KKVITI

Me logo në zgafellë

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Nga Petrit Selimi – Sulmet ndaj komponenteve të Marrëveshjes dhe dialogut janë aq absurde, iracionale dhe ad hominem sa që PDK dhe Qeveria forcohen dita-ditës si aktorë dhe partnerë stabilë dhe kredibilë ndërkombtarë (ndoshta dhe të vetmit?), ndërsa lideri i partisë dhe Kryeministri i vendit Hashim Thaci tashmë po përmendet edhe si kandidat i mundshëm për cmimin Nobel për Paqe nga gazeta të vërteta si The Economist dhe The New York Times, për rrolin e tij në Marrëveshjen historike.

Një nga hobit e preferuara të autorit të këtij shkrimi janë leximi i shkrimeve nëmediumet radikale apo krejtësisht antagoniste ndaj politikës prezente të Qeverisë. Pak për arsye të zbavitjes, ndërsa pak edhe për të konfirmuar drejtësinë e vendimeve të aprovuara nga institucionet në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me fqinjë por edhe me bashkësinë ndërkombtare.

Në Serbi, shkrimet kundërshtuese me tone të ashiqarshme të urrejtjes i gjeni tek portalet e afërta ne nacionalistin Kostunica, si në Nova Srpska Politicka Misao, apo tek ndonjë gazëtar të kohërave të vjetra, si Miroslav Lazanski në Politika. Ata në baza ditore sulmojnë Marrëveshjen, sidomos tani, sepse janë të shokuar për “tradhtinë” që e ka bërë Dacic dhe Vucic në Bruksel, me njohjen e ligjeve dhe legjitimitetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Këta zëra përparae akuzonin Tadicin për mungesë nacionalizmi, por tani që shtafetën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore e ka marrë dyshi i ri qeverisës në Serbi, nacional-fashistët e Serbisë kanë luajtur menc.

Kanë arsye natyrisht.

Marrëveshja e parë, apo Principet e Para të Normalizimit, është shumë e qartë. Nuk ka vend për kurrfarë keqkuptimi apo mëdyshje. Pika 2 e “Principeve” thotë: “Strukturat e Asociacionit do te krijohen në baza të njejta si statuti prezent i Asociacionit te Komunave të Kosovës”. Pika 4 thotë: “Komunat mund të ushtrojnë fuqi në pajtim me ligjin e Kosovës dhe Kartën Europiane të Vetë Qeverisjes Lokale”, pika 7 thotë ”Do të jetë vetëm një Polici e Kosovës”, pika 10 thotë “Autoritet ligjore do te integrohen dhe do te veprojne ne kuader te kornizes ligjore te Kosoves”, pika 11 thotë: “Zgjedhjet lokale do te organizohet sipas ligjit të Kosovës.”

Eshtë e qartë pra, që mu KQZ e Kosovës organizon zgjedhjet për trupa komunalë që do të veprojnë konform ligjeve të Kosovës, në tërë territorin e Kosovës. Votat do t’i numron vetëm KQZ dhe askush tjetër dhe rezultatet do t’i shpall KQZ.

Nuk ka vend për dualitet dhe nuk ka vend për ambiguitet ligjor. Kuvendarët e rinj do të operojnë sipas ligjeve të Kosovës e në rastet e krimit, do të jenë përgjegjës para gjykatave kosovare. Financat do t’ua kontrollojë Auditori i Kosovës. Rrogat do t’u paguhen nga buxheti i Kosovës, nëpërmjet bankave të licencuara kosovare. Vendimet e tyre do të sfidohen ne Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

Ja që nuk ka vetëm në Serbi kundërshtues të marrëveshjes që thirren në patriotizëm dhe moral.

Shumica e kosovarëve sipas një sondazhi ndërkombtar përkrahin dialogun me Serbinë, por zhurma e atyre që kundërshtojnë është më e madhe. Për këtë ka pak faj edhe Qeveria, ku merr pjesë edhe autori, sepse nuk kemi zëdhënes e shpesh edhe mungesë të komunikimit direkt dhe “shkurt e shqip” për cështjet e komlikuara si amnestia për ata që kanë kundërshtuar rendin kushtetues, apo cështja e dukjes së fletëvotimeve.

Zhurma tani është fokusuar në cështje jo të rëndësishme të integrimit, por në debat rreth dizajnit grafik. A do të kenë apo jo stemën e Kosovës në logo tek fletat e votimit?

Mu ata që kanë përqeshur stemën e Kosovës dhe mu ata që kategorikisht rrefuzojnë ta pranojnë stemën si legjitime, tani janë bërë mbrojtësit më të mëdhenj të simbolit shtetëror.

Na quajnë si gënjeshtarë apo tradhtarë neve që e kemi mbrojtur stemën nga dita një e pavarësisë dhe që na mbushet zemra mal kur ta shohim flamurin e Kosovës tek Xherdani Shaqiri në stadion apo tek Rita Ora në MTV.

Janë kundër gjithckaje që bën kjo qeveri, edhe kur arrihen rezultate të mira, e edhe kur bëhen oportunistë politikë duke shkelur principet e veta për hir të ndonjë goditje të ulët Qeverisë. Citojnë ligje kotnasikoti, se nuk lexojnë ligje apo lexojnë cka kanë qejf e jo cka shkruan zezë në të bardhë.

UBT

Ndërsa Ligji për simbole të Kosovës mjaft saktësisht përshkruan se ku përdoret stema zyrtare, por fletëvotimi nuk përmendet kund. Me asnjë referencë te vetme.

Dikush pohon se fletëvotimet janë “dokumente zyrtare” dhe si të tilla duhet pasur stemën. Mendoj se edhe ky pohim del i gabueshëm. Dokumentet zyrtare me stemë, nënshkruhen, vulosen dhe modeomos arkivohen. Fletëvotimet pas numrimit dhe certifikimit shkatërrohen fizikisht. Pra, shkatërrohet edhe stema e printuar në to, fund jo bash dinjitoz i simboleve shtetërore.

Ambasadori Reichel, përfaqësuesi personal i Kancelares Merkel i angazhuar për Ballkan, Kaukaz dhe Turqi, i promovuar në atë pozitë për shkak të rezultateve të shkëlqyera si Ambasador në Kosovë në një periudhë jashtzakonisht sensitive më 2011 e 2012, e tha edhe një fakt: Në Gjermani fletëvotimet nuk kanë fare logo.

Në të vërtetë, nëse hyni në Google dhe shikoni fletëvotimet nëpër botë, një shumicë e madhe nuk kanë logo. As ato për President të Amerikës, por as të shumicës se shteteve. Disa pak edhe kanë logo, por fletëvotimet janë kryesisht pa asnjë element grafik, të bardha, më shkronja të zeza. Ka arsye të shëndoshë për këtë – votuesit votojnë për partitë dhe kandidatët e jo për logon e shtetit a komunës.

Kështu u ndez parvjet edhe debati për targa të automjeteve. U shkruan artikuj të flaktë me shumë pasione se u fshi logoja nga tabelat e automjeteve kosovare duke u zbehur edhe shtetësia. E vërteta ishte mu e kundërta. Ama bash krejtësisht e kundërta. Me marrëveshjen për targa u konfirmua se i vetmi subjekt që ka të drejtë të lëshojë tabela është MPB e Republikës së Kosovës e cila përdor dy dizajne, një për shumicën e qytetarëve që preferojnë më RKS, dhe një me KS për një grusht sosh që kanë të drejtë mos t’a dojnë R’në. Mu ashtu sic në Britani, disa tabela kanë flamurin e BE-së, por ka britanez të shumtë që kanë tabela pa flamurin me yje. Sovraniteti pra u konfirmua nëpërmjet ofrimit të opsioneve nga autoriteti shtetëror ekskluziv, e jo nëpërmjet reduktimit absolutist dhe komik të shtetit në simbolizma vend e pa vend.

Stema e vendit është simbol vultivokal shumë i rëndësishëm për ngjizjen e shtetit dhe si projeksion i patriotizmit konstitucional e jo atij etnik. Pra një dëshurie të madhe për shtetin e ri e cila do të duhej të ishtë po aq e fuqishme sa dashuria ndaj etnisë. Në pasaporta e leternjoftima, në identifikime policësh dhe fanela sportistësh është obligative. Në korrespodencë shtetit, nota verbale, komunikim formal zyrtar në letër – është esenciale. Në spote muzikore dhe lajme turistike nga Kosova është e dëshirueshme. Në targa është opsionale. A nuk do të duhej të ishte logoja poashtu opsionale në fletëvotime?

Nëse një grup qytetarësh jo edhe aq i vogël, që 15 vite rresht e ka rrefuzuar ligjin e Kosovës, zgjedhjet në Kosovë, policët kosovarë, doganierët kosovarë, institucionet sipas Ahtisarit dhe të cilët kanë qenë edhe burim, por edhe viktimë e tensioneve etnike dhe grupeve kriminale, sot thonë – OK, ja po i pranojmë zgjedhjet sipas sistemit kosovar, ja po i pranojmë komunat me kompetenca ahtisariane, po i pranojmë edhe gjykatat dhe një ligj në Kosovë, por dëshirojmë të kemi fletëvotime të bardha! Si t’ja bëjmë?

Dikush mund të thotë, por si mundet një pakicë të bën kushtëzime? Një ditë mundet “dikush” të insiston në logo të Serbisë, apo të Marsit apo Neptunit. Prandaj, Qeveria e Kosovës duheshka të tregohet më e fortë edhe se Partia e Fortë dhe Halil Budakova bashkëdhe t’i thotë JO-në e madhe këtij 5% që rrefuzon logo.

Ky argumentim është një falaci logjike natyrisht. Kërkesa nuk ëshë të vihen logo tjera apo të përqeshet procesi dhe fletëvotimi. Kërkesa është të ketë minimalizëm në fletëvotim. Fletë e bardhe me shkronja të zeza, mundësisht e shtypur me teknologji që nuk lejon falsifikimin.

Partisë më të madhe në Kosovë realisht i konvenon zhurma nga një pjesa radikale e opozitës politike që konsiston nga një amalgam i përcudnuem e joprincipiel i një partie nacionaliste, një gazetë kuazi-nacionaliste dhe 2-3 OJQ wannabe-nacionaliste me më pak se 30 aktivista total.

Këta janë të vetmit që nuk pritojnë t’i lëjnë makiatot për të protestuar [qoftë edhe me dhunë verbale dhe fizike] kundër marrëveshjes. Këta e përkrahin njëra tjetrën në kundërshtim të progresit, dialogut dhe integrimit të veriut në shtetin e Kosovës dhe ja bëjnë “like” njëra tjetrës në rrjete sociale dhe fletushka partiake, me një mendësi të mbyllur dereistike. E ndajnë qytetarinë në dy grupe dhe pavarësisht politikave, këshillave të miqëve ndërkombëtarë dhe realitetit në terren, insistojnë në këtë ndarje, të mbetur nga shekulli i kaluar. Deri në vetëshkatërrim.

Sulmet e tyre ndaj komponenteve të Marrëveshjes dhe dialogut janë aq absurde, iracionale dhe ad hominem sa që PDK dhe Qeveria forcohen si aktorë kredibilë dhe stabilë ndërkombtarë, ndërsa lideri i partisë që solli lirinë dhe pavarësinë Hashim Thaci tashmë po përmendet edhe si kandidat i mundshëm për cmimin Nobel për Paqe nga gazeta të vërteta si The Economist dhe The New York Times. Këto ditë, i relaksuar për sukseset e 2013,po pret edhe homologun e vet Edi Rama në Dokufestin e bukur që sivjet fatmirësisht morri ndihmë rekorde financiare nga Qeveria qendrore.#Urimedhesuksese.