Mustafa nuk ka frikë nga sondazhet e partisë së tij
Gjilan – Qemajl Mustafa nuk ka frikë nga sondazhet e PDK-së për të zgjedhur kandidatin e saj për kryetar të Gjilanit. Mustafa tha se sondazhet janë të mirëseardhura kur ato bëhen nga ndonjë agjencion i licencuar dhe kredibil. Unë i kam besuar sondazheve që ka bërë Thaçi dhe kanë dal të sakta e kështu besoj do të jetë edhe këtë vit thotë ai.
Deklarata e Zenun Pajaziti dhënë një ditë më herët në rajonipress se kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit do të zgjidhet nga sondazhet e realizuara nga qytetarët dhe aktivistët e PDK-së nuk e ka trembur aspak Qemajl Mustafën kryetarin aktual të Gjilanit dhe nënkryetar i degës së PDK-së në Gjilan.
Mustafa për rajonipress tha se sondazhet janë të mirëseardhura kur ato bëhen nga ndonjë agjencion i licencuar dhe kredibil. “Unë i kam besuar sondazheve që ka bërë Thaçi dhe kanë dal të sakta e kështu besoj do të jetë edhe këtë vit”thotë ai.
Mustafa tha se nuk beson se sondazhet kanë ndonjë prapavijë të eliminimit.””Nuk e besoj që kryetari Thaçi është i prirur që të inskenojë një sondazh sa për sy e faqe sepse kjo i kthehet si bumerang pastaj” tha Mustafa.
Mustafa ndryshe edhe në takimin e fundit ku mori pjesë edhe vet Thaçi në Gjilan ka kritikuar punën e PDK-së e cila sipas tij për një kohë ishte e pasivizuar dhe e heshtur.
Mustafa thotë se qeverisja nën ombrellën e tij ka arritur rezultate kulminante duke realizuar projekte madhore e të dobishme për qytetin e Gjilanit.
Megjithatë Mustafa e ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se PDK-ja mund të jetë e fort vetëm nëse është unike dhe e mobilizuar. “Zgjedhjet mund t`i fitojmë vetëm nëse dalim unik dhe të bashkuar” tha Mustafa. /rajonipress/

