti finalistë në garat kombëtare në lëndën e kimisë, por që të gjithë edhe bursistë.
Në garat kombëtare në lëndën e Kimisë të mbajtura më 01.04.2017, shkolla “Thimi Mitko” kishte më së shumti finalistë (4 nxënës), dhe që të gjithë arritën sukses duke u bërë edhe bursistë (ku fillimisht ishin 1831 kandidatëve të 672 shkollave, pastaj kualifikimi në 40 më të mirët dhe tani 15 më të dalluarit të cilët janë edhe bursistë) .
Në garat kombëtare, kjo shkollë zuri vendet: dy, tre, katër dhe trembëdhjetë. Prej të cilëve, dy nxënës arrijnë bursën e plotë 100%, kurse dy të tjerët e synojnë po ashtu bursën e plotë më 27 prill të këtij viti, dhe jemi të bindur se do të ia dalin edhe këta.
Drejtoresha Jyksel Gjinolli, e gëzuar për sukseset e arritura të nxënësve pranë kësaj shkolle, thekson se ishte e bindur se nxënësit e kësaj shkolle do të ia dalin, sepse në vazhdimësi ka percjellur punën me këta nxënës ku u punua në kontinuitet. Por, drejtoresha thekson se për këtë sukses një meritë të veçantë ia atribuon profesoreshës së kimisë, Merlinda Daku, e cila punoi gjatë gjithë kohës me këta nxënës duke u përkushtuar maksimalisht dhe duke mbajtur edhe orë shtesë.
“Prandaj me të drejtë thuhet se tradita vazhdon, sepse për vite me radhë kjo shkollë arrin që në mesin e tri vendeve të para në nivel kombëtar, domosdo se do të ketë nxënës nga kjo shkollë. Kujtojmë se edhe vitin e kaluar kjo shkollë kishte vendin e parë në nivel kombëtar . Të gjitha këto rezultate të nxënësve për vite me radhë arrihen me motivim nga kreu i shkollës dhe kontributi profesional të profesoreshës së kimisë Daku” ka thënë Jyksel Gjinolli./rajonipre


