Bizneset nuk janë kundër Investimeve në tregun e gjelbër
Riad Rashiti – Protestat e organizuara sot para Kuvendit Komunal në Gjilan të cilat ishin të manipuluara nga disa aktivistë të Vetëvendosjes, që vazhdimisht janë kundër çdo zhvillimit pozitiv që ndodhë në komunë dhe nga disa tregtarë të papërgjegjshëm të cilët duan që asgjë mos të ndryshojë në tregun e gjelbër.
Unë jam shumë i bindur se asnjë biznes i përgjegjshëm që ushtron veprimtarin e tij në tregun e gjelbër nuk është kundër investimeve të domosdoshme për tu bërë aty, sepse gjendja brenda tregut të gjelbër është jashtëzakonisht e keqe dhe jashtë çdo standardi normal.
Komuna e Gjilanit ka vite të tëra që ka pranuar kërkesa nga tregtarët që punojnë aty për të investuar dhe rregulluar kushte më të mira për ta si dhe për të vendosur rend dhe rregull.
Andaj një kohë të gjatë jemi angazhuar që të gjejmë fonde të ndryshme për investime në tregun e gjelbër, sepse shuma për investime është mjaft e konsiderueshme për komunën e Gjilanit sepse nuk kemi mundësi që vetë të investojmë në infrastrukturën e nevojshme për tregun e gjelbër.
Komuna e Gjilanit nuk e ka assesi qëllim të saj që të bëjë privatizimin e tregut të gjelbër, por ka propozuar që hapësira e tregut të gjelbër të jepet në shfrytëzim sipas ligjit numër 04/L-144 për dhënien e tokës në shfrytëzim, ku kompania e cila do të plotësoj kushtet dhe kriteret sipas ligjit do të merr për obligim që të bëjë krejt investimet prej rreth 1 milion investime në ndërtimin krejtësisht të ri të tregut të gjelbër me infrastrukturën përcjellëse të nevojshme për bizneset dhe për qytetarët të cilët do të shërbehen aty në të ardhmen.
Ky propozim është diskutuar dhe miratuar edhe nga Komiteti për Politikë dhe Financa, e që do të duhej të kalojë sot edhe në Kuvendin Komunal. Por pasiqë që Kuvendi e ka parë të arsyeshme shtyrjen e kësaj pike, ne do të angazhohemi dhe do të takohemi me të gjitha bizneset që janë të vendosura në tregun e gjelbër, për t`i informuar detajisht lidhur me këtë proces që është krejt në dobi të tyre dhe në interes të qytetarëve të Gjilanit e më gjerë.
Ne nuk do të lejojmë që VV të manipulojë disa individë apo ndonjë biznes që është i vendosur në tregun e gjelbër, e të cilët bëjnë biznes me bizneset tjera, ne i kemi të gjitha informatat se si punohet brenda hapësirave të tregut të gjelbër, i dimë se cili tregtarë ka nga disa vende të shitjes (tezga) brenda hapësirës së tregut të gjelbër, se cili biznes ka të kryera apo jo obligimet ndaj komunës dhe kompanisë menaxhuese, si për shembull Enver Ismajli përfaqësues i tregtarëve i cili ka obligime të pakryera fiks 1 mijë euro borxh për dy vendshitjet (tezgat) e tija.
Andaj disa individë dhe tregtarë nuk do të mund që në emër të të gjithë tregtarëve të kundërshtojnë dhe pengojnë planin e investimeve në hapësirat e tregut të gjelbër, e dimë që për disa ky investim është i dëmshëm sepse nuk do të munden që edhe më tutje të përfitojnë dhe operojnë jashtë rregullave të funksionimit të tregut, e që për disa të tjerë është i dëmshëm politikisht ky investim.
Ne do t`i ftojmë në ditët e ardhshme të gjitha bizneset e tregut të gjelbër për t`i informuara ata dhe për të diskutuar rreth këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe me prioritet të lartë për vetë tregtarë, sepse ata do të jenë përfitues të parët, do të kenë kushte shumë më të mira për vendosjen mallit të tyre, do të ketë ambient më të mirë, do të kenë siguri më të madhe për ruajtjen e mallit të tyre, do të ketë siguri të lartë gjatë dhe jashtë orarit të punës, do të monitorohet gjithçka aty, ku edhe qytetarët do të jenë më komod kur do të shërbehen në tregun e gjelbër, do të kenë parkingje të mjaftueshme, nuk do të ketë bllokim të rrugëve në ditën e tregut. Gjithashtu nuk do të ketë ngritje të çmimeve për tregtarët të cilët do të kryejnë veprimtarinë e tyre në këto hapësira.
Edhe kësaj here VV apo individë tjetër do të dështojë si në çdo proces të pengimit të cilët ata mundohen ta bëjnë në çdo zhvillim pozitiv që po ndodhë në komunën e Gjilanit por edhe në krejt Kosovën.
(Autori është drejtor për zhvillim ekonomik në Gjilan)


