Tregtarët nuk duhet të shqetësohen, LDK-ja po përfiton poena politik
Gjilan – Qemajl Mustafa duke komentuar protestën e tregtarëve ka thënë se tregtarët nuk kanë nevojë të shqetësohen sepse tregu është i tyre dhe gjithçka që kemi bërë dhe do të bëjmë do e bëjmë për interesin e tyre dhe të qytetit. LDK-ja po përfiton poena politik sepse tani jemi në një vit zgjedhor.
Qemajl Mustafa tha se për mua si kryetar i Komunës protestat e tregtareve janë një reaksion i natyrshëm i tyre për shkak se ende njerëzit, opinioni, qytetarët, nuk e kanë të qartë që vetëm me investime private, me hapjen e mundësive për investime private, natyrisht bazuar gjithmonë në rregulla, në ligj dhe në konkurrencë të lirë zhvillohen shoqëritë.
Komuna e Gjilanit nuk bënë përjashtim në këtë drejtim, ne në fakt kemi nisur, kemi investime në eko-higjienë në trajtimin e mbeturinave, pastaj investime private te dy ndërtimet në qytet, tek ish Kadastri dhe tek Kombinati i duhanit që janë dy ndërtesat më të bukura, kemi përgatitur një partneritet privat publik gjithashtu te ristrukturimi i qendrës shkollore te Shkollat e Mesme dhe e kemi shpallë atë interesim publik dhe do të shohim nëse do të vij dikush për të investuar. Kështu do të shkojmë përpara, kështu do të zhvillohet shoqëria.
Mustafa tha se tek tregtarët ka vetëm keqkuptime dhe ndoshta mos shpjegim deri në fund i krejt konceptit që është mangësi përherë.”Do të duhej pak më gjatë kohë me konsumuar në shtjellim të ambicieve të Komunës, d.m.th. se çka do të duhej me ndodh atje, duhet t’u shpjegojmë saktë tregtarëve dhe duhet t’u shpjegojmë para së gjithash se krejt ajo që ndodhë në atë investim të mundshëm dhe i cili do të ndodhë patjetër në mos këtë vit, në vitin tjetër, pas dy viteve, dikur do të ndodh, do të bëhet në funksion të tyre para së gjithash si tregtarë, si prodhues që janë, sepse kemi të bëjmë me produkte bujqësore etj.
Sipas Mustafës ideja është që të ndërtohen kushte të mira, për funksionim dhe për punë, dhe nuk është ideja, qysh dikush mundet me kuptuar, në rritjen e kostos. “Absolutisht jo, aty kalkulohet me shumë saktësi, fuqia paguese e atyre që ushtrojnë aktivitet atje dhe qëllim është me risocializuar atë zonë, me ardhur shumë më shumë fluks të qytetarëve në mënyrë që ata të kenë qarkullime më të mëdha, fitime më të mëdha dhe në atë rast përfiton edhe investitori privat i cili do t’i lëshoj ato hapësira me një qira të tregut, do të thotë me një çmim të arsyeshëm të logjikshëm të tregut. Ky është qëllimi” ka sqaruar Mustafa.
Mustafa duke komentuar braktisjen e seancës nga ana e LDK-së tha se ka qenë një vendim i padrejtë sepse sot kemi pasur në rend të ditës vetëm miratimin e një komiteti, të një bordi po e quaj prej shtatë anëtarëve, për të hyrë në proces, që është e paraparë edhe me ligj. “Do të thotë ne sot nuk kemi pasur me votuar për dhënie të tokës me qera ose miratim të projektit. Ai bord ka qenë dashtë mas miratimit të Kuvendit me u marrë me procesin bashkë me pjesën tonë ekzekutive edhe me studiuar mirë propozimin që del prej nesh, me i pa nevojat atje numrin e tregtarëve, hapësirën etj, pra është një rrugë pak më e gjatë. Nuk është rrugë as e gjatë e as e shkurtër. Dhe, ky reaksion i LDK-së është kryekëput në funksion të marrjes së pikëve politike, sepse jemi në një vit zgjedhor dhe ky akt për mua është jashtëzakonisht i natyrshëm. Nuk do të duhej sepse edhe në këto situata duhet me u sjell me konstruktivitet. Ne kemi punuar gjashtë vite jashtëzakonisht mirë dhe klima është e mrekullueshme në Gjilan te marrëdhëniet politike, njerëzore, çdo gjë që kemi bërë për qytetarin, për familjen tonë, për familjet në përgjithësi, që ta kenë më mirë secili për çdo ditë të ardhshme. Kjo do të duhej me vazhduar. Vitet zgjedhore e kemi të qartë se paksa e polarizojnë skenën politike, marrëdhëniet ndër-shoqërore, ndër-njerëzore, është e kalueshme dhe për mua është krejt normale” ka thënë Mustafa.
Mustafa është treguar këmbëngulës për të realizuar projektet e nisura nga komuna “Ne do të vazhdojmë me punuar, dhe nuk heqim dorë për ta rregulluar komunën për asnjë moment, do ta kërkojmë një trup përfaqësues të atyre tregtarëve. Komuna do të jetë në kontakt të përhershëm me ta, propozimin do ta prezantojmë para të gjithëve mandej tri katërqind sa janë atje, ngadalë, arsyeshëm, argumentueshëm, do t’i dëgjojmë me shumë kujdes shqetësimet dhe brengat e tyre dhe do të shpjegohemi dhe do ta gjejmë patjetër kompromisin sepse pa ndodh ri-strukturimi i tregut të gjelbër nuk do të duhej, për shkak se është një zonë jashtëzakonisht e stërkequr. Gjithnjë kemi prit që të mbërrijmë deri te një mundësi financiare për ta ri-dizajnuar tregun dhe për të ofruar kushte më të mira. Qëllim pra është që secili tregtar atje ta ketë më mirë, ta ketë ngrohtë dimrit dhe të klimatizuar verës për të punuar normalisht sikur gjithkund tjetër” tha Mustafa.
Mustafa duke ju referuar shqetësimeve të tregëtarëve tha se tregu është i tyre, i të gjithë atyre që duan me punuar aty. “Këta në realitet, primarisht kanë të drejtë me i marrë ato hapësira, këta e kanë të drejtën absolute për t’i marrë hapësirat në atë ri-strukturimin e ri. E kanë edhe një mundësi tjetër, procedura është e hapur, do të thotë, miratohet projekti, miratohet ideja, bëhet projekti ekzekutues dhe shpallet publikisht ftesa për investitorin e mundshëm, ai investitori i mundshëm shumë lehtë mund të jenë vet tregtarët. Nëse ata bashkohen, i bashkojnë kapitalet e tyre, a marrin ndonjë kreditim apo në mënyra të tjera, këta mund të jenë vet ndërtuesit e asaj zone. Vetë e menaxhojnë atë zonë dhe vet e inkasojnë qiranë prej kolegëve të tyre. Çdo gjë është e hapur, asgjë nuk është e mbyllur” ka thënë Mustafa./rajonipress/


