Fundamenti

Zotëri 10-përqindëshi

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – Titulli mund të ju shtyjë të mendoni për ndonjë ish-ministër, ose për ndonjë që është në detyrë, për ndonjë zyrtar qeveritar aktual ose për ndonjë tjetër që fati e ka hedhur në opozitë, por që megjithatë bën jetë sulltanësh.

Edhe pse keni të drejtë nëse mendja ju ka vajtur te ndonjëri që edhe mund të jetë zënë me “presh në dorë”, është mirë të mos besojmë se kemi të tillë në mesin tonë. Ose, të mos i konsiderojmë të tillë dhe të bëhemi ashtu siç na sugjerohet, lart e poshtë, dhe siç e kërkon ligji – se çdonjëri është i pafajshëm përderisa fajësia e tij apo e tyre nuk dëshmohet në gjykatë.

Ideja është që, me aq sa mundet, të tregohet se prej nga rrjedh ofiqi “Zotëri 10-përqindëshi”, sepse, shpeshherë na ndodh që të përdorim shprehje, ashtu kuturu, pa ia ditur gjenezën.

Një kërkim i shkurtër në internet të mundëson të kuptosh se kjo nofkë i është vënë, besoni apo jo, presidentit aktual të Pakistanit, Asif Ali Zardari. Pas rënies së qeverisë së parë të bashkëshortes së tij, Benazir Bhutto, në gusht 1990, qeveria e përkohshme do të niste hetime për korrupsion ndaj Administratës Bhutto. Ndërsa, Asif Ali Zardari ishte akuzuar se kishte shfrytëzuar pozitën politike të bashkëshortes për të kërkuar dhe marrë 10 për qind të secilit projekt apo tender.

ARKATANA

Zardari ishte burgosur, para se të lirohej dy-tre vjet më vonë, kur akuzat për korrupsion u anuluan pasi Benazir Bhutto u bë sërish kryeministre. Gjatë mandatit të dytë si shefe e qeverisë, Bhutto e emëron bashkëshortin ministër të Ambientit dhe Investimeve. Ndërsa, pas rënies edhe të qeverisë së dytë, Zardari do të burgoset nga viti 1997 deri më 2004, kur do të lirohet meqë akuzat për korrupsion e vrasje, për çka ishte dënuar, nga një gjykatës do të cilësohen si të pabaza.

Pas kësaj kohe, presidenti aktual pakistanez do të jetojë në ekzil deri në fund të dhjetorit 2007, kur ai do të kthehet për të marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes, e vrarë në një atentat vetëvrasës më 27 dhjetor. Me njërin prej të bijve, z. Zardari do të vihet në krye të Partisë së Popullit Pakistanez (PPP), e cila në zgjedhjet e marsit 2008 do të fitojë më së shumti vota (30%). Ndërsa, pas dorëheqjes së presidentit Pervez Musharraf, Zardari bëhet kandidat për zgjedhjet presidenciale, dhe më 6 shtator 2008 ai zgjidhet president i Republikës.

Pakistani nën presidencën e z. Zardari është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por më kryesorja është siguria. Gjatë presidencës së tij sulmet e kryengritësve islamikë jo që nuk janë ndalur ose rënë në intensitet, por talebanët madje patën arritur të depërtonin deri në brendi të një baze me armë nukleare. Dhe, ndonëse përkrahja e opinionit vendor për të është në nivelin më të ulët të mundur (nën 20%), për shkak të aferave të dyshuara të korrupsionit nga të cilat ka krijuar pasuri personale në vlerë afro dy miliardë dollarë, “Zotëri 10-përqindëshi” me gjasë do të jetë presidenti i vetëm i Pakistanit që do ta përfundojë një mandat të plotë.

Historia e liderit të vendit që ka njohur Republikën e Kosovës më 24 dhjetor 2012, mund të jetë ilustrim për situatën me të cilën mund të përballet edhe vendi ynë. Zyrtarë që janë dënuar ose që mund të dënohen në të ardhmen për korrupsion e për krime të tjera nuk është për t’u çuditur nëse pas disa vitesh do t’i shohim në pozita edhe më të larta shtetërore. Ose, nëse këta jo, atëherë ndonjëri prej fëmijëve të atyre që nuk do t’u shqitet hija e korrupsionit tërë jetën. Sikur Asif Ali Zardarit.