ARKATANA

Simbolika e Simboleve

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Sikur simbolet shtetërore mos të ishin të rëndësishme, Serbia nuk do të insistonte aq shumë që ato mos të paraqiten në fletëvotime në zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë. Sikur ato mos të ishin të rëndësishme, me to nuk do të merrej edhe Gjykata Kushtetuese, siç ishte rasti me logon e Komunës së Prizrenit. Sikur simbolet shtetërore mos të ishin të rëndësishme, nuk do të ishte bërë një luftë e tërë në mënyrë që ne t’i kemi ato. Edhe ata që sot e mohojnë rëndësinë e tyre, e dinë fare mire që ato simbolizojnë shtetin, njëjtë siç e simbolizon termi ‘Republikë’ nga e cila Qeveria Thaçi hoqi dorë kur u arrit marrëveshja për fusnotën.

Me t’u miratuar Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila akoma cilësohet si historike nga zyrtarët e lartë të Qeverisë, u tha se ndër të arriturat kryesore ishte shuarja e strukturave ilegale dhe mbajtja e zgjedhjeve në veri sipas ligjeve të Kosovës që sipas zyrtareve të Qeverisë, rezulton me pranimin e shtetit të Kosovës nga serbët e veriut të vendit por edhe nga vetë Serbia. Tani po del, ashtu edhe siç është pritur, që të dyja palët në marrëveshje do ta interpretojnë atë në mënyra të ndryshme. Përderisa Kosova e interpreton mbajtjen e zgjedhjeve sipas ligjeve të Kosovës, Serbia insiston në neutralitet ndaj statusit, që do të nënkuptonte edhe largimin e simboleve të Republikës së Kosovës nga fletëvotimet.

Qeveria e Kosovës tenton ta largojë përgjegjësinë nga vetja duke thënë se vendimi për përdorimin e simboleve në fletëvotime është përgjegjësi e KQZ-së dhe Qeveria nuk do të implikohet. Mirëpo, ky vendim i takon Qeverisë, dhe ajo do ta marrë atë. Por fakti se qysh tani tenton ta largojë përgjegjësinë nga vetja, tregon se vendimi nuk do të jetë në favor të Kosovës, por do të paraqesë edhe një dëshirë tjetër të plotësuar të Serbisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arsye të diskutojë ndryshimin e formës së fletëvotimeve duke hequr simbolet, përveç nëse Qeveria e kërkon këtë. Mirëpo, po tentohet që në fund e tërë përgjegjësia të bartet nga KQZ-ja, përderisa Qeveria shumë lehtë do t’i fajësojë të tjerët për një vendim që do ta marrë vetë.

KKVITI

Zëra brenda Qeverisë së Kosovës që kanë filluar të flasin se sa të parëndësishme na qenkan simbolet shtetërore, tregojnë se nuk mund të presim një epilog të mirë. E kaluara e dialogut Kosovë-Serbi ka dëshmuar që sa herë që kryeministri Thaçi premton një gjë, del e kundërta. Por Qeveria duhet ta kuptojë që çdo ditë është duke hequr dorë nga elemente kushtetuese të shtetit. Është tjetër gjë që ndonjë institucion ndërkombëtar apo shtet që nuk e ka njohur Kosovën të paraqitet neutral ndaj statusit, por këtë nuk guxon ta bëjë vetë Kosova. Qeveria e Kosovës pranoi të tregohej neutrale ndaj statusit kur vetë pranoi fusnotën dhe hoqi dorë nga Republika. Largimi i simboleve shtetërore, qoftë nga fletëvotimet, qoftë nga Vendimet e gjykatave, e ka të njëjtin efekt, pra i bën institucionet shtetërore neutrale ndaj statusit të Kosovës, njëjtë siç ishin në kohën e UNMIK-ut. Në këto rrethana, ministri i Jashtëm i Kosovës nuk mund të thërrasë për largimin e UNMIK-ut, sepse veprimet e Qeverisë së Kosovës po na kthejnë pikërisht në kohën e neutralitetit të UNMIK-ut. Simbolet, prandaj, janë më shumë se vetëm një simbolikë. Ato simbolizojnë ekzistimin dhe funksionimin e shtetit.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)