Bizneset tek “Tregu i Gjelbër” kundër privatizimit
Gjilan- Ende pa filluar seanca e Asamblesë Komunale këtë të mërkure tregtarët e Tregut të Gjelbër kanë protestuar para hyrjes së Kuvendit komunal për të kundërshtuar privatizimin. Enver Ismajli përfaqësues i tregtarëve tha për rajonipress se janë kundër privatizimit dhe zhvendosjes së tregut të gjelbër. Izmi Zeka nga presioni i protestuesve e ka hequr nga rendi i ditës privatizimin e Tregut të Gjelbër.
Një grup tregtarësh në kompleksin e Tregut të Gjelbër të mërkurën herët në mëngjes ua kanë zënë derën asamblistëve për të kundërshtuar procesin e privatizimit të Tregut të Gjelbër.
Seanca e Asamblesë Komunale të mërkurën është dashur të debatojë rreth privatizimit të tregut të gjelbër, por me presionin e protestuesve Izmi Zeka kryesues i Asamblesë e ka hequr nga rendi i ditës privatizimin.
Enver Ismajli përfaqësues i tregtarëve tha për rajonipress se qëllimi i protestës ka qenë që t`i bëhet me dije asamblistëve se 180 biznese që veprojnë në Kompleksin e Tregut të Gjelbër janë kundër privatizimit dhe kundër zhvendosjes së tregut.
Ismajli tha se peticionin me 180 nënshkrime me koha ua kanë dorëzuar edhe kryetarit të komunës edhe Asamblesë Komunale, por nuk e kanë përfillur. “Sot kemi hyrë në seancë dhe ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë dhe pas presioneve ata hoqën dorë për ta shtyrë më tutje privatizimin” tha Ismajli.
Izmi Zeka ndërkaq duke e hequr nga rendi i ditës privatizimin e Tregut të Gjelbër tha se këtë po e bëjmë për faktin se dëshirojmë tu japim kohë tregtarëve dhe të tjerëve që kanë dëshirë të debatojnë edhe më tepër rreth këtij procesi.
Ndryshe protestën e tregtareve të Tregut të Gjelbër e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje Avni Rudaku nënkryetar i VV tha se protesta e bizneseve është e arsyeshme sepse nëse privatizohet ky kompleks i bizneseve atëherë ne po e dëmtojmë ekonominë gjilanase. /rajonipress/


