KKVITI

Molliqaj: Gjilanin do ta fitojmë pa balotazh

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Gjilanin presim ta fitojmë pa balotazh për shkak të disponimit aq të madh që e shohim në këtë komunë dhe në përkrahjen masive për Lëvizjen nga gjilanasit ka thënë Dardan Molliqaj.

Qendra e Lëvizjes VV! në Gjilan ka shënuar 8-vjetorin e themelimit. Me rastin e përvjetorit të Qendrës, u thirr një takim mobilizimi për të gjithë anëtarët dhe aktivistët dhe më pas, u mbajt një aheng festiv me përkrahësit dhe mysafirët e ftuar, nën tingujt e një grupi të njohur muzikor nga Gjilani.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Qendrës, duke folur për 8-vjetorin e themelimit, falënderoi të gjithë anëtarët dhe aktivistët të cilët që nga 20 gushti i vitit 2005 u angazhuan në forcimin dhe krijimin e strukturave të Qendrës, e deri te aktivistët më të rinj që hynë në radhët e Lëvizjes në Gjilan. “Lëvizja Vetëvendosje! për këto 8 vite ka arritur të bëhet subjekti më i përkrahur politik në komunën e Gjilanit, falë punës së punës së palodhshme të themeluesve të saj dhe anëtarëve e aktivistëve që Lëvizjes iu bashkuan më vonë. Përkrahja aq e madhe e Lëvizjes nga ana e qytetarëve të Gjilanit po e rritë përgjegjësinë tonë karshi anëtarëve, simpatizantëve, por edhe atyre qytetarëve të Gjilanit të zhgënjyer nga pushteti aktual. Është detyrë e jona t’ua themi qytetarëve të zhgënjyer me pushtetin aktual politik se ne jemi të vendosur që për Gjilanin të punojmë, ndershëm, profesionalisht dhe me efikasitet, duke respektuar ligjet, procedurat dhe kriteret në çdo situatë dhe për të gjithë njësoj. Ne do të angazhohemi për zhvillim ekonomik dhe do t’i përkrahim kategoritë e rrezikuara sociale” – u shpreh Kurteshi.

UBT

Shefi i shtabit zgjedhor, Nevzad Isufi, duke folur për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve të shpallura më 3 nëntor dhe nevojën për angazhim maksimal të të gjithë anëtarëve dhe aktivistëve, informoi këta të fundit për të gjitha përgatitjet që po bëhen brenda Qendrës dhe krijimin e strukturave që do të punojnë në shtabin zgjedhor.“Secila pikë njëkohësisht do të jetë shtab zgjedhor duke u integruar në Shtabin e Përgjithshëm Zgjedhor. Secili kandidat për këshilltar komunal, në fakt është edhe anëtar i shtabit të pikës, aty ku është edhe anëtar. Kemi krijuar edhe strategjinë e veprimit për secilën fazë: atë parazgjedhore, zgjedhore dhe ditën e votimit. Prandaj, sot jemi këtu për t’i mbledhur forcat në mes nesh dhe detyra jonë është që të identifikojmë votuesit e sigurt e të lëkundshëm, t’ua prezantojmë qytetarëve alternativën tonë qeverisëse lokale dhe të vazhdojmë të kontaktojmë me qytetarët ashtu siç kemi bërë edhe para fushatave zgjedhore, duke qenë vazhdimisht aktiv dhe zë i tyre” – theksoi Isufi.

Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i Lëvizjes VV tregoi për përgatitjet që po bëhen në të gjitha qendrat e Lëvizjes në nivel të Kosovës dhe për nevojën që të punohet sa më shumë në terren, në kontakt me qytetarin.“Duhet të flasim sa më shumë me qytetarin në terren dhe vetëm me organizim të fortë arrihet fitorja për ndryshime të mëdha. Organizimi i mirë, kontakti me qytetarët, terreni, janë çelësi kryesor i suksesit” – pohoi Molliçaj, duke i porositur aktivistët se Qendra në Prishtinë do ta jap maksimumin në mbështetjen e të gjitha qendrave të Kosovës, e veçmas të Gjilanit. “Gjilanin presim ta fitojmë pa balotazh për shkak të disponimit aq të madh që e shohim në këtë komunë dhe në përkrahjen masive për Lëvizjen nga gjilanasit” – deklaroi Molliqaj.

Ndërsa deputeti dhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes VV!, Visar Ymeri, u përqendrua më shumë në profilin e këshilltarit komunal që do të jetë nesër pas zgjedhjeve. “Këshilltari ynë komunal duhet të jetë i zë i konceptit tonë, zë i qytetarëve, i sinqertë, i vendosur, i guximshëm dhe të jetë vazhdimisht pranë qytetarit. Asambleisti jonë duhet të përpiqet që ta ndryshojë rrënjësisht mënyrën e përfaqësimit të kërkesave të qytetarëve dhe pas fitores së ulëses, edhe më shumë të jetë me qytetarin dhe pranë tij. Pasiviteti i asambleistit është po ashtu abuzim me votën e qytetarit, prandaj asambleistët tanë i prêt një angazhim maksimal” – u shpreh Ymeri, teksa po fliste për synimet e Lëvizjes që asambleistët në radhët e veta, t’i ketë zë të njëmendët të qytetarit./rajonipress/

Mund të ju interesoj: