Mobi Casa

Terrorizimi i shqiptarëve nga shqiptarët

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Bukuria e bregdetit shqiptar sivjet ka zënë vend edhe në disa nga revistat e gazetat më të njohura botërore. Shqipëria konsiderohet ndër destinacionet më të bukura e më të lira për këtë verë. Kjo natyrisht që zgjon kureshtjen e turistëve të huaj që t’i prekin plazhet e shumta (që deri vonë quheshin të paprekshme) shqiptare. Por sikur edhe përgjatë viteve të fundit, numri më i madh i turistëve në Shqipëri vjen pikërisht nga Kosova.

Të tërhequr nga bukuria e bregdetit shqiptar, nga afërsia dhe lehtësia për të arritur deri atje pas ndërtimit të autostradës, e shpeshherë edhe për motive patriotike, shqiptarët e Kosovës ia mësyjnë Shqipërisë me shpresë se do të kalojnë pushime të bukura e të sigurta. Por për shumë familje nuk doli të jetë ashtu. Në fakt, rruga për në Shqipëri, apo në kthim, për në Kosovë, u shndërrua në një tmerr të vërtetë.

Tragjedia në plazhin e Vlorës fatkeqësisht i dha një njollë të keqe turizmit shqiptar dhe krijoi ndjenjën e pasigurisë për turistët e huaj e shqiptarë. Por kjo nuk ishte e vetmja. Frika kryesore e turistëve nga Kosova janë të maskuarit e të armatosurit në “Rrugën e Kombit”, të cilët deri tani kanë keqtrajtuar, vjedhur e tmerruar familje të shumta nga Kosova. Fatkeqësisht ky nuk është viti i parë që po ndodhin dukuri të tilla, por sivjet rastet e tilla janë shumë më të shpeshta. Në anën tjetër, autoritetet shqiptare e panë të udhës të reagojnë vetëm para pak ditësh, kur sezonit turistik pothuajse po i vjen fundi, në vend se të siguronte “Rrugën e Kombit” gjatë tërë kohës sa zgjaste ky sezon, pra qysh nga fillimi i qershorit.

UBT

Injorimi i rasteve të tilla nga institucionet e sigurisë së Shqipërisë kanë dy pasoja kryesore: e para, kjo ka inkurajuar edhe më shumë kriminelët e armatosur e të maskuar që të dalin rrugëve gjatë natës (e herë-herë edhe gjatë ditës) dhe të plaçkitin e terrorizojnë familje nga Kosova, dhe e dyta, kjo ka efekt në numrin e përgjithshëm të shqiptarëve nga Kosova, por edhe turistëve të tjerë, që planifikojnë ta vizitojnë Shqipërinë për pushimet e tyre. Pa dyshim që shumë familje (sidomos ato me fëmijë) e ndryshojnë destinacionin e tyre pasi të dëgjojnë për raste të tilla. Dhe kjo është plotësisht e arsyeshme sepse këto familje e vizitojnë Shqipërinë për të pushuar, e jo për t’u terrorizuar. Në vend se të mendojnë se si t’i kalojnë pushimet më së bukuri, ato tani janë të preokupuara duke menduar se si do të kthehen sigurt në shtëpi dhe cilën rrugë ta marrin për t’u kthyer.

Qasja serioze e autoriteteve shqiptare ndaj këtij fenomeni është më se e domosdoshme. Nëse nuk ndërmerren masa të rrepta të sigurisë për të siguruar “Rrugën e Kombit”, kjo do të ketë pasoja jo vetëm në turizmin veror, por në përgjithësi në numrin e qytetarëve nga Kosova që e vizitojnë Shqipërinë përgjatë tërë vitit. Kemi menduar se ndjenja e tillë e pasigurisë ka përfunduar kur u ndërtua “Rruga e Kombit”, por fatkeqësisht po del të jetë e kundërta. Është e pafalshme, po ashtu, që institucionet e sigurisë së Kosovës nuk e kanë ngritur këtë çështje në nivel të lartë në kontaktet e tyre me institucionet e sigurisë së Shqipërisë. Duhet të reagohet para se të ketë viktima. Terrorizimi duhet të ndalet, para se të bëhet vonë.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)