Spiunët e kanë kot, nuk njolloset emri i UÇK-së
Avni Zogiani – Hajnitë në emër të UÇK-së, ose nga partitë e dala nga UÇK, nuk e dëmtojnë UÇK-në, por llafet andej-kendej, nëpër portale e media, e dëmtojnë. Ajo që thotë a shkruan dikush e rrezikon këtë emër dhe lavdinë që përfaqëson, e jo krejt ato të zeza që kanë bërë njerëzit që pretendojnë se janë trashëgues të këtij emri. Në të vërtet, deri sot qeveritë e Kosovës kanë qenë të udhëhequra gjithmonë nga njerëz që pretendojnë se janë trashëgimtarë të UÇK-së.
Duket qartë se ata nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi pse sot ka tepër shumë njerëz që mendojnë se komandantët e UÇK-së thjesht janë shndërruar në liderë të korruptuar. Natyrisht ata kërkojnë ta mbyllin diellin me shoshë, kur thonë se “shtëpitë tona nuk janë aq të mëdha sa i shihni”, kur thonë se i kanë dhurata makinat që sillen diku të 100 mijë euro, gati pa përjashtim. Kjo thjesht është një qasje tërësisht joserioze e trajtimit të emrit të UÇK-së, prandaj, në vazhdim do të theksoj të gjitha meritat që kanë partitë që pretendojnë se kanë dalë nga UÇK, PDK e AAK, tok.
Dua ta thjeshtoj këtë muhabet qëllimisht, në mënyrë që të bëhet e qartë se kushdo që shpreh mendimin e vet mbi UÇK-në, e që nuk i ka takuar këtij emri, e bën këtë i shtyrë nga agjentura të huaja, janë thjesht vetëm mercenarë të Evropës. Kurse njerëzit e PDK-së dhe AAK-së janë duke e mbrojtur denjësisht këtë emër. Ata janë shndërruar në sinonim të përparimit të vendit.
Ata kanë vendosur bazat e ndërtimit të institucioneve, të drejtësisë, të zhvillimit. Janë pikërisht ata që në çdo moment kanë dalë të vendosur kundër presionit të vazhdueshëm evropian për të vazhduar pa fund negociatat me Serbinë, që nuk sillnin as që po sjellin as gjë, veçse degradim të integritetit, rendit e ligjit në Kosovë. Pra, ata janë patriotët e vërtetë, të cilët e mbrojtën pasurinë e vendit duke rezistuar kapitalin jotransparent që vinte nga jashtë, duke insistuar se çfarëdo procesi i transformimit të pronës publike duhet të jetë transparent dhe duhet thjesht të shkojë në favor të zhvillimit të vendit.
Liderët e dalë nga UÇK mbrojtën këtë emër të lavdishëm, duke insistuar se Kosova është një dhe unike, se pasuritë e kategorisë kombëtare, siç është për shembull Liqeni i Gazivodës, apo edhe Trepça nuk mund të mbesin në pronësi të komunave, sepse janë jetike për shtetin e Kosovës. Falë këtyre liderëve të dalë nga UÇK, ne sot kemi projekte të qëndrueshme për shfrytëzimin e potencialit enorm energjetik dhe vendi është duke lëvizur drejt një faktorizimi ndërkombëtar në këtë sektor, pasi që tashmë ka harruar kohën e shkurtimeve të furnizimit me energji.
UÇK, përkatësisht liderët e dalë nga ajo, kanë bërë një sistem arsimi që ka prodhuar juristë aq të zotë saqë përfaqësojnë Kosovën në raste si ai i GND-së, apo edhe në mbrojtjen e pretendimeve të ish-komandantëve të UÇK-së në gjykata ndërkombëtare e vendore. Ky sistem arsimi ka prodhuar ekonomistë të tillë që kanë bërë të pamundur praktikën e zakonshme të korporatave të huaja që në emër të kapaciteteve e ekspertizës futen si këshilltarë transaksioni në privatizime të ndryshme, po që në të vërtet, si përfaqësues të këtij kapitali të huaj, korruptojnë tërë proceset, duke reduktuar dhimshëm vlerën e pasurive kombëtare në Kosovë. Të tillët le të shkojnë gjetiu, se nuk luajnë dot me Kosovën.
Liderët e dalë nga UÇK, duke qenë se iu dha rasti të jenë në krye të të gjitha qeverive të pasluftes, sot shfrytëzojnë transportin e zhvilluar publik, duke refuzuar tundimin tipik të vendeve post-konfliktuoze për një luks të tepruar të pushtetit. Ata kanë përgjegjësi për paranë publike dhe e përdorin me kujdes deri në centin e fundit, duke investuar të gjitha në sektorë që e kanë të garantuar kthimin, si në arsim e shëndetësi, e jo në projekte megalomane infrastrukturore, arsyeshmëria ekonomike e të cilave nuk është treguar në vendet tjera ku u provua si qasje.
Falë liderëve të UÇK-së, sot Kosova është një vend ku ligji nuk fal, s’ka asnjë mundësi për shembull që njerëzit që janë të dyshuar ose dënuar për korrupsion e krim, të jenë në krye të institucioneve të rëndësishme, si ambasada, komuna, ministri, etj. Natyrisht që liderë të këtillë u janë ekspozuar presioneve të korporatave të huaja që duan të marrin sa më shumë, për një kohë të shkurtër, dhe ato lobojnë gjithkund kundër tyre.
Ata janë të sulmuar në vazhdimësi nga agjentët evropianë, përkatësisht gazetarët, intelektualët e pavarur, e të tjerë si këta, që duke marrë fonde të huaja, duke u lidhur fort me të ashtuquajturit “miq tanë ndërkombëtarë”, kërkojnë që elita politike e dalë nga UÇK të njolloset dhe kështu shteti i Kosovës të gjunjëzohet para presioneve për kompromise në dëm të shtetësisë dhe ekonomisë kosovare.
Rezultat i kësaj elite patriotike, sot Kosova ka një balancë pozitiv eksport-import prej 97% në favor të eksportit. Papunësia efektive këtu ka rënë në një figurë të papërfillshme. Varfëria pothuajse inekzistente. Janë reduktuar tejmase tendencat e të rinjve për të ikur nga vendi dhe është ngritur dinjiteti i secilit qytetar. Falë këtyre liderëve, pra liderëve të UÇK-së, në Kosovë është zhdukur tërësisht aparteidi i ndërtuar në kohën e Millosheviqit, dhe më nuk ka pjesëtarë të një komuniteti që kanë disa burime të përnjëkohshme të të ardhurave nga sektori publik, apo trajtohet ndryshe nga ligji.
Mosndëshkushmëria për epokën e liderëve të UÇK-së është thjesht një term që i takon historisë së hidhur. Askush nuk amnistohet për krimet e bëra, sepse liderët e UÇK-së janë të parët që përgjigjen para ligjit.
Falë politikës së liderëve të dalë nga UÇK, sot Kosova nuk është më e izoluar, e varfër, e poshtëruar. Sot, në vitin 2013, nuk ka më eksod, por ka të rinj që të edukuar në çdo cep të botës, kthehen me mburrje për të kontribuar për shtetin e ri, njeriun e ri.
Prandaj, të gjithë ju që kërkoni me ngulm ta njollosni emrin e UÇK-së, thjesht as mos filloni. E keni të kotë, sepse kredibiliteti i liderëve të dalë nga kjo strukturë është i pasfidueshëm. Është thjesht e pamundur që me fjalë të dëmtohet një lidership që me vepra i solli aq shumë vendit, për të cilin edhe luftuan. Ju spiunë të të gjitha ngjyrave vazhdoni të flisni e bërbëlisni qosheve tuaja, sepse ne tashmë anijen tonë të fortë e kemi drejtuar drejt kursit që kërkuam për shekuj me radhë dhe kujdesemi fort që të mos ketë asnjë iseberg në rrugë.


