Gratë e Vitisë bëhen pjesë e planifikimit të buxhetit komunal
Gjilan – Me qëllim që edhe gjinia femërore të jetë pjesë e planifikimit të buxhetit komunal për periudhën 2014-2016 komuna e Vitisë në bashkëpunim me grupin e grave të kësaj komune ka mbajtur një diskutim publik ku gratë vitiase kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat për investime kapitale.
Ndër tjerash gratë e këtij grupi janë njoftuar edhe për shpenzimet e buxhetit komunal gjatë këtij viti si dhe rreth procesit të planifikimit të buxhetit për vitet në vijim dhe atë me theks të veçantë për vitin 2014. Ky takim është organizuar nga Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Grupin e Grave në Viti dhe është moderuar nga bashkëpunëtori i projektit LOGOS për këtë komunë Ibrahim Sefedini.
Zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë Abdyl Bajrami tha se ky takim është mbajtur në kuadër të diskutimeve publike të cilat komuna i ka zhvilluar në 10 fshatrat e kësaj komune .
Ai tha se më parë planifikimi i buxhetit është bërë nëpër zyre , por tani komuna është duke e bërë këtë planifikim në bashkëpunim me qytetarët e saj.“Qe tri vite kemi filluar që procesin e planifikimit të buxhetit të bëjmë bashkërisht me qytetarët tanë, por edhe me kategoritë e ndryshme shoqërore e sidomos në vendbanime duke rritur gradualisht numrin e këtyre takimeve.Me ndihmën e këtyre takimeve komuna është e njoftuar lidhur me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve se ku dhe çka duhet të investohet” u shpreh Bajrami.
Ai i ka ftuar gratë vitiase që të shfrytëzojnë këtë takim për të paraqitur të gjitha nevojat e tyre me qëllim që ato të ju paraqitën Kuvendit Komunal kur edhe bëhet aprovimi i buxhetit, por njëherit theksoi se buxheti për investime kapitale është i kufizuar megjithatë ai shtoi se institucionet lokale po bëjnë përpjekje që të bëhet një ndarje e drejtë e buxhetit.
Ndërsa drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Islam Jashari i njoftoj ato lidhur për shpenzimet të cilat deri me tani i ka bërë komuna si dhe lidhur me procesin e planifikimit të buxhetit.
Kryetarja e Grupit të Grave në Viti, Abide Osmani tha se ky grup ka hartuar një listë me rekomandime për investime të cilën ajo sot ja ka dorëzuar autoriteteve komunale. Ndërsa duke folur lidhur me procesin e planifikimit të buxhetit komunal në mes të komunës dhe qytetarëve të saj ajo u shpreh se takimet e tilla janë shumë të rëndësishme për qytetarët me qenë se sipas saj kështu merret parasysh mendimi i tyre. “Pas një përkushtimi dhe angazhimi jashtëzakonisht të madh, të mekanizmave joqeveritarë që punojnë për çështjet e grave dhe në përgjithësi për qytetarët e komunës së Vitisë, pas dy dekadave sakrificë, sot po ndjehem shumë mirë sepse gjërat kanë lëvizur për të mirë, e sidomos në përafrimin e komunës, me shoqërinë civile për të diskutuar për një çështje me rëndësi , ashtu siç është planifikimi i buxhetit të komunës për vitet në vijim”u shpreh Osmani.
Ajo gjithashtu ka shtuar se komuna i ka përkrahur aktivitetet e këtij grupi duke i përmendur edhe mbështetjen financiare në të holla.” Kur jemi tek buxheti i komunës, ajo viteve të fundit i ka përkrahur aktivitetet gjinore, duke i ndarë grupit të grave 800 euro. Që do të thotë se 500 euro janë ndarë nga kryetari në bashkëpunim me drejtoreshën e atëhershme për Ekonomi e Financa, Selvije Rexhepi, e që këto mjete janë lëshuar më vonë nga drejtori i tanishëm i financave Islam Jashari. Ndërsa 320 euro të tjera dhe të fundit janë ndarë në dhjetorin e vitit të lakuar dhe janë lëshuar në mars të vitit 2013, e që të tërat janë shfrytëzuar për aktivitetet e grupit” u shpreh Osmani.
Në fund të këtij takimi është hapur edhe diskutimi publik ku gratë vitiase kanë paraqitur nevojat dhe kërkesat e tyre si dhe kanë parashtruar pyetje përfaqësuesve komunal./rajonipress/


