Janë kryer dy faza të dezinfektimit, dy të tjerat zhvillohen gjatë gushtit
Gjilan – Qytetarët e Gjilanit, as këtë verë nuk janë bezdisur nga mushkonjat dhe insektet tjera, falë dezinfektimit hapësinor që është bërë nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, gjatë muajve qershor dhe korrik dhe do të vazhdojë edhe në gusht.
Xhemajl Salihu, drejtor komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të premten, në një takim të Komitetit për Shëndetësi, tha se dezinfektimi është kryer në dy faza dhe ka përfshirë një sipërfaqe prej njëmijë hektarësh. Përparësi iu është dhënë zonave ku përqendrimi i mushkonjave është më i madh, sidomos përgjatë lumit Mirusha.
Salihu ka thënë se dezinfektimi është zhvilluar deri tani në dy faza, gjatë muajit qershor dhe korrik, ndërsa dy fazat tjera, tre e katër, do të bëhen nga fundi i muajit gusht, kur po ashtu do të kryhet edhe dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore, përfshirë edhe lokalitetet serbe.
Për më tepër ai, ka thënë se qytetarët janë shprehur falënderues e sidomos banorët përreth lumenjve dhe përroskave, të cilëve u është hequr problemi i mushkonjave dhe insekteve tjera, që janë shumë të bezdisshme gjatë stinës së verës. “Reagimet pozitive të qytetarëve dëshmojnë se projekti e ka arritur efektin e vet”, ka thënë Salihu.
Ai ka thënë se ky është viti i tretë që projekti është duke u kryer nga kompania “Fauna”, e cila e ka fituar tenderin për dezinfektimit hapësinor, për një shumë vjetore prej 6300 euro. Ekipet e kompanisë kanë operuar në terren me dy kamioneta si dhe me katër pompa dore, atje ku nuk kanë mundur të futen makinat.
Drejtoria ka marrë përkrahje të plotë edhe nga Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke kërkuar që ky projekt të vazhdojë edhe në të ardhmen. Bajram Shaqiri, kryesues i këtij Komiteti, ka përgëzuar Drejtorinë për punën e bërë në dy fazat e para dhe e ka inkurajuar atë që me këtë përkushtim të vazhdojë edhe në dy fazat tjera, në gusht, në mënyrë që qytetarët të mos bezdisen nga mushkonjat dhe insektet tjera as në vjeshtën e vonë.
Dezinfektimi u vlerësua si projekt i nevojshëm dhe i qëlluar edhe nga anëtarët tjerë të KSHMS. Jashar Jashari ka thënë se projekti duhet të shtrihet edhe në fshatra dhe të mos reduktohet vetëm në zonën e qytetit.
Meqenëse efikasiteti në asgjësimin e mushkonjave dhe insekteve tjera varet nga fuqia e substancës që përdoret për dezinfektim, Nexhat Halili ka shtruar pyetje rreth kontrollit të substancës aktive në preparate dhe ka marrë përgjigje nga drejtori i Shëndetësisë se ky verifikim bëhet nga komisioni komunal.
Përndryshe, qyteti i Gjilanit ka më pak mushkonja dhe insekte tjera të bezdisshme prej kur këtu ka filluar të bëhet dezinfektimi i hapësirës. Dezinfektimi është përqendruar vetëm në qytet, për shkak se këtu numri i insekteve është më i madh e sidomos përgjatë lumit Mirusha.
Banorët e kësaj lagje, që dikur nuk kanë mundur t`i hapin asnjëherë dritaret e shtëpive të tyre, shkaku i mushkonjave dhe kundërmimit, tani janë të kënaqur, sepse gjendja atje është krejtësisht tjetër./rajonipress/


