KKVITI

Burg, jo pushtet!

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Arbana Xharra – Është një shtet diku në cep të Evropës me strukturë mafioze, kriminale, e cila është e instaluar direkt në pushtet përmes njerëzve të korruptuar e me dosje. Nuk funksionon ligji, as ndëshkimi, përkundrazi, të kesh problem me ligjin nuk ndodhesh prapa grilave, por në pozitë…Ky është përshkrimi adekuat për shtetin e Kosovës, e për ta vërtetuar një gjë të tillë nuk do shumë punë.

Pas qindra skandaleve në krye të të cilave tash sa vjet janë njerëz të pushtetit, me emra e mbiemra, ata të cilët pa e fshehur fare kanë rrjepur xhepin e qytetarit duke u pasuruar në pafund për vete, edhe ata që kanë problem me organet e drejtësisë, disa prej tyre të ulur edhe në bankën e të akuzuarve, jo vetëm se nuk ndëshkohen, por ata nominohen prapë nga shefi i tyre për t’iu futur garës për pushtet.

Është kjo partia e “prurjeve të reja”, e cila ka tentuar të propagandojë se është parti e reformave, por që nuk heq dorë nga zhvatësit, politikanët arrogantë, ata që përbëjnë krahun e fortë brenda PDK-së, ngase fuqia e tyre matet me paranë kesh të vjedhur përmes tenderëve publikë dhe favoreve që u bëjnë bizneseve të mëdha në vend.

Kreu i partisë, me pushtetin e tij absolut vazhdon të mbajë në pozita ata që janë në shërbim të tij, të cilët gjithmonë kanë pasur përkushtim për të punuar në favor të grupeve të interesit. Ndërkohë që janë nxjerrë jashtë loje kundërshtarët e tij të brendshëm politikë, duke u instaluar kështu pushtet paternalist.
Me kandidatë që kanë qindra afera të keqpërdorimeve, disa prej të cilave u bënë të njohura edhe nëpër mediat evropiane, vazhdon të kenë autoritet.

Uji Dea

Dy net më parë, Hashim Thaçi nominoi sërish kandidatët për kryetarë të komunave ata që abuzuan me pronën publike, siç është Qemail Mustafa, i cili duke qenë në krye të komunës së Gjilanit ndau me ortakët e tij tenderë me paratë publike, keqpërdori pozitën për interesa të grupeve të caktuara, Ramadan Muja i përfshirë po ashtu në vepra të jashtëligjshme, u është dhënë nderi që të garojnë me pretendimet që të mbesin sërish në pushtet.

Sami Lushtaku ende prapa grilave, i dyshuar për krime lufte, ende pa iu përfunduar procesi gjyqësor është rikandiduar për kryetar të komunës së Skenderajt.
Sigurisht se një nder të tillë do ta kishte edhe Xhabir Zharku, sikur të qëllonte në Kosovë, ai i cili u lejua që pa “një therrë në këmbë” të arratiset nga Kosova, edhe pse kishte urdhër arrest armëmbajtje pa leje për kërcënim.

Janë këta kandidatët preferencialë të kryeministrit për të garuar nëpër komuna, një grup politikanësh që fëlliqësitë e tyre tentojnë t’i fshehin duke u zyrtarizuar si të denjë për të qeverisur.

Më 3 nëntor garës për kryetarë komunash pritet t’i futen edhe ata që me vite të tëra shkelën ligjin, keqpërdorën demokracinë, dhe u tallën me skamjen e shumicës së popullit prej të cilëve do të dalin ta kërkojnë votën.