Ismajl Kurteshi kandidat zyrtar për kryetar të Gjilanit
Gjilan – Lëvizja Vetëvendosje të martën ka zyrtarizuar kandidaturën e Ismajl Kurteshit për kryetar të Gjilanit. Albin Kurti tha se Ismajl Kurteshi është njeriu më i duhur për ta nxjerr Gjilanin nga kriza . Fitorja e VV në Gjilan është fitore e të gjithë qytetarëve të saj tha Kurti. Kurteshi tha se me fitoren e VV Gjilani do të udhëhiqet nga njerëzit e ndershëm dhe të sinqertë e profesionist.
Lëvizja Vetëvendosje të martën e ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Gjilanit. Drejtuesit e kësaj Lëvizje ku merrte pjesë edhe Albin Kurti e kanë zyrtarizuar Ismajl Kurteshin pasiqë ai kishte fituar 95 % të votave në kuadër të zgjedhjeve të brendshme raporton rajonipress.
Albin Kurti duke zyrtarizuar Kurteshin për kandidatë për kryetar të Gjilanit tha se ai është njeriu më i duhuri për qytetarët e Gjilanit. Kurti tha se VV është i vetmi subjekt që ka alternativë qeverisëse dhe ka koncept qeverisës dhe nga sot po e bashkangjesim një njeri i cili i ka të gjitha virtytet patriotike, intelektuale e kombëtare për të qeverisur mirë, drejtë për Gjilanin tha Kurti.
Kurti tha se Ismajl Kurteshi tërë jetën ia ka kushtuar veprimtarisë patriotike dhe vetëm ky kandidatë mund ta shpëtojë Gjilanin nga borxhet. “Komuna e Gjilanit është njëra nga komunat e para që ka borxhe më të mëdha në nivel Kosove dhe është e vetmja komunë që është dëmtuar më së shumti me procesin e decentralizimit. “Decentralizimi e ka gjymtuar këtë qytet dhe këtë rajon duke e shndërruar në një qytet me një gjendje të rëndë ekonomike e sociale dhe ky keqëmenaxhim ka ardh nga njerëzit që kanë udhëhequr mbrapshtë me komunën dhe keq” tha Kurti.
Kurti tha se në vitin 2009 në fushatën zgjedhore në Gjilan partia në pushtet kishte premtuar 100 milion euro derisa janë realizuar vetëm 15 milion euro. “Janë pretuar 4000 vende të reja të punës kurse kemi pasur vetëm punësime në administratë nga njerëz të pushtetit. Kemi pasur një privatizim të keq që ka dëmtuar këtë qytet kurse premtimin e Thaçit për autostradën e quajti gënjeshtër dhe rrenë pasiqë sipas tij ngjashëm ka premtuar edhe hekurudhën.
Kurti tha se edhe Partneriteti Publiko Privat në Gjilan ka shkuar në dëm të gjilanasve dhe në dobi të njerëzve të afërt me pushtetin.”Gjilani ka borxhe të mëdha rreth 3.3 milion euro dhe për ta ndryshuar këtë raport negativ, Gjilani duhet të mbështes Ismajl Kurteshin i cili edhe ka ditur ta bëjë qendrën e VV më të fortën në Kosovë. Gjilanin e kanë përfshirë shumë të këqija dhe fitorja e VV që është e sigurt do të jetë edhe fitore për ju” tha Kurti.
Kurti tha e VV nuk ndodhet në politikë për biznes apo karriera personale sepse ne jemi këtu për të ndihmuar qytetarin e Kosovës.”Gjilani duhet ta konfirmojë fitoren tonë të madhe e që do të jetë një nismë e një ndryshimi të madh edhe për fitoren tonë në tërë Kosovën” tha Kurti.
Kurse Ismajl Kurteshi tha se pritjet e qytetarëve të Gjilanit për ta ndryshuar gjendjen janë të mëdha.”Me fitoren e VV Komuna e Gjilanit do të udhëhiqet nga gjilanasit, nga njerëzit e ndershëm e profesionist. “Ne nuk do të lejojmë dhënie të tenderëve pa kontrata, do të angazhojmë njerëz të pa korruptuar, nuk do të lejojmë punësime familjare , do ta ruajmë buxhetin komunal derisa prioritet tona do të jenë përkrahja për studentët, cilësia në arsim, krijimi i vendeve të reja të punës” tha Kurteshi.
Kurteshi tha se është momenti i fundit kur në Gjilan duhet të ndalet e keqja./rajonipres/


