Uji Dea

Ky pushtet në ikje, po përshpejton privatizimet, këmbimet, shitjet

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Avni Rudaku – Ne përkrahëm protestën e tregtarëve të Tregut të Gjelbër, për ta hequr nga pika e rendit të ditës, pikën 2.6 të seancës së 17 korrikut 2013, “Propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale te Tregu i Gjelbër”, sepse kjo vetëm e ka këtë emër, por qëllimi përfundimtar është edhe më i dëmshëm: privatizim, shitje dhe përfitime të grupeve të interesit të lidhura me politikën dhe biznesin.

Gjersa privatizimi ka shndërruar fabrikat në supermarkete, partneriteti publiko-privat ka shndërruar hapësirat e komunës në afarizëm banesor. Në kontekstin e Tregut të Gjelbër, prej fabrikave në treg, prej tregut në rrugë.

Tregtarët e vegjël u dëmtuan nga dinosaurët si supermarketet e biznesmenëve edhe jashtë Gjilanit, e tash nuk po duan që vetëm ta privatizojnë Tregun e Gjelbër, por ta shkatërrojnë edhe veprimtarinë tregtare si veprimtari të tregtarëve të vegjël, për t’i qitur jashtë konkurrencës. Privatizimi i Tregut të Gjelbër është jo vetëm prekje e hapësirës fizike të tregut, por edhe të vetë tregut si veprimtari ku takohet oferta dhe kërkesa. Tregtarët u dëmtuam mjaft shumë me supermarkete gjigante, por nuk po i mjafton edhe kjo këtij pushteti.

Kryetari i komunës së Gjilanit, në fushatën elektorale pati premtuar për t’i rregulluar kushtet në Tregun e Gjelbër dhe për të investuar në të, për t’ia lehtësuar punën tregtarëve, madje edhe në debatin e fundit në emisionin “Jeta në Kosovë”, Qemajl Mustafa pati dhënë premtimin se këtë do ta bëjë brenda këtij viti. Kryetari në vend të investimit, po dëshiron ta jap në shfrytëzim e dhënie të hapësirës aq të rëndësishme të qytetit, për ndonjë investitor që e njeh. Ai e dinë që tregtarët e vegjël nuk mund të konkurrojnë me ortakët e tij të mundshëm në biznes, prandaj për ironi të situatës shtoi: “Edhe vetë tregtarët mund të bëhen pjesë e kësaj konkurrence”. Kryetari Mustafa e dinë që magnatët e tenderëve dhe privatizimit nuk janë tregtarët e Tregut të Gjelbër, por janë potencialisht ortakët e tij.

Kudo në botë ka treg të hapur, madje edhe në qendra të mëdha botërore dhe financiare si Londra, Gjeneva e të ngjashme mund të gjeni treg të tipit oriental, por investohet në formë tezgash, sa për të përmirësuar kushtet fizike qoftë të tregtarëve, qoftë për produktet e shitura dhe për konsumatorët. Investimet në tregun e gjelbër nuk mund të themi se janë të shtrenjta nëse nuk e projektojmë përbrendësimin e tregut të gjelbër në hapësira si supermarkete të mëdha dhe me hapësira të mbyllura, sepse edhe vetë nocioni i tipit klasik të tregut do të ndërron. Ne mund të investojmë në Tregun e Gjelbër për disa lloje tezgash, por jo për ta menduar ardhjen e një investitori që në katin e parë jep lokale me qera dhe mbi to synon ndërtimin e banesave dhe shitjen e tyre. Ne kemi përvojë zhgënjyese me këto procese në komunë.

Ne kritikojmë edhe Zyrën e Informimit në komunë, e cila në sajtin zyrtar e pati shënuar se seanca e Kuvendit Komunal fillon në orën 10:00, ndërsa ka filluar një orë më pare, pra në orën 09:00. Edhe nëse do të zëvendësohej ndonjë diskutim për pikat e mbetura të seancës së fundit, për çdo ndryshim do të duhej të informoheshin qytetarët në sajtin zyrtar të komunës, rrjedhimisht edhe tregtarët e Tregut të Gjelbër.

Po ashtu, ne jemi të shqetësuar për deklaratën e dhënë të kryetarit të komunës për portalet informative, me shkas protestën e tregtarëve para Kuvendit Komunal. Kryetari tekstualisht ka thënë: ”Do të duhej pak më gjatë kohë me konsumuar në shtjellim të ambicieve të Komunës, d.m.th. se çka do të duhej me ndodh atje, duhet t’u shpjegojmë saktë tregtarëve dhe duhet t’u shpjegojmë para së gjithash se krejt ajo që ndodhë në atë investim të mundshëm dhe i cili do të ndodhë patjetër në mos këtë vit, në vitin tjetër, pas dy viteve, dikur do të ndodh, do të bëhet në funksion të tyre para së gjithash si tregtarë, si prodhues që janë, sepse kemi të bëjmë me produkte bujqësore etj.” A nuk është dëshmi se paska munguar komunikimi i zyrtarëve të komunës me grupet e ndryshme të interesit, qytetarët dhe tregtarët, pasi që kjo bie në kundërshtim me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale, por edhe me statutin e komunës së Gjilanit. Në nenin 15 të Statutit të Komunës, paragrafi 1 thuhet se: “Komuna duhet ta konsultojë publikun në mënyrë që t`i sigurojë, se vendimet e marruara janë të bazuara fuqishëm në fakte dhe që janë marrë parasysh pikëpamjet dhe përvojat e qytetarëve, si dhe që janë përdorur mundësitë e reja dhe kreative para marrjes së vendimit dhe që të gjitha vendimet e propozuara mund të zbatohen efektivisht në praktikë.”

UBT

Prandaj, që në këtë paragraf shihet se nuk janë marrur fare parasysh pikëpamjet dhe përvojat e tregtarëve. Edhe në paragrafin tjetër të Statutit thuhet se, “Komuna gjithashtu duhet t’i sigurojë qytetarët, që të kenë mundësi ta shprehin mendimin e tyre paraprakisht para se vendimi të aprovohet në kuvendin komunal, e që vendimi domosdoshmërish duhet të ketë mbështetjen nga qytetarët në fazën e implementimit.” Dhe deklaratat e kryetarit të komunës, siç shihet këtu, janë edhe shkelje të statutit të Komunës.

Po ashtu, tregtarët kanë thënë se janë qindra nënshkrime dhe është bërë një peticion, por që komuna nuk e ka marrë parasysh fare.

Ne kundërshtojmë ashpër këtë proces mbi Tregun e Gjelbër, sepse ne kemi përvojë të keqe me privatizimin dhe po ashtu partneritetin Publiko-Privat, i cili e ka pasuruar vetëm xhepin e ndokujt duke shitur banesa, por interesi publik ka qenë i anashkaluar. Ligji mbi Partneritetin Publiko-Privat ka qenë në funksion të interesit publik, por ky interes gjithmonë devijoi. Në emër të partneritetit publiko-privat, ne vetëm ia mundësuam investitorit pronë me pozitë të jashtëzakonshme dhe me vlerë, në qendër të qytetit, rritëm çmimin e shërbimeve, e të ngjashme.

Rreth 500 familje mbahen nga tregtia e këtyre tregtarëve dhe këta pushtetarë, PDK-ja, kryetari i komunës, duke e parë që janë në mandatin e fundit dhe muajt përfundimtarë, po duan që sa më shumë të shesin, privatizojnë, të këmbejnë dhe të përfitojnë; këta po duan t’ia japin edhe pronën e paluajtshme të Tregut të Gjelbër, atyre me të cilët një grup i vogël i pushtetarëve komunalë përfitojnë personalisht. Pas privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe shtetërore, ky pushtet, nuk po ka çfarë të privatizojë dhe të shesë më, dhe ka filluar që çdo zonë të rëndësishme urbane dhe ato që janë me interes strategjik dhe përfitues, t’i heqi qafe sa më parë. Ky pushtet është në ikje e sipër dhe po përshpejton.

Në fund, ne i bëjmë thirrje Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës që pasi janë shpallur zgjedhjet më 3 nëntor, të mos marrin asnjë vendim të një rëndësie të veçantë, por vetëm të përmbyllin detyrat e lëna në gjysmë për ta përfunduar mandatin. Kështu ndodhi edhe sot, pasi që u thirr një seancë e jashtëzakonshme.

Avni Rudaku – nënkryetar i dytë i VV në Gjilan