Gjilanit i duhet trafiku urban jo vetëm në letër
Nga Fehmi Sylejmani – Edhe përkundër që është proklamuar me pompozitet të lartë se së shpejti qyteti i Gjilanit do të bëhet më trafik urban, kjo akoma nuk po ndodh. Në mungesë të transportit urban, qytetarët e Gjilanit duhet t`i përdorin makinat private për të kryer një punë, duke iu nënshtruar në këtë mënyrë tollovisë së madhe në trafik, apo edhe vonesave për të arritur në kohën e duhur deri te një shërbim i caktuar.
Qasja në transportin publik, është kusht kryesor për pjesëmarrje në jetën shoqërore dhe ekonomike, në një vend të zhvilluar.
Kohë më parë në Gjilan, është mbajtur një konferencë me investitorë, ku kanë marrë pjesë Departamenti qendror për partneritet publiko-privat (PPP) si dhe përfaqësues të USAID-it, programi DEMI, që ka ndihmuar me ekspertët e tij në identifikimin e gjendjes ekzistuese në trafik dhe sektorë tjerë si dhe në përgatitjen e një strategjie gjithëpërfshirëse, ky hyn edhe transporti urban.
Duhet të pretendohet vendosja e një transporti publik urban cilësor, efikas dhe të lirë, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të ndikojë në mënjanimin e tollovive në drejtim të qendër së qytetit. Projekti për transportin urban është element i rëndësishëm i jetës publike.
Transporti publik do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të automjeteve të vogla, sepse qytetarëve iu ofrohet një alternativë me ekonomike për udhëtim.
Qyteti i Gjilanit me 392 km/2(kilometra në katror), 42 vendbanime dhe rreth 100 mijë banorë, ka nevojë për transport publik. Aq më shumë kur janë larguar nga qendra e qytetit, shërbimet administrative, qoftë për patentë shoferë, qoftë për letërnjoftime dhe pasaportë, qoftë për çertifikata gjyqësore e të ngjashme. Pra, trafiku urban shihet si nevojë edhe nga qytetarët, meqë shumë shërbime të komunës tashmë janë në vende të ndryshme dhe periferike të komunës.
Askund në botë nuk ndodh që dikasteret e komunës, apo shërbimet e qytetarëve të largohen nga qendra e qytetit, edhe atë nëpër pika të ndryshme, pa iu mundësuar edhe udhëtimi në mënyrë më efikase, me kosto më të lirë dhe me shpejtësi. Kjo mbase nuk ka koment, sepse këtu nuk bëhet politikë me prioritete dhe me menaxhimin e duhur të situatave dhe të projekteve!
Sipas të dhënave zyrtare, në Gjilan janë të regjistruara mbi 12 mijë vetura. Por, meqë Gjilani është edhe qendër e regjionit, numri i automjeteve që qarkullojnë këtu është dyfish më i madh.
Si rezultat i konstatimeve të lartpërmendura, ne japim disa rekomandime, Komuna duhet të jetë sa më afër qytetarit, e jo komuna të largohet nga ta, pa menduar për zgjidhjet dhe alternativat e ofrimit të shërbimit te qytetarët; të fillojë sa më parë funksionalizimi i tërësishëm i trafikut urban në qytet; të krijohet një sistemi i mirë i menaxhimit të trafikut; të motivohen qytetarët për të zvogëluar përdorimin e makinave personale dhe për të ulur tollovinë në trafik, meqë do të zvogëlohet edhe dendësia në komunikacion, edhe ndotja në Komunë, edhe do të kemi edhe shpenzime më të vogla të qytetarëve; qasje më të lehtë dhe më të shpejtë me rastin e hyrjes në autobusë, Autobusët të jenë teknikisht në rregull dhe të ofrojnë siguri për udhëtarë; të mendohen dhe të dizajnohen nga ekspertët, format më të mira të nënstacioneve, për të mos shkaktuar kaos urbanistik; trafiku i mirë urban dhe ndërlokal, do të lidhte pjesët periferike me brendinë e qytetit, do të fuqizonte bashkëpunimin dhe komunikimin në mes të lagjeve të ndryshme të qytetit, por edhe do të mundësonte që edhe ai numër i vogël i punëtorëve në vende të largëta për udhëtim të përçdoditshëm, të kishte kushte më të favorshme për të shkuar në vendin e punës dhe për t’u kthyer në shtëpi; Autobusët duhet të kenë qasje për persona me nevoja të veçanta, por edhe të kenë sinjalizimin auditiv për personat e verbër, në mënyrë që të informohen për çdo nënstacion në ndalje.
Çmimet të jenë sa më të arsyeshme për xhepin e qytetarëve.
Për fund, ne mendojmë që trafiku urban do ta gjallëronte qytetin, por edhe do ta lehtësonte jetën e përditshme të qytetarëve. Ne besojmë se trafiku urban nuk duhet të jetë vetëm në letër dhe në konferenca shtypi, por të bëhet një realitet i bërë.
Autori është zyrtar në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan


