KKVITI

Marrëveshja në letër

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Këto ditë, mijëra bashkatdhetarë tani po kalojnë kufirin Kosovë-Serbi duke hyrë në vendlindjen e tyre ose duke u kthyer në vendet ku jetojnë e punojnë, kryesisht në Evropën Perëndimore. Si edhe çdo vit tjetër, kolonat e pritjes janë jashtëzakonisht të gjata, dhe në disa raste po rrezikojnë arritjen me kohë të bashkatdhetarëve tanë në vendet e tyre të punës, duke rezultuar kështu me humbje të vendit të punës. Dje zëdhënësi i Policisë së Kosovës i sugjeroi bashkatdhetarët tanë që të kalojnë kufirin me Serbinë nëpërmjet pikave kufitare në Mutivodë dhe Muqibabë ku pritja është më pak se 10 minuta. Përderisa pajtohem se pritjet në këto dy pika kufitare mund të jenë më të shkurtra se sa në Dheun e Bardhë dhe në Merdarë, është joserioze të deklarohet se pritjet janë më pak se dhjetë minuta. Se sa të gjata janë pritjet, kisha mundësinë ta shoh edhe vetë.

Gjatë këtij vikendi, gjatë një vizitë që kisha në Preshevë, shfrytëzova mundësinë që të kaloj kufirin Kosovë-Serbi nëpërmjet pikës kufitare në Muqibabë. Kolona e veturave në pritje ishte jashtëzakonisht e gjatë. Edhe numri i qytetarëve që kalonin kufirin në këmbë ishte shumë i madh. Natyrisht që pritjet nuk bëheshin në pjesën e kontrollit nga policia e Kosovës. Aty të gjithë kalonin shpejt. Por pritjet dhe ndalesat e gjata ishin në kontrollin nga ana e Policisë së Serbisë, të cilët si duket ballafaqoheshin me probleme administrative rreth lëshimit të dokumenteve përkatëse që do të lejonin qytetarët të hyjnë në territorin e Serbisë.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqoheshin bashkatdhetarët tanë kishte të bënte me dokumentacionin. Për fëmijët e vegjël që ende nuk kanë të drejtë të kenë pasaportë, natyrisht që nxirren certifikata të lindjes. Por me sistemin e ri (që u kërkua si pjesë e liberalizimit të vizave) tashmë lëshohen Ekstraktet e Lindjes për fëmijët. Fatkeqësisht, këto dokumente nuk pranoheshin na ana e Policisë së Serbisë. Si rezultat, një numër shumë i madh i bashkatdhetarëve tanë duhej të ktheheshin në Prishtinë apo Gjilan dhe të nxjerrin dokumente të tjera. Pra përkundër deklarimit të Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi se sipas marrëveshjes Serbia e ka për obligim të pranojë ekstraktet e lindjes, në praktikë kjo nuk po ndodhë.

KKVITI

Kjo situatë dëshmon se përkundër kontributit të jashtëzakonshëm që diaspora kosovare ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën, ata akoma nuk kanë trajtim të duhur institucional dhe po vazhdojnë të maltretohen në kufi. Në anën tjetër, po ashtu po dëshmohet se liderët institucionalë po japin deklarata nga Prishtina pa pasur asnjë ide rreth realitetit në praktikë. Më e pakta që do të mund të bënin zyrtarët që janë të përfshirë në arritjen e marrëveshjeve dhe që deklarojnë se ato po zbatohen në praktikë do të ishte që vetë të shkojnë dhe ta shohin këtë realitet me sy. Por këtë duhet ta bëjnë sikur të gjithë qytetarët e tjerë, pra jo me vetura e përcjellje zyrtare që do t’u siguronin atyre kalim pa pengesa. Ata duhet ta përjetojnë pritjen edhe vetë. Atëherë do të binden se në fakt Serbia nuk po i përmbushë obligimet e veta, dhe marrëveshja po mbetet asgjë tjetër pos një dokument në letër që nuk po ndryshon jetën e qytetarëve për të mirë.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)