UBT

Premtimet “shterpë”, më s’kanë vend në Gjilan

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ardian Azemi – …të gjithë duhet t’i bëjnë pyetje vetes; çfarë keni bërë për Gjilanin deri më tani..?,Sa herë jeni taku ju si deputet nga Anamorava mes vete, pavarësisht përcaktimeve politike, që me i mbrojt interesat e komunës suaj..? A jeni të informuar, (të paktën nga gazetat), se Gjilani është gjunjëzuar..? Se Gjilani është copëtuar nga procesi i decentralizimit…?, se Gjilani u mashtrua e stërmashtrua nga institucionet në nivel vendi dhe ato lokale..?

Për dallim nga të gjitha zgjedhjet e kaluara lokale në Gjilan, zgjedhjet e këtij viti do të jenë interesante për Gjilanin. Pjesëmarrja në zgjedhje edhe e një subjekti të ri politikë, Vetëvendosje!, përpos që është një frymë e re politike dhe me njerëz të ri për Gjilanin, konsideroj se do të jetë edhe si një dritë e vetme në këtë tunel të errësuar politikisht.

Të gjitha partitë politike, përveç të kësaj të fundit, në një farë forme kanë pasur pushtetin në duart e tyre, nëse jo të gjitha në nivel lokal, në atë qendror, po. Për fatin e keq të Gjilanasëve, këto parti politike, nuk i kanë sjell asnjë të mirë komunës së Gjilanit, por vetëm çka i kanë marrë Gjilanit.

Në një formë apo tjetrën, i provuam

Nëse ju kujtohet të nderuar bashkëvendës të mi, sa premtime na janë bërë nga këto parti dhe lider të tyre për investime qindra milionëshe për komunën e Gjilanit. Na premtuan se do të krijohen kushte për punësimin e të rinjve Gjilanas, kjo nuk ndodhi, përderisa nëpër funksione me përgjegjësi të lartë në institucione të komunës punojnë militant të partisë në pushtet, e të cilët përgatitjen profesionale e kanë nivelin e mesëm shkollor, e me keq se kaq, vetëm nivelin fillor, të diplomuarit dhe ata me master shëtisin rrugëve duke kërkuar ndonjë alternative për të dalë jashtë vendit, gjithnjë duke kërkua një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme, për shkak se shteti i tyre, komuna e tyre, asnjëherë nuk i zgjati dorën. Punësimi nuk mund të bëhet në formën të cilën e ka praktikua komuna e Gjilanit, duke punësuar siç thash militant të partisë dhe farefisni, pa asnjë kriter të punësimit.

U premtua hekurudhë, mbetëm larg rrugës së kombit

Të nderuar qytetar të Gjilanit. Gjilanit iu premtuan njëqind milion euro investime kapitale, po përfundon mandati i kësaj qeverisje komunale dhe në Gjilan nuk është investuar as njëzetë përqindëshi i premtimeve të bëra, që nënkuptohet se kryeministri i Kosovës dhe kryetari i komunës e kanë rrejt qytetarin e Gjilanit. Gjithashtu kanë premtuar se do të ndërtojnë hekurudhën Gjilan-Bujanoc dhe siç dihet, kjo nuk u realizua asnjëherë, përkundrazi, Gjilani mbeti larg, madje shumë larg autostradës së Kombit, rrugë e cila për tu quajtur e tillë, do të duhej të kalonte nëpër Gjilan në mënyrë që të lidhte shqiptarët mes vete. Nëse ndonjë qytetar i Gjilanit sheh, të paktën një metër autostradë në Gjilan, atëherë le të dal dhe të më demantoj në këtë që e them.

Rrugët e këtij qyteti, janë në gjendje të mjerueshme. Mjafton të nisesh për Prishtinë, për Ferizaj, për Bujanoc, dhe sheh se në çfarë gjendje janë këto rrugë të cilat edhe janë magjistrale që lidhin Gjilanin me këto qytete që përmenda. Nëse bëjmë një krahasim të gjendjes në infrastrukturën rrugore në Gjilan dhe asaj në qytetet bastione të partisë në pushtet, na krijohet përshtypja se Gjilani nuk është pjesë territoriale e Kosovës. Nuk është që e them vetëm unë këtë, po e dëshmon gjendja në terren.

Kishte diferencime në “sokaqe”

Kjo qeverisje e komunës, ka harruar premtimet për rregullimin e rrugëve në qytet, disa i ka rregulluar por kjo ka ndodhur në baza partiake. Në vende demokratike, nuk guxon t’i japë të drejtë vetës kryetari i një komune a bashkie të asfaltoj rrugë aty ku ka votues për partinë nga e cila vjen vetë ai, e të lihen anash rrugët e lagjet në të cilat eventualisht ka votues me bindje tjetër politike. Kjo vetëm në Kosovë ndodhë, madje edhe kryeministri i vendit po kushtëzon në këtë formë qytetarët e komunave, duke iu thënë hapur qytetarëve se; nëse fiton kandidati i partisë të cilën e përfaqëson ai, do të përkrahi çdo projekt tuajin. Ky është kushtëzim dhe veprim që bie ndesh me ligjin, madje duke shkelur edhe afatet ligjore të përcaktuara për fushatën elektorale.

Tetor 2011, tetor 2012, pa urgjencë – 2013 me plotë urgjencë

Themelimi i Universitetit publik të Gjilanit, është bërë jo si nevojë apo kërkesë urgjente e Anamoravës, por kjo ma tepër është si nevojë me urgjencë të madhe e kryeministrit të Kosovës për shkak të procesit zgjedhor të këtij viti. E mbani mend sigurisht që, edhe në vitin 2011 po ashtu edhe në vitin 2012 kryeministri pati premtua se Gjilani do të bëhet qendër universitare, madje këtë e ka thënë në një darkë me punëtor të arsimit të Komunës së Gjilanit, edhe pati dhënë datë , herë më 1 tetor të 2011 e herë me 1 tetor të 2012-es, gjë që nuk u bë as në njërin tetor e as në tjetrin, sepse në asnjërin vit nuk kishte zgjedhje as lokale e as parlamentare. Këtë vit kanë marrë vendim për themelimin e Universitetit, gjithnjë duke u mundua me krijua terren për me e lypë votën e Gjilanasëve. Madje, pa u skuq fare.

FIDANISHTJA

Projektet në Gjilan, ose nuk janë nisur fare, ose edhe nëse janë nisur, kanë mbet të përgjysmuara, edhe ato që kanë mbetur të përgjysmuara, aty ku janë nisur tanimë kanë fillua më u amortizu për shkak të bërjes së punës “shkel e shko”, projekte nëpërmjet të cilave kanë përfitua jashtëzakonisht shumë udhëheqësit e komunës dhe komunave në përgjithësi, ose duke u futur në borxhe ndaj kompanive punuese siç ka ndodh në Gjilan, ose duke iu dhënë tender kompanive të ndryshme nga të cilat kanë marr shuma të majme në shenj shpërblimi për dhënie të tenderit, e të cilin unë e quaj hajni të dorës së parë.

Ata që përfaqësojnë Anamoravën në Kuvendin e Kosovës, vetëm kukulla

Anarkia dhe kaosi në komunën e Gjilanit është si rrjedhojë e mungesës së bashkëpunimit në mes strukturave të qeverisjes komunale dhe asaj qendrore, si dhe përçarja që ekziston tani e sa kohë mes drejtuesve të komunës dhe ekzekutivit të shtetit. Një faktor tjetër shumë që ndikon dukshëm në kolapsin ekonomik të Gjilanit dhe mos realizimin e objektivave kryesore, është edhe mungesa e komunikimit mes qytetarit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Anamorava, të cilët domosdo kërkojnë votat për tu bërë deputet dhe me rastin e futjes në Parlamentin e Kosovës shkëpusin me automatizëm komunikimin dhe nuk ngritin zërin për interesa të rajoneve nga të cilat edhe vijnë edhe marrin votat.

Deputet e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Anamorava, janë vetëm “karrem” i grupacioneve politike që me ngulm mbrojnë interesat e ngushta të tyre, por edhe të politikave që në vazhdimësi kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë injorime ndaj

Anamoravës dhe disa komunave të tjera në Kosovë.

A i keni parashtruar ndonjëherë këto pyetje vetes..?

Dua t’i përkujtoj deputetët e Kuvendit të Kosovës se, të gjithë duhet t’i bëjnë pyetje vetes; çfarë keni bërë për Gjilanin deri më tani..?, sa herë jeni takua ju si deputet nga Anamorava mes vete, pavarësisht përcaktimeve politike, që me i mbrojt interesat e komunës suaj..? A jeni të informuar, (të paktën nga gazetat), se Gjilani është gjunjëzuar..? Se Gjilani është copëtuar nga procesi i decentralizimit…? Se komuna juaj tash e katërmbdhëjetë vjet po mbetet anash si nga investimet e huaja, por ashtu edhe ndarja e buxhetit në mënyrë proporcionale si nëpër të gjitha komunat…?
Ngjashëm si deputetët, duhët t’i parashtroj pyetje vetës edhe kryetari i Komunës së Gjilanit.

Për fund

Këto, janë vetëm disa nga shumë rrenat që iu janë bërë Anamoravës në përgjithësi, dhe Gjilanit në veçanti. Është koha të ngrihemi nga gjumi, e t’i themi mjaftë politikave diskriminuese që i janë bërë qytetit tonë.

Qytetari i Gjilanit një gjë duhet ta ketë parasysh. Mos të krijoj “idhuj” në politikë. Dua të them mos të votoj për liderin e partisë, por të votoj programin politik, i cili ka për synim përmirësimin e gjendjes së tij ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore etj. Nëse arrijmë të analizojmë me mendje të shëndosh, kush na tha se do të përmirësojmë gjendjen tuaj, gjegjësisht, çka na është ofruar nga këto premtime, atëherë me lehtësi do të arrijmë tek alternativa ma e mirë e mundshme e cila do të na udhëheq në katër vitet e ardhshme.

Nuk guxojmë t’i japim të drejtë vetës që votën tonë ta shesim, edhe nëse bëhet fjalë për mijëra euro, sepse katër vite janë të mëdha nëse në krye të pushtetit lokal vijnë njerëz të cilët kanë me udhëheq keq me komunën dhe të cilët asnjëherë nuk hajn dreka e darka në shtëpitë e tyre, por në restorante luksoze, kuptohet, me paranë e popullit.