Eko Higjiena

Pse Gjilanasit duhet t’a zgjedhin Lutfi Hazirin – kryetar

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Nexhat Hajrullahu – Duke e parë garën për të parin e Gjilanit si mjaft konkurrente dhe interesante, dhe sidomos kthimin e Lutfi Hazirit nga qendra për t’i shërbyer qytetit të tij, një gjë që nuk ka pushuar për t’a bërë në të gjitha pozitat e tij udhëheqëse, padyshim se qytetarët do të kenë rolin e tyre kryesorë përmes votës ta përcaktojnë vullnetin e tyre të zgjedhjes.

Pa i mohuar vlerat e kandidatëve të tjerë dhe partive të tjera që i kanë nxjerrur, kandidatura e LDK-së me Lutfi Hazirin besoj se mbetet kandidatura më serioze për të parin e qytetit, dhe këtë e argumentoj duke i përmendur vetëm disa nga atributet kryesore për një kandidaturë të fuqishme dhe popullore.

Për shkak të anashkalimit të Gjilanit dhe regjionit të Anamoravës nga niveli qendror nga qeverisja e PDK-së, sot me tepër se kurrë shihet si një nevojë e patjetërsueshme një kandidaturë e fuqishme që do t’ia kthente namin këtij regjioni me potencial të fuqishëm ekonomik dhe zhvillimor. Përvoja politike e Hazirit dhe ndikimi i tij në LDK-në qendrore dhe më gjerë në raport me ndërkombëtarët, e bën atë një lider të pakontestueshëm të Anamoravës.

Programi zhvillimor I LDK-së, me fokus regjionin e Anamoravës, trekëndëshi me komunat e Kosovës Lindore: Preshevën, Bujanovcin e Medvexhën, pastaj Kumanovën, Likovën dhe komunat fqinje të Gjilanit si: Vitia, Kamenica e Novobërda është një program mjaft ambicioz dhe i arritshëm. Roli i liderit të Anamoravës me bashkëpunëtorë në realizimin e këtij projekti do të jetë qenësor dhe kjo është vetëm një nga arsyet kryesore pse Gjilanasit duhet që t’a përkrahin fuqishëm kandidaturën e Lutfi Hazirit për t’ia kthyer namin dhe vendin e merituar regjionit tonë.

Duke e ndërlidhur rolin e tij për fuqizimin e regjionit edhe në disa projekte të mëhershme për trekëndëshin kufitar Gjilan-Kumanovë-Preshevë, alternativa më e mirë dhe e pakontestuar padyshim se mbetet ajo e Lutfi Hazirit. Në këtë kontekst, LDK do t’ë mundohet të përafrojë qëndrimet me të gjitha partitë opozitare që mund të bëhen pjesë të bashkëqeverisjes, duke i bashkërenduar edhe elementet pozitive të programeve të tyre për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, infrastrukturor, kulturor e sportiv.

Raportet e shkëlqyeshme të Hazirit me ndërkombëtarët, përvoja e tij e madhe e krijimit të miqve potencialë, janë një mundësi e mirë që Gjilanasit duhet ta shfrytëzojnë. Kjo sigurisht se do t’iu kthehet atyre me investime më të mëdha, ardhjen e investitorëve të huaj, përmirësimin e ambientit biznesor dhe afarist, fuqizimin e bizneseve të regjionit dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës përmes një partneriteti të mirëfilltë qeveri komunale-komunitet i biznesit. Kjo do të bëhet me një qasje krejt tjetër që do ta ketë LDK ndaj bizneseve, krahasuar me qasjen ngulfatëse dhe mbytëse që kjo qeverisje aktuale ka zhvilluar ndaj tyre për këto dy mandate.

ARKATANA

Programi multidisiplinar i LDK-së, ekipi i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm si dhe garanti I këtij ekipi, vet Lutfi Haziri janë alternativa më bindëse që qytetarët e kanë mundësinë për ta përkrahur në mënyrë masovike, që t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur nga ky pushtet qytetarëve të Anamoravës përmes rritjes së investimeve, krijimit të parakushteve për zhvillim të qëndrueshëm, hapjes së arterieve dhe korridoreve me zonat kufitare. Pra, nga izolimi i tanishëm i regjionit mund të hapet perspektiva ekonomike, qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve, ri-industrializimi dhe shtimi i bizneseve prodhuese që gjenerojnë punësime më të mëdha dhe të qëndrueshme në sektorë të ndryshëm që ndërlidhen me pozitën mjaft të përshtatshme gjeografike dhe me tokat pjellore me kapacitet mjaft të madh prodhues.

Ndryshimi në qasje ndaj bizneseve nga ana e LDK-së, krahasuar me raportet klienteliste që ka krijuar pushteti aktual janë prerogativë se forcat progresive në krye me LDK-në duhet të vijnë në pushtet dhe t’a forcojnë shtetin me njerëz të aftë, atdhetarë të mirëfilltë që e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, që ia donë të mirën këtij vendi duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim shtrese dhe regjioni, fisi e gjaku, feje e rrëfeje.

Andaj ftojmë të gjithë qytetarët, të gjithë bashkatdhetarët, intelektualët si dhe grupet dhe organizatat joqeveritare që t’i bashkëngjiten projektit të LDK-së për zhvillim ekonomik, komunë të fortë dhe shtet të fuqishëm ligjor, të integruar në struktura ekonomike regjionale dhe më gjerë.

Bëjmë thirrje të sinqertë që së bashku të ndërtojmë një model qeverisës evropian ku në fokus të jetë interesi i përgjithshëm qytetar dhe jo ai grupor a klanor.

Ndërtimi i një sistemi të bazuar në vlera dhe mundësi të barabarta, është parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe LDK ka përvojën dhe formulën më të mirë për t’i futur të gjitha kapacitetet intelektuale, njerëzore dhe materiale në favor të progresit dhe të zhvillimit.