ARKATANA

Azilant si Thaçi!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lavdim Hamidi – Hashim Thaçi është historiani që e ka harruar historinë e vet. Ai sot flet për një Kosovë evropiane, duke i dhënë merita vetes se po udhëheq një shtet me perspektivë perëndimore. Mirëpo, realiteti është se në Kosovën “evropiane” të Thaçit shumëkush nuk dëshiron të jetojë më.

Ata nuk po i besojnë më kësaj Evrope të rrejshme dhe po e kërkojnë shpëtimin, duke emigruar ilegalisht përmes Serbisë drejt Gadishullit të vjetër.Ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi, i cili dy dekada më parë u detyrua të marrë rrugën e azilit për në Zvicër. Prandaj ai do të duhej të ishte politikani, i cili do ta kuptonte më së miri ndjenjën e një qytetari, i cili i merr fëmijët dhe familjen dhe ikën nga këtu.

Katërmbëdhjetë vjet më pas Kosova nuk administrohet nga Serbia, por në krye të saj është Hashim Thaçi, i cili duhet ta dijë më mirë se çdokush se çfarë është të jesh azilant. S’e besoj ta ketë harruar këtë ndjesi, nuk kemi dëgjuar se vuan nga sëmundja e Alzheimerit (sëmundja e harresës).

Të freskëta janë ngjarjet që denigruan shtetin më të ri të Kosovës nga qeverisja e tij. Për pesë vjet në krye të qeverisë më shumë se kurrë kosovarët u lodhën nga varfëria, e ikja e tyre është dëshmi.

Pesë autobusë me udhëtarë për çdo natë nisen nga Prishtina për në Beograd dhe më pas ia mësyjnë ilegalisht kufirit hungarez. Pa i llogaritur edhe autobusët që nisen çdo natë nga qytetet tjera të Kosovës Ferizaj, Gjilani etj., numri i atyre që po e lënë vendin vetëm gjatë dy muajve të fundit është shumë i madh.

KKVITI

Po ikin sepse nuk po shohin kurrfarë perspektive në Kosovën evropiane të Thaçit, nuk shohin dritë në fund të tunelit në një vend kur çdo vjet qytetarët vdesin nga rriqrat, me arsyetimin se buxheti i shtetit është i cekët, ndërsa zyrtarë të pushtetit të shenduar brenda natës në milionerë sillen me luks përpara syve të qytetarit të varfër.

Gjatë mandatit 5-vjeçar si kryeministër Hashim Thaçi nuk e ka parë të arsyeshme të investojë sa duhet në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, për të krijuar kushte më të mira për pacientë. Ai nuk arriti ta përmirësojë as cilësinë në arsim, pavarësisht se ka hapur shumë universitete publike dhe shumëkush e ka diplomën ta varur në mur.

Rreth 30 mijë të rinj brenda vitit janë potencial për tregun e punës. Ata edhe nëse diplomohen nuk gjejnë vend të punës pa intervenim.
Në vend të përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor, kryeministri investoi mbi 1 miliardë euro në infrastrukturën rrugore. Qytetarët janë lodhur nga asfalti, ata i ka kapluar skamja.

Shumë prej tyre u kanë besuar premtimeve tuaja se “do të krijosh mijëra vende pune, do ta përmirësosh sektorin e shëndetësisë e arsimit dhe do t’ua kthesh dinjitetin kosovarëve”. Ndërsa edhe sot jemi dëshmitarë të pamjeve të përjetuara gjatë viteve të 90-ta!

Z. Kryeministër në atë kohë ju keni ikur nga regjimi i egër i Millosheviqit, e sot qytetarët e Kosovës po ikin nga “demokracia” juaj.