Mobi Casa

Kryeziu : Në Miresh ka pasur investime shumë serioze

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ekrem Kryeziu kryetar i nëndegës së PDK-së dhe kryetar i këshillit të fshatit në Miresh thotë se në këtë fshat ka investime serioze dhe nuk ka munguar përkushtimi i Qemajl Mustafës për të realizuar shumë projekte që e kanë ndryshuar pozitivisht jetën në këtë fshat.

Derisa Ibish Ibishi këshilltar komunal nga radhët e AAK-së një ditë më herët tha për rajonipress se në fshatin Miresh nuk ka pasur investime dhe se ka munguar përkushtimi i institucioneve komunale për të investuar në fshatra, kështu nuk mendon Ekrem Kryeziu kryetar i nëndegës së PDK-së dhe kryetar i këshillit të fshatit Miresh.

Kryeziu për rajonipress shpalos të gjitha projektet që janë realizuar nën udhëheqjen e Qemajl Mustafës. Kryeziu tha se në fshatin Miresh ka pasur investime shumë serioze dhe nuk është e vërtetë se ka munguar përkushtimi i udhëheqësve komunal e në veçanti i Qemajl Mustafës i cili personalisht e ka vizituar disa herë fshatin Miresh dhe ka ndihmuar në shumë projekte të cilat e kanë ndryshuar për të mirë jetën në këtë fshat.

Kryeziu thotë se pavarësisht se është investuar shumë në këtë fshat ai mendon se ka pasur mundësi që të bëhet edhe më tepër, por buxheti i limituar e ka kufizuar pushtetin komunal që të realizojë më shumë projekte. “Unë publikisht e falënderoj dhe e përgëzoj për gjithë atë që ka bërë për qytetarët e Mireshit, Qemajl Mustafën i cili për këto 5 e 6 vite ka bërë shumë për Mireshin”.

Kryeziu tha se projektet e shumta të realizuara në Miresh janë të prekshme , kurse thotë se është i befasuar me Ibish Ibishin se si nuk i sheh dhe nuk i ndien këto projekte.”Unë e kuptojë se tani është koha e zgjedhjeve , por gjërat e mira duhet të pranohen” thotë ai.

Kryeziu tha se në Miresh ekziston Këshilli i fshatit i cili përbëhet nga liderët e të gjitha subjekteve politike dhe vendimet merren me koncenzus. Këshilli funksionon në mënyrë të shkëlqyeshme.

FIDANISHTJA

Për të dëshmuar përkushtimin e PDK-së dhe të udhëheqjes komunale në Miresh , Kryeziu ka ofruar disa nga projektet më të rëndësishme të realizuara.

Investimet në Miresh 2007-2013 sipas Kryeziut janë Ujësjellësi me vlerë prej 205. 000 euro, bashkëfinancim i CDI, Komunës dhe qytetarëve të Mireshit, pastaj kyçjet individuale të ujësjellësit me vlerë 48 000 euro(investim i komunës), asfaltimi i rrugëve të fshatit me gjatësi rreth 2000 metra me vlerë rreth 151 000 euro (investim i Komunës), asfaltimi i rrugës së varrezave dhe rrugës së shkollës me gjatësi 362 metra me vlerë 32 000 euro(investim i Karitasit dhe Komunës), rregullimi i fushës së futbollit me vlerë prej 35 000 euro(investim i komunës), rregullimi i fushës së basketbollit, trotuareve të shkollës dhe parkingut me vlerë prej 25 000 eurove (investim i komunës) , kopshti i shkollës me vlerë prej 6 000 euro(investim i Karitasit dhe komunës), ndriçimi publik me vlerë prej 9 000 eurove (investim i komunës), punëtoria e rrobaqepësisë me vlerë prej 12 000 euro(Karitasi dhe komuna), instrumentet, veshjet dhe zërimi për SHKA me vlerë 12 000 euro (investim i Karitasit dhe komunës ), nxehja në ambulantë, renovimi i ambulantes, mirëmbajtja e parkut , bartja e nxënëseve të Mireshit të vogël me kombibus për në shkollë dhe anasjelltas, trotuari dhe parkingjet përgjatë rrugës kryesore me vlerë prej 52 000 euro, parku të xhamia e re me vlerë 6000 euro, rrethoja te stadiumi me vlerë prej 12 000 euro, rrethoja te fusha e futbollit te shkolla, asfaltimi i pjesës së mbetur të rrugëve pritet me fillue.

Kryeziu ka përmendur edhe projektin e shtratit të Lumit me kanalizimin kryesor nëpër lum me vlerë prej 288 000, vetëm projektuesit komuna i ka paguar 5 700 euro , ndriçimi publik në Miresh të vogël, bina te shkolla (Shoqata 17 Shkurti 500 euro dhe Këshilli i Fshatit 320 euro), kubëzat te Xhamia e Re (Shoqata 17 Shkurti 1100 euro Këshilli i Fshatit 900 euro).

“Këto projekte janë bërë gjatë qeverisjes së PDK-se deri me tani, dhe është në procedurë këto ditë edhe asfaltimi edhe i një pjese të mirë të rrugëve në Miresh dhe gjithashtu pritet të asfaltohet me bashkëfinancim edhe rruga Miresh – Bukovik. Për urën mbi lumin Morava unë besoj që në rastin e parë që komuna do të ketë buxhet do ta rregulloj” thotë Kryeziu.

Kryeziu tha se kryetari i Komunës Qemajl Mustafa e ka inspektuar personalisht urën dhe problemin e urës e ka të njohur. Kryeziu tha se vetë fakti se janë realizuar kaq shumë projekte dhe shfrytëzues të tyre janë të gjithë qytetarët pa dallim vetëkuptohet që investimet nuk janë kryer në baza partiake./rajonipress/

Mund të ju interesoj: