Eko Higjiena

Hajnia në gjen

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Gjuha shqipe, pavarësisht se flitet vetëm në Ballkan, dhe atë nga një grusht shqiptarësh, prapë duket se efektet e saj janë shumë më të mëdha. Madje, disa nga frazat antologjike të shqipes i gjen gjithandej vendeve të Evropës, duke filluar nga Greqia e deri te Britania e Madhe.

Fjali shqipe gjen kudo nëpër lokale afariste e tregtare, por natyrisht që jo nëpër shënjimin e rrugëve. Fjala e vetme është ajo: “Ju lutem mos vidhni”.

Pas kësaj fjale, shumëkush pyet se a kanë të drejtë që popujt evropianë të na ngjesin bishtin, epitetin e hajnit?. Kjo fjali për shumëkënd është fyese, sepse pothuajse një popull e etiketon me vesin e kleptomanisë, por për menaxherët e lokaleve është e arsyeshme, sepse shqiptari “ta lëshon mjekrën”.

Analizuar me gjakftohtësi, duket se si komb jemi bërë për analiza, apo siç thotë populli “me na shkri plumb”.

Paramendojeni, autostrada Ibrahim Rugova, e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare, e cila i ka kushtuar Kosovës mbi 600 milionë euro, ka filluar të keqpërdoret, ose thënë ndryshe, të vidhet nga kosovarët. Akoma pa nisur mirë të funksionojë i janë lëshuar hajnat, duke i vjedhur kabllot e ndriçimit, rrethojat, madje paramendoni, i kanë marrë edhe trafot e rrymës. Në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se dëmi që hajnat ia kanë bërë autostradës kalon 1. 5 milionë euro.

Ky është dëmi material, pa e konsideruar dëmin moral që hajnat ia kanë shkaktuar udhës së kombit. Ndërsa e zeza tjetër nga këta hajna ordinerë kriminalë është se rruga, ku shpejtësia e lejuar është 130 klm/h, ka mbetur në terr. E duke mbetur e tillë, edhe pa rrethoja, në autostradë hyjnë kafshët e egra e të buta, duke e shndërruar “krenarinë kombëtare” në “gijotinë” për prerjen e kokave për kalimtarët e natës.

Prandaj nuk e di nëse ka logjikë që nga “vakëfi” të merren rrethojat dhe të vidhen kabllot e ndriçimit për t’i shitur më pas për skrap.

Fundamenti

Kjo është marrëzia më e madhe që mund t’i bëhet popullit shqiptar, e në veçanti Kosovës si shteti më i ri në Evropë.

Edhe pse hajnia nuk është vetëm në Kosovë, prapë vjedhjet në autostradë e nxjerrin Kosovën me shumë plagë, të cilat u kullojnë përditë.

Edhe në Shqipëri është e njëjta situatë, madje atje shqiptarët edhe me kallashnikovë dalin në rrugë për t’i plaçkitur bashkëkombësit e vet që shkojnë për pushime në bregdet, duke u bërë top-lajm për çdo javë. Para dy ditësh, lajmi që mori dheun ishte vrasja e një 35 vjeçari në Tiranë. Viktima bashkë me një kolegë tjetër kishin shkuar për ta plaçkitur një shtëpi private, por “fatkeqësisht” ishte parë nga roja e cila e kishte qëlluar për vdekje.

Këto lajme të kronikës së zezë, siç thoshte me ironi një mik, metaforikisht japin shumë arsye që të studiohet ADN-ja kombëtare, nga ai pellazgu i moçëm e deri sot, se mos hajninë e kemi në gjak-traditë. E nëse është kjo, atëherë s’na mbetet gjë tjetër përveç me marrë një shami nga Eqrem Kryeziu dhe me vajtuar ditë e natë.

Në këtë botë pizevengësh, ka faj edhe Policia dhe Prokuroria e Kosovës, që nuk i gjobitin hajdutët. I zë me pelë për dore, por siç thonë në Shqipëri “askush nuk e vok ujin” që këta hajna të dënohen për dëmet e mëdha që po i bëjnë Kosovës, si nga aspekti financiar, e po ashtu edhe moral e kombëtar.

Duke raportuar si media për hajninë në autostradë, nuk duhet të befasohemi nëse nëpër lokalet e Evropës sërish e shohim me shkronja “bolld”: Ju lutem mos vidhni”…Sepse ne vjedhim…