Hisedarët e krimit
Nga Arbana Xharra – “Lufta” për Prishtinën nis së shpejti. Tri grupe janë në garë, secili prej tyre tashmë është bërë ekspert i fushës së vet. Për më shumë se një dekadë, ata janë perfeksionuar në zhvillimin e krimit të llojit të vet; mafia e ndërtimit, ekspertët e keqpërdorimit të parasë publike, dhe haraç-kërkuesit.
Ata do të “luftojnë” për qytetin që deri me tash ka pasur hise për të gjithë, aty ku krimin e ndërtimit e zhvillojnë pozitë e opozitë bashkërisht, por njërës i duhet të mbajë bajrakun.
Për më shumë se një dekadë, tashmë të gjitha partitë kanë përfaqësuesit e tyre zotues të tokave, pronave e ndërtesave që vlejnë me qindra miliona euro.
Ky është qyteti, ku keqpërdorimet me prona bëhen me leje, ku financuesit e partive politike kundërshtare janë ortakë të përbashkët në bizneset e tyre ilegale.
Hektarët e Prishtinës janë në duart e bosëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Prishtina zyrtarisht është bastion i LDK-së, dhe nuk ka rëndësi se kush e fiton atë, sepse në biznes tashmë ka shumë hisedarë.
Të gjitha partitë zyrtarisht flasin për “konceptet e tyre zhvillimore të Prishtinës”, por asnjëra deri me tash nuk ka kërkuar që të hapen dosjet e tokave; kush janë pronarët e tyre, si u tjetërsuan tokat shoqërore, kush po bën biznes me to, kush fshihet pas kompanive të ndërtimeve…
Këto pyetje nuk i bëjnë, sepse iu tremben përgjigjeve, atyre që mund të nxjerrin shumë emra të mëdhenj. Ata i frikësohen dënimit të krimeve, sepse keqpërdorimet nuk e kanë vetëm një adresë.
Zyrtarisht, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka fuqinë e votave në kryeqytet, por pushtetin jozyrtarisht e ndan edhe me të tjerat. Kjo parti edhe mund të vazhdojë të besoj se kryeqyteti është bastioni i saj, por fuqinë financiare e ka edhe dikush tjetër.
Pak ka rëndësi për qytetarët e Prishtinës se kush do t’i fitojë këto zgjedhje, mafia e ndërtimit ka lulëzuar me izën e kreut të LDK-së, kushdo që zyrtarisht vjen në krye të saj, nuk mund ta ketë fuqinë që të ballafaqohet me “paranë e gatshme” që e sjell grupi i përbashkët i partive të mëdha në këtë vend.
Kush është ai i cili mund ta shpëtojë Prishtinën nga kaosi? Kur kjo është vetëm frazë politike, sepse partitë e duan pikërisht këtë Prishtinë, e cila është mundësi për zhvillimin e krimit të ndërtimit dhe rritjen e biznesit të tyre të jashtëligjshëm.
Partitë pretendente për të qeverisur na kanë treguar tashmë sesi udhëhiqen komunat; PDK me kryetarët e saj të zhytur deri në fyt në keqpërdorime e krim të organizuar, AAK me haraç- kërkuesit ekspertë të “zhvillimit të biznesit” dhe LDK me Prishtinën e denigruar.
Dorën në zemër, kushdo që caktohet kandidat për këtë garë nga shefat e partive, nuk do ta ketë të lehtë. Ai do të duhet t’iu japë “xhevap” atyre që shqyejnë bashkërisht govatat e mishit pas mesnate…
Sepse ata që janë pjesë e kësaj loje nuk mund dot të heqin lehtë dorë nga ndikimi që kanë shtrirë në këtë treg. Prishtina tashmë është ndarë në zonat që kanë shefat e saj, secili ka territorin e vet…


