Haziri dhe Surdulli lusin banorët për qetësi- premtojnë angazhim maksimal
Gjilan – Lutfi Haziri kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane së bashku me Shaip Surdullin e Lirije Kajtazin kanë takuar banorët e Karaqevës së Epërm dhe të Poshtme. Lutfi Haziri u tha banorëve se ata nuk duhet të bien në provokimet e xhandarmërisë serbe derisa ka premtuar angazhim maksimal të institucioneve për ta definuar njëherë e përgjithmonë vijën kufitare raporton rajonipress.
Lutfi Haziri është njëri nga zyrtarët e rrallë shtetëror që ka gjetur kohë që së bashku me Shaip Surdullin dhe Lirije Kajtazin të vizitojë banorët e Karaqevës së Epërme dhe të Poshtme.
Haziri fillimisht u pritë në zyrën e Shaip Surdullit ku mori informacione të sakta rreth provokimeve të fundit të xhandarmërisë serbe. Surdulli e ka njohur Hazirin edhe për hartat kadastrale të cilat dëshmojnë se vija kufitare që pretendon Serbia është krejt në territor të Kosovës.
Më pas Haziri e Surdulli kanë qëndruar në Karaqevë të Epërme. Në Karaqevë Haziri e Surdulli takuan banorët e atyshëm të cilët megjithatë shprehën frikë e drojë se xhandarmëria serbe nuk do të zbrazet lehtë.
Haziri u tha banorëve se nuk kanë nevojë të frikësohen pasiqë rasti i Karaqevës tashmë ka marrë përmasa nacionale. “Unë ju lus që të qëndroni të qetë dhe të jeni të vetëpërmbajtur dhe mos bini në provokimet e xhandarmërisë serbe. Unë si deputet ju premtoj se do të angazhohem maksimalisht që rastin e Karaqevës ta trajtojmë edhe në Parlamentin e Kosovës , hiq më larg se nesër” tha Haziri.
Haziri tha se jo vetëm Parlamenti, por edhe Qeveria dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë do të angazhohen që vija kufitare-kontestuese të definohet njëherë e përgjithmonë.
Edhe Shaip Surdulli i cili disa herë ka takuar banorët tha se tashmë Karaqeva është sensibilizuar shumë dhe kjo ka ndikuar që edhe ne të jemi sot këtu.
Surdulli u tha banorëve se ai pret një reagim të shpejt edhe të rrugëve diplomatike për incidentin e shkaktuar nga xhandarmëria serbe.”Aty ku preket dhe cenohet një territor i huaj aty menjëherë duhet të kyçen kanalet diplomatike të Kosovës. Unë jam i sigurt se Karaqeva tanimë ka hyrë në një fazë të rëndësishme sepse tashmë KFOR-i amerikan dhe ai qendror kanë caktuar një takim me xhandarmërinë serbe”tha Surdulli.
Surdulli tha se kërkesa e parë edhe e tij si kryetar, por edhe banorëve është që xhandarmëria serbe mos të bijë në rrugën e asfaltuar ku llogaritet se është pjesë e Kosovës.
Edhe banorët shprehen shqetësimet e tyre reale. Selver Lenjani kryetar i fshatit Karaqevë tha se çdo vizitë e zyrtarëve shtetëror na gëzon dhe na jep kurajë që të qëndrojmë këtu sepse këto janë vatrat tona.”Ne kërkojmë që urgjentisht ta sensibilizoni në Parlament dhe kudo në komisionet evropiane rastin e Karaqevës sepse në pyetje është territori i Kosovës dhe tkurrja e tij” tha Lenjani.
Edhe banorët Fadil Kastrati e Ramiz Leka kërkuan nga Surdulli dhe Haziri që sa më shpejt të vendoset dhe stacionohet policia shqiptare dhe KFOR-i amerikan përgjatë vijës kontestuese kufitare.
Ramush Ismajli, gjeodet, ka prezantuar para Hazirit e Kajtazit edhe një hartë kadastrale të vitit 1962 ku sipas tij shihet qartë se në pjesën ku hynë xhandarmëria serbe është pjesë e Kosovës dhe se çështja e kufirit mund të rregullohet lehtë sepse çdo gjë është e qartë në bazë të dokumentacionit./rajonipress/


