ARKATANA

Rrahmani: Gjendja në shëndetësinë gjilanase e rëndë dhe e pashpresë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i LDK-së konstaton edhe një herë se gjendja në këto fusha shumë të rëndësishme për jetën normale të qytetarëve është shumë e rëndë dhe a pa justifikueshme. Gjendja në të cilën është sjellur shëndetësia, e në veçanti shëndetësia primare është e rëndë dhe e pashpresë për popullatën dhe aspak e dinjitetshme për personelin shëndetësor ka thënë Imet Rrahmani kryetar i komisionit për shëndetësi në kuadër të LDK-së.

Rrahmani tha se kjo gjendje e tanishme është paralajmëruar edhe shumë herë dhe shumë kohë më parë nga ana e LDK-së, gjithnjë duke u bazuar në qasjen jo të drejtë ndaj shëndetësisë dhe gjendjes sociale nga Qeveria Komunale në përgjithësi e sidomos nga DSHMS-ja në veçanti.“Sot, jemi duke përjetuar një situatë të vështirë që lehtë ka mundur të shmangej sikur s’paku të merreshin me kohë parasysh rekomandimet dhe vërejtjet shumë të argumentuara që kohë pas kohe janë bërë publikisht nga ana e LDK-së. Po e rikujtojmë edhe njëherë se kjo Qeveri në ikje shëndetësinë asnjëherë nuk e ka trajtuar me prioritetin e duhur. I tërë veprimi ka qen i pa planifikuar, pa program të specifikuar zhvillimor, pa vizion në implementimin e konceptit të Mjekësisë Familjare, pa projekte kualitative dhe efikase në promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve”.

Natyrisht, kur kësaj i shtohet edhe ndarja e buxhetit të pamjaftueshëm dhe keqmenaxhimi i tij, diku nga mos dija e diku me qëllime të qarta të përfitimeve të poenëve politik,nuk kemi mundur të presim një gjendje më të mirë në fund të fundit. Në këto rrethana kur çdo gjë doli për fushe, mjafton të rikujtohet dëmi që i është bërë buxhetit të QKMF-së me të ashtuquajturën “Lista e Kryetarit” dhe me Projektin e Shërbimeve shëndetësore në familje. Një qasje e tillë ka bërë që në vitin 2013 DSHMS-ja ka hy me 113.135.33€ borxh ,prej të cilave 93.411.31 vetëm QKMF-ja.

Rrahmani mendon se përpos kësaj kjo qeverisje ka dështuar në menaxhimin e resurseve ekzistuese profesionale dhe kapaciteteve infrastrukturore. “Emërimet në poste menagjeriale dhe rekrutimet e kuadrove të ri janë bërë kryekëput në baza partiake, e jo duke u bazuar në vlerat reale profesionale dhe njerëzore. Të kujtojmë konkurset, respektivisht anulimet e shpeshta të tyre dhe ndryshimet e kritereve brenda natës, konform kushteve të kandidatëve të paracaktuar për pranim. Lëvizjet e shpeshta dhe të panevojshme të personelit të lartë dhe të mesëm nga qendra në qendër kanë ulur në përmasa shqetësuese performancën e punëtorëve shëndetësorë dhe satisfaksionin e pacientëve.Ka edhe raste kur nga pakujdesia menagjeriale është mbyll komplet shërbimi për shkak të pushimeve vjetore, siç ka ndodh me Shërbimin që ende s`po merr veten, i ashtuquajturi shërbimi në familje. Shumë QMF dhe AMF ende punojnë me orar “2 orë mjekë në ditë”, disa edhe më rrallë. Shembulli më ilustrativ i keqmenagjimit të infrastrukturës ekzistuese është mbyllja e AMF –së në fshatin Livoç i epërm, si pasojë e pa aftësisë së funksionalizimit të saj me vite”.

ARKATANA

Rrahmani tha se kohëve të fundit është siguruar pak aparaturë dhe disa pajisje mjekësore, që edhe pse aspak jo të mjaftueshme, së paku janë argument i pakontestueshëm se vërejtjet tona të kahershme kanë qen të vërteta dhe të bazuara në fakte për mungesat e shumta të aparaturës së domosdoshme. “Mungesa e barnave dhe terapisë është problematikë e veçantë që kërkon qasje shumë më serioze dhe shumë më profesionale duke filluar prej mënyrës së furnizimit, deri te distribuimi, ruajtja dhe menaxhimi i tyre. Kjo gjendje edhe do të mund të arsyetohej disi duke ditur përgjegjësitë e ndara në sektorin e farmacisë, por nuk mund të justifikohet assesi tentimi i pushtetarëve që të anashkalohet kjo problematikë me heshtje dhe me pranimin e mungesës së terapisë dhe nevojën e vazhdueshme të blerjes së saj nga pacientët, si “norm pozitive” e realitetit që po jetojmë. Ndryshe nuk mund të kuptohet komoditeti dhe papërgjegjshmëria e institucioneve komunale karshi këtyre rrethanave”.

Rrahmani ka folur edhe për problemet që hasin çdo ditë pacientët. “Jemi dëshmitar të ngarendjes nga njëri skaj në skajin tjetër të qytetit, i pacientëve për sigurimin e një ampule në orët e vona të natës falë organizimit”të shkëlqyeshëm” të kujdestarive të barnatoreve nga DSHMS-ja.Edukimi i vazhduar profesional, promovimi i shëndetit dhe programet parandaluese të sëmundjeve kanë zënë vend vetëm në disa aktivitete që janë organizuar nga të tjerët dhe kanë shërbyer vetëm për mashtrim vizual dhe dalje në publik sesa kanë qen seriozisht të trajtuara, për shkak se janë organizuar aty për aty, pa efektin e duhur dhe pa vazhdimësi”.

Rrahmani tha se LDK ka hartuar programin qeverisës për periudhën 2013-2017 , i cili është në pajtueshmëri të plotë me nevojat e popullatës, kompetencën profesionale të kujdesit primar shëndetësorë dhe obligimet dhe kompetencat e komunës.“LDK promovon një sistem shëndetësor efikas dhe të qëndrueshëm, të mbështetur në resurset në dispozicion dhe ato në zhvillim e sipër. Angazhohet për një popullatë të shëndetshme , me qasje të barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë pa dallim, me synim arritjen e standardeve më të larta. LDK, synon kthimin e dinjitetit të punëtorëve shëndetësorë, sigurimin e shërbimeve cilësore, të planifikuara dhe të realizuara në mënyrë adekuate përmes qasjes me prioritet në politikëbërje dhe projekte , politikën e përzgjedhjeve të kuadrove , ndarjen e buxhetit , vazhdimin dhe avancimin e implementimit të mjekësisë familjare , ruajtjen e ambientit dhe zhvillimin e programeve promovuese të shëndetit dhe atyre për parandalimin e sëmundjeve ,vazhdimin e trajtimit të nevojave sociale të popullatës dhe përmbushjen e obligimeve ligjore karshi shfrytëzuesve të shërbimeve dhe popullatës” ka thënë Rrahmani./rajonipress/

Mund të ju interesoj: