Kauza kombëtare e Idriz Seferit përkrahej nga shqiptarët katolikë
Nga Fitim Rifati – Me studimin e personalitetit të Idriz Seferit janë angazhuar shumë historianë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët me publikimet e tyre kanë ndriçuar në një formë apo një tjetër rolin dhe kontributin e kësaj figure në përpjekjet e popullit shqiptar për emancipim, çlirim e bashkim kombëtar.
Pretendimi për tjetërsimin fetar të atdhetarit Idriz Seferi, është një lajthitje që bie në kundërshtim me të arriturat historiografike.
Faktet historike provojnë se aktiviteti i tij për kauzën kombëtare përkrahej nga shqiptarët katolikë të viseve të Gjilanit. Para një shekulli, në kohën e kryengritjeve shqiptare kundër regjimit reaksionar e obskurantist xhonturk, Idriz Seferi dhe bashkëluftëtarët e tij po luftonin në realizimin e programit të Rilindjes Kombëtare; çlirimin e viseve shqiptare nga zgjedha osmane dhe bashkimin e tyre në një shtet kombëtar. Në një dokument italian të datës 10 gusht të vitit 1912, ndër të tjerash raportohej se ishin bërë trajtime mizore nga ana e trupave osmane ndaj shqiptarëve katolikë të rrethinës së Gjilanit, të cilët autoritetet osmane për të arsyetuar veprimet e tyre i akuzonin se ishin përkrahës të kreut të njohur Idriz Seferi.
Fenomeni i bashkimit të shqiptarëve për kauzën kombëtare pa dallim përkatësie fetare, bindjeje politike a prejardhje krahinore, është virtyt që e kemi trashëguar brez pas brezi dhe duhet ta kultivojmë edhe më tej.
Prandaj, shumdimensionaliteti i Idriz Seferit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është aftësi e jashtëzakonshme për kohën kur jetoi dhe veproi ky personalitet atdhetar.
Gjykimet që bëhen në llogari të ndjenjave, nuk i shërbejnë ndriçimit të së kaluarës për një personalitet ose ngjarje, por përkundrazi nxisin debate e konflikte të panevojshme. Vandalizmi ndaj monumenteve kulturo-historike, të cilat simbolizojnë dhe nderojnë të kaluarën tonë, përbën një akt të shëmtuar dhe kundër vlerave tona kombëtare.
Para se të krijohen përshtypje të gabuara nga individë apo grupe të caktuara, të cilat nën fasadën e tyre përmbajnë tendencën e diskreditimit të një personaliteti kombëtar, ne ftojmë të interesuarit të ndajnë bindjet e tyre dhe të këshillohen me personat dhe institucionet kompetente siç janë akademitë e shkencave, institutet kërkimore-shkencore apo katedrat e historisë në universitete tona.


