Artana me buxhet të kufizuar ka bërë punë të mëdha
Gjilan – Kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, ka thënë se praktika e re e planifikimit të buxhetit me pjesëmarrje të qytetarëve ka një rëndësi të veçantë si për komunën e ashtu edhe për vetë qytetarët, pasi planifikimi i buxhetit bëhet në bazë të kërkesave të vetë qytetarëve.
Me qëllim të ngritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm, autoritetet komunale të Komunës së Novobërdës, në Parallovë, kanë diskutuar hapur me qytetarët e këtij lokaliteti rreth nevojave që kanë për përmirësimin e infrastrukturës dhe projekteve tjera zhvillimore.
Në këtë debat që ishte i pari i kësaj natyre që u zhvillua në Parallovë lokalitet ky që deri në procesin e decentralizimit dhe zgjerimin e territorit të Komunës së Novobërdës i ka takuar Komunës së Gjilanit, krahas qytetarëve të Parallovës , morën pjesë edhe kryetari i komunës, Bajrush Ymeri, kryesuesja e KK-së, Shefkije Mehmeti, drejtorët e drejtorive komunal Gani Mustafa nga drejtori për ekonomi dhe buxhet, Sami Vllasaliu nga drejtoria e shërbimeve publike dhe Goran Maksimoviq drejtor komunal për bujqësi dhe përfaqësuesit e projektit të qeverisë zvicerane për qeverisje lokale dhe decentralizim LOGOS, projekt ky që mbështet komunën e Novobërdës edhe në procesin e planifikimit të buxhetit me pjesëmarrje të qytetarëve.
Kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, ka thënë se praktika e re e planifikimit të buxhetit me pjesëmarrje të qytetarëve ka një rëndësi të veçantë si për komunën e ashtu edhe për vetë qytetarët, pasi planifikimi i buxhetit bëhet në bazë të kërkesave të vetë qytetarëve.
Ai ka theksuar se në zbatimin e kësaj praktike një mbështetje të fuqishme komunës është duke i dhënë edhe projekti LOGOS, që ka mbështet komunën në organizimin e debateve me qytetarë. “ Kjo praktikë na mundëson që planifikimin e buxhetit ta bëjmë së bashku me qytetarët , në mënyrë që ky buxhet të planifikohet komform nevojave të vetë qytetarëve”, ka thënë Ymeri.
Ai ka theksuar se komuna është në dijeni për nevojat e shumta të qytetarëve, por mundësitë e kufizuara buxhetore nuk i japin asaj mundësi të investoj në çdo projekt që propozohet nga qytetarët, prandaj edhe përmes këtyre debateve përcaktohen edhe prioritetet se ku është më se e nevojshme të investohet. “Me rreth 500 mijë euro të dedikuara për investime kapitale, është vështirë që të realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve në 33 lokalitete sa gravitojnë në komunën e Novobërdës, por komuna do të mbështesë çdo projekt që është në interes madhor për qytetarët”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa, drejtori komunal për ekonomi dhe financa, Gani Mustafa, është shprehur se edhe përkundër buxhetit tejet të limituar që kishte deri më tani komuna e Novobërdës, ky buxhet gjatë vitit 2014 do të jetë edhe më i shkurtuar për rreth 366 mijë euro, sepse qytetarët serb kanë hezituar t`i përgjigjen regjistrimit të popullsisë dhe buxheti në nivel vendi ndahet në bazë të numrit të banorëve. “Komuna e Novobërdës në vend të një buxheti për rreth 10 mijë banorë sa ka marr deri më tani , në të ardhmen do të marr buxhet për 6 mijë e 729 banorë pasi ky është numri i banorëve të regjistruar në këtë komunë”, ka thënë Mustafa.
Prandaj, sipas tij është e nevojshme që qytetarët të angazhohen më tepër në shlyerjen e borxheve të tatimit në pronë, pasi kjo e hyrë vetanake u kthehet në formë investimesh vetë qytetarëve.
E zyrtari i lartë financiar Driton Mustafa, ka thënë se komuna e Novobërdës gjatë vitit 2014 do të ketë një buxhet prej 2 milion e 43 mijë e 55 euro nga i cili buxhet 450 mijë euro janë paraparë për investime kapitale dhe 90 mijë euro për subvencione kurse pjesa tjetër e buxhetit shkon për paga dhe mëditje, shërbime dhe mallra si dhe shërbime komunale.
Qytetarët e Parallovës si prioritet për investime në këtë lokalitet kanë propozuar asfaltimin e rrugëve në fshat, rregullimin e rrugës nga magjistralja Llabjan – Gjilan deri tek oborri i shkollës, renovimin e shkollës, riparimin e gypave të ujësjellësit, dhe mbështetje në subvencione në bujqësi.
Goran Steviq përfaqësues i fshatit Parallovë, ka kërkuar nga komuna që të rishikoi ngarkesën e familjeve për tatim në pronë, pasi sipas tij në këtë lokalitet tani jetojnë vetëm 42 familje kurse kjo ngarkesë bëhet për më shumë familje të cilat tani më nuk shfrytëzojnë shtëpitë e tyre.
Kurse Sretko Stojanoviq, krahas projektit për thurjen e varrezave të fshatit ka kërkuar nga komuna që të bëjë me shumë trysni tek organet e policisë për më shumë siguri të pyjeve të banorëve të fshatit pasi ato po dëmtohen nga prerësit ilegal.
Ndërsa Predrag Ristiq, ka shprehur nevojën për rregullimin e rrugës së shkollës. E ,Goran Vasiq është interesuar për formën e ndarjes së subvencioneve në bujqësi.
Kryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri duke ju përgjigjur këtyre kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ka thënë se komuna do të marr parasysh çdo nevojë që paraqitet nga qytetarët të cilët krahas debateve publike këto kërkesa mund ti paraqesin edhe drejtpërdrejtë në komunë deri më 30 shtator kur miratohet buxheti për vitin 2014./rajonipress/


