ARKATANA

Ligji kthen Xhabirin

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Mos u habitni, mos i fshini sytë, dhe mos mendoni se jeni në ëndërr, nëse pas pak ditësh mund ta shihni Xhabir Zharkun, si kandidat për kryetar të komunës së Kaçanikut, në zgjedhjet komunale që do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti. Zharku për një kohë ishte kryetar i kësaj komune.

Por, mandati i tij ishte ndërprerë nga një vendim i gjykatës për shkak të implikimit të tij në vepra kriminale. Ai ishte munduar direkt dhe indirekt që t’i ikë burgut. Por, kur ky i fundit ishte i pashmangshëm për të, ai në fund mori vendim dhe përmes rrugëve ilegale braktisi vendin. Një veprim të tillë të tij, nuk e kishin pritur as gjykatësi i EULEX-it, e për vendor nuk po flasim fare.

Mirëpo, kthimin e tij në Kosovë dhe në skenën politike Zharkut do t’iamundësojë Ligji për Amnisti, i cili të enjten pritet që për herë të dytë të dalë në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Falë këtij ligji, Zharku, por edhe shumë shokë të tij, do të mund të rikthehen në pushtet, përkundër të zezave që ata i kanë bërë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.

Por, derisa Zharku së paku publikisht nuk e ka shprehur një ambicie të tillë, janë shokët e tij, disa nga kryetarët aktualë të komunave tashmë e kanë ndarë mendjen se prania e tyre në pushtet është e domosdoshme për të “ardhmen” e Kosovës. Së paku ky mund të jetë perceptimi i tyre për veten. Kryetarë aktualë të komunave që kanë dosje për veprime kriminale, dosje për abuzim me fonde publike, tjetërsim të pronave publike, kanë marrë aprovimin nga shefi i partisë Hashim Thaçi për të rikandiduar edhe për një mandat në komunat që ata i kanë “zhvatur” për vite të tëra.

UBT

Njëri nga ta është kryetari aktual i Prizrenit Ramadan Muja, i cili me para të shtetit ka paguar qindra euro për shikimin e filmave erotikë në një nga hotelet luksoze të Evropës. Muja po ka dëshirë që të rikandidohet edhe për një mandat, edhe pse ka abuzuar me tenderë dhe ka “vjedhur” pronën publike. Me një fjalë ai ka shkatërruar qytetin historik të Prizrenit. Të gjitha këto bien poshtë, kur ky e ka përkrahjen e shefit të partisë. Ky i fundit edhe më tutje ka një bindje se Muja përkundër abuzimeve dhe keqpërdorimeve është “aseti” i vetëm i Partisë Demokratike të Kosovës në qytetin e Prizrenit, apo Jerusalemin e PDK-së siç ka dëshirë të identifikojë kryeministri Thaçi.

Situatë e njëjtë është edhe me kryetarin e komunës së Gjilanit. Të bëmat e tij thuajse janë të barabarta me ditët që ai ka timonin e pushtetit komunal. Ndoshta edhe më keq se kolegu i tij nga komuna e Prizrenit, Mustafa ka dëmtuar rëndë buxhetin publik, duke i dhënë tender ortakut të tij që janë partnerë në biznes.

Rikandidimi edhe për një mandat i kryetarëve aktualë që janë përballur, ose po përballen me drejtësinë për veprime kriminale, ofendon rëndë qytetarët e Kosovës, e më së shumti ata që dolën dhe morën pjesë në zgjedhjet e fundit komunale për t’i votuar ata.

Por, si duket tashmë është bërë një trend dhe standard i ri në Kosovë. Abuzuesit nuk përfundojnë në vendin ku ata e meritojnë (burgun), por ata vazhdojnë të mbesin në pozicione. E tash ata edhe ligjërisht pritet të amnistohen!